KOSOVE - Kuvendi i Serbisë ka miratuar rezolutën për Kosovën, në të cilën parashikohet që të gjitha bisedimet e ardhshme me Prishtinën duhet të jenë në përputhje me këtë dokument, e në veçanti insistohet në ngritjen e një autonomie për komunat serbe.

Këto pretendime të Serbisë nuk do të nxirren asnjëherë në tryezën e bisedimeve në Bruksel. Kështu ka deklaruar Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi duke theksuar se Serbia po i bën këto veprime sa për konsum të brendshëm, transmeton RTK.

“Duhet të kuptojmë si një pjesë letre që i përket vetëm aspektit të brendshëm. Platforma e Serbisë nuk është në tavolinën e bisedimeve. Ata kanë dashur që ta bëjnë për konsum të brendshëm dhe ta nxjerrin para aktit të kryer më shumë për BE-në sesa për neve”, ka theksuar Kuçi.

Takimi i radhës ndërmjet dy kryeministrave Thaçi e Daçiq do të mbahet më 17 janar, ku zyrtarët në Bruksel e Beograd kanë paralajmëruar biseda për veriun, ndërsa zyrtarët qeveritarë të Kosovës kanë thënë se në këtë takim do të diskutohet për shpërbërjen e strukturave paralele.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)