TIRANË- Për Flamur Nokën dhe Xhelal Mziun, dy deputetët e Sali Berishës, Prokuroria ka nisur hetimet pas protestës së dhunshme dhe një përplasje të ashpër që u përfshinë me një agjent civil dhe një qytetar. Ky i fundit, Totem Toraj, bashkë me agjentin civil Krenar Metaj, bënë kallëzim në polici, kundrejt dy deputetëve. Në dëshminë e tij në polici, qytetari Tetem Toraj, të cilin Flamur Noka e ngatërroi me agjent civil, ka rrëfyer të plotë dinamikën e përplasjes.
30-vjeçari ka treguar para bluve, se mbrëmjen e 20 shkurtit, doli nga biznesi i tij, në rrugën “Xhorxh W Bush” në Tiranë, ku është takuar me një bashkëfshatarin e tij, duke iu referuar agjentit civil Metaj. Përplasja ndodhi pranë xhamisë së Namazgjasë, ku Toraj rrëfen se disa deputetë të Kuvendit, mes tyre Flamur Noka, Xhelal Mziu dhe Belind Këlliçi, u janë afruar dhe kanë nisur të shtyjnë dhe të dhunojnë Krenar Metajn. “Unë e kam pyetur se çfarë kishte ai me atë djalin”, ka dëshmuar Toraj, duke shtuar se Nok ai është drejtuar me fjalët “çfarë je ti Polic”. Në këtë moment, Noka e ka kontrolluar qytetarin duke e pyetur “ku e ke armën”.
“Unë jam paraqitur në Komisariat për të kallëzuar se në rrugën Xhorxh W Bush Tiranë kam një biznes timin Tabaco edhe ne orën 22.00 të datës 20.02.2026 kam mbyllur dyqanin tim. Sapo kam dalë nga dyqani duke ecur në këmbë shikoj që kishte disa njerëz nëpër rrugë pasi sapo ishte duke përfunduar protesta tek Parlamenti e Partisë Demokratike. Kam takuar një bashkëfshatarin tim edhe jam përshëndetur me te sapo kemi bërë dy tre hapa afrohen disa persona të cilët disa prej tyre i njoh nga televizori pasi janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë e pikërisht ishin Flamur Noka, Xhelal Mziu, Belind Këlliçi edhe nja dy të tjerë qe nuk i njoh për emër. Deputetët i janë drejtuar bashkëfshatarit duke e shtyrë, unë jam afruar edhe jam munduar që t’i ndaj. Në këtë moment deputeti Flamur Noka po i fliste e po e shtynte bashkëfshatarin tim, unë e kam pyetur se çfarë kishte ai me atë djalin. Flamuri me është drejtuar me fjalë "çfarë je ti Polic" edhe ka futur duart në trupin tim duke kontrolluar e duke më thënë "ku e ke armën", ka dëshmuar ai.
Në sherr është përfshirë edhe deputeti Xhelal Mziu, i cili sipas dëshmisë së Torajt, është goditur me grusht në pjesën e brinjëve. Moment i cili dallohet fare qartë në video, teksa Mziu ushtron dhunë, ndaj një qytetari pa faj dhe pa asnjë lidhje me protestën e dhunshme të tyre.
“U fut edhe deputeti tjetër Xhelal Meziu. Pasi me kontrolluan duke ushtruar presion psikologjik edhe fizik edhe panë që unë nuk kisha armë, ndërkohë unë ju shpjegoj që nuk kam lidhje me Policinë por jam qytetar sapo kam dalë nga puna në këtë kohë. Xhelal Mziu më godet me grusht në pjesën e brinjëve. Ka ardhur Policia e na ka ndarë unë kam vazhduar punën time edhe kam shkuar në shtëpi shumë i shqetësuar për këtë që më ndodhi. Kur kam shkuar në shtëpi shikoj që kisha dalë edhe në televizor edhe shumë nga familjarët e mi po telefononin se ishin të shqetësuar për mua pasi kishin parë televizorin. Unë vendosa që të paraqitesha në Polici për të bërë kallëzim penal pasi kërkoj ndjekje ligjore për këtë që më ndodhi gjithashtu kam edhe dhimbje në brinjë si shkak i goditjeve kërkoj edhe vendim Mjeko Ligjore”, vijon ai në dëshmi.
Toraj thotë se pas incidentit është larguar fillimisht në shtëpi, pasi janë shqetësuar familjarët që e panë duke u dhunuar në televizor dhe më pas nga aty i është drejtuar Komisariatit nr. 1 për kallëzim.
"Unë vendosa që të paraqitesha në Polici për të bërë kallëzim penal, pasi kërkoj ndjekje ligjore për këtë që më ndodhi. Gjithashtu kam edhe dhimbje në brinjë si shkak i goditjeve dhe kërkoj edhe vendim mjeko-ligjor", thekson ai.
Pyetjes se kush nga deputetët e goditi, i përgjigjet pa mëdyshje sërish.
"Më ka goditur Xhelal Mziu me grushte në brinjë, ndërsa Flamur Noka edhe të tjerët më kanë shtyrë, sharë e ofenduar", vijon ai.
Tetem Toraj deklaron se nuk asnjë lidhje më asnjë parti politike, ndërsa kërkon ndjekje ligjore ndaj deputetëve që e dhunuan pa asnjë arsye.
Komente












