Kthesa në heshtje e Holandës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Kthesa në heshtje e Holandës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Kryeministri holandez, Mark Rutte, është kthyer në mbështetësin më të madh të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Edhe pse ai kundërshtoi me zë të lartë hyrjen e dy vendeve në BE disa vite më parë, Rutte tani po e miraton.

Kështu shkruan prestigjiozja holandeze “De Telegraaf”.

Sipas saj, Qeveria holandeze dhe partitë e koalicionit janë pro anëtarësimit të dy vendeve ballkanike në Bashkimin Evropian.

Madje ajo shkon më tej duke theksuar se Qeveria holandeze po bën presion që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të anëtarësohen.

Një kthesë në heshtje – kështu mund të quhet kursi i Holandës kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Kjo dobëson të gjithë Bashkimin Evropian”, tha Rutte në 2018-ën për anëtarësimin në BE të dyja vendeve.

Holanda më pas bllokoi negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tani Rutte ka marrë rolin e përshpejtuesit dhe negociatorit.

Ai ka udhëtuar nëpër Evropë këto muajt e fundit për t’i sjellë të gjithë në të njëjtën linjë aprovimi.

Pothuajse të gjitha vendet e BE-së janë të bindur dhe negociatat e pranimit janë gati të fillojnë – përveç qëndrimit të Bullgarisë.

Ndërkohë muajin e kaluar, Rutte sduke deklaruar se nuk ka shumë shanse që Ukraina të marrë menjëherë statusin e vendit kandidat për hyrje në Bashkimin Evropian, pasi do të ishte e padrejtë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Por si ndryshoi qëndrimi holandez?

Në nëntor 2020, Holanda argumentonte se Shqipëria, duhet të përmbushte të gjithë kushtet e vendosura sipas përcaktimeve të Këshillit Evropian më 24 mars 2020.

Madje, ishte kërkuar që të ishin përmbushur bindshëm!

Sipas diplomacisë holandeze në atë kohë, dy ishin aspektet më shqetësues: Mospërmbushja e kuorumit të Gjykatës Kushtetuese dhe paaftësia e Gjykatës së Lartë për të shqyrtuar të gjitha çështjet.

Në atë kohë, nga Holanda apelohej për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm. Hapa, të cilët sipas holandezëve tashmë, janë ndërmarrë.

Janë pikërisht këto dy pika që jepen të argumentuara sërish në argumentin e holandezëve. Por, këtë herë, qëndrimi është pro. “Shqipëria ka bërë sa duhet për hapjen e negociatave”.

Dy fushat kryesore ku Shqipëria ka kryer arritje, janë përpara në sundimin e ligjit dhe lufta ndaj korrupsionit.

Këtë qëndrim ja ka parashtruar Parlamentit të Holandës, ministrja e Jashtme, Sigrid Kaag. Në atë raport, pasqyrohet përparimi në tema prioritare dhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Luftën kryesore ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, e ka zhvilluar Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Kjo e fundit u krijua më 19 dhjetor 2019 dhe brenda një viti ka kryer 162 procedime penale për krimin e organizuar, 240 për vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe 166 procedime për vepra të tjera.

Ndër dosjet më të nxehta, janë ajo 184, ku u hetuan disa përgjime të publikuara nga gazetari gjerman i të përditshmes BILD, Peter Tiede.

Sipas tyre, në zgjedhjet lokale në Shqipëri, në Bashkinë Dibër, pretendohej se ishin vjedhur votat.

Një tjetër dosje është ajo 339, e cila goditi bandën kriminale të Avdylajve.

Më 24 dhjetor, me betimin e Përparim Kalos si anëtar të pestë i Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit u bë funksionale. Më pas u emëruan edhe dy anëtarë të tjerë, duke e çuar numrin në shtatë.

Një zë i fortë në drejtësi, ka qenë edhe ai i ambasadores së SHBA-ve, Yuri Kim, e cila ka mbështetur dhe ndjekur nga afër krijimin dhe punën e këtyre institucioneve.

I fundit ka qenë fillimi i punës nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Aty janë pranuar tashmë hetuesit e parë dhe po trajnohen mbi pozicionin e tyre.

Një luftë ndaj krimit, e cila është vlerësuar nga ndërkombëtarët./ Tema

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit