Kthesa në degëzimin rrugor mes rrugës së Elbasanit dhe rrugës Danish Jukniu në Sauk, është burim aksidentesh, duke u kthyer në rrezik të vazhdueshëm për banorët e kësaj zone.
 
Njëri prej të aksidentuarve është edhe Riza Aliaj, i cili thotë se banorët e zonës e kanë ngritur shqetësimin disa herë, por askush nuk i ka dëgjuar ankesat e tyre.
 
“Në këtë rrugë kanë 7 vdekur dhe 14 janë plagosur nga aksidentet, një nga ata që kanë shpëtuar jam edhe unë. Ne e kemi ngritur problemin po nuk e ka çarë kush kokën”,
shprehet Riza Aliaj
 
Skënder Hasmeta, instruktor për drejtimin e mjeteve, thotë se kjo kthesë mund të quhet një njollë e zezë për qarkullimin rrugor.
 
“Ligjet e fizikës nuk pyesin për aftësitë e shoferëve. Kjo është një kthesë e vështirë, me fushëpamje të kufizuar. Shoferët duke ardhur me shpejtësi kryejnë ndalime dhe frenime të gabuara, dikush ka defekte në automjet dhe për pasojë ndeshin aksidente”,
thotë Skënder Hasmeta.

rruga ne sauk
 
Po cilat janë masat rrugore që duhet të ndërmerren në këtë segment për të ulur rrezikun e aksidenteve?
 
“Kemi kërkuar që të vendosen pengesa artificiale që të detyrojnë drejtuesit e automjeteve të ulin shpejtësinë, të vendoset një pasqyrë ku kontrollohet lëvizja e mjeteve sepse kjo është një kthesë e padukshme. Këtu kuptohet që edhe nga kultura e dobët e shoferëve të cilët nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor nga tejkalimi i normave të shpejtësisë, nga ndalimet e gabuara dhe frenimet e gabuara”, shprehet Hasmeta.
 
Në këtë segmet rrugor, gjatë 2 viteve të fundit kanë humbur jetën 7 persona dhe janë plagosur 14 të tjerë, ndërsa viktima e fundit u regjistrua vetëm 3 ditë më parë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com