Nisu në Sojnikun e braktisur para se ta ketë ngrënë ferra. Nisu nga 6 e gjysëm e mëngjezit. Të mos kesh probleme me trafikun dhe të kthehesh para se të zërë nata, më herët do ishte më mirë.
Nëse duke ik drejt Elbasanit, do t'i ibyri sytë dielli i sapo lindur mbi Dajt, do të shqetsojë trafiku mëngjezor me zhurma dhe piskama, dhe do të bezdisi smogu, të kanë lenë ndjesitë, je lodhur, je matufjepsur, po pret të vdesësh, s'je për këtë udhëtim. Kthehu në Sauk, a te TEG-u, a në Mullet, shko te kafeneja e preferuar e mëhallës a dikund tjetër, rri nja 3 a 4 orë atje deri sa të vijë dreka të bëhen groshët, dhe mos e përsërit më gabimin për të vajtur diku te Shqipëria e vërtetë që për ty o ngordhalaq është më e largët se infiniti.
Ama nëse sfidën mëngjezore me diell, smog, piskama, jo vetëm e duron, por e ke dhe qef, je njeriu i duhur për të vajtur në kohën e duhur në vendin e duhur, vazhdo.
Vazhdo për të vazhduar, ama sakën se, duke parë nga dritarja, nis e lëshon klithma; ua sa e bukur kjo ullishte, au sa e mahnitshme kjo vreshta. Po nise nga këto, nuk arrin dot kurrë për ku je nisur, në Sojnik të Gramshit, ku po ha ferra fshatin.
Foto: Ish baza e armatimit Sojnik
Në Gramsh, një polic rrugor i sjellshëm dhe i gatshëm do të thotë se zor të gjesh në qytet kallauz për në Sojnik. Në Kodovjat, dikush pik e helm se i është prishur makina në mes të rrugës, do të thotë me përtesë se nuk bëhet fjalë për kallauz në Kodovjat, ku, me gra e burra, të rriturr e kalamaj i ke të gjithë duke mbledhurr ullinjtë.
Mos u dorzo. Kallauzët nuk gjinden kollaj. Hyr te kjo kafeneja matanë rrugës. Kafexhiu me musteqe po llafoset me gruan. Dy goca të vogla lozin me njëratjetrën. Një mesoburrë te tavolina në qoshe të njeh. Donaldi, mbreti i botës në Hebraisht, kështu quhet mesoburri, krejt në jerm, disi i tronditur nga befasia e këndëshme, nis e ti numuron me tituj e me data çfarë ke shkruar dhjetë vjet e tëhu. Qaja hallin mbretit të botës së Kodovjatit. Pyete Donaldin nëse vjen për kallauz në Sojnik. Do pranojë menjëherë. Por me një kusht: Ta presësh sa të vejë të pijë kafen në një ceremoni mortore në Bulçar. Mos e kundërshto mbretin. Ke kohë. Prandaj u nise herët. Donaldi para me makinën e vet, ti pas me tënden, shko shihe ceremoninë mortore. Bulçari është afër. As tre kilometra nga ku hyn te kthesa për Lenie.
Rrugës për Bulçar, do merni një zonjë dhe një zotëri që edhe ata shkojnë te xhenazja në Bulçar. Kanë 7 fëmijë. Të gjithë në Greqi. Mbi 300 rrënjë ullinj, tokë, bagëti. Dhe ankohen për shtetin që nuk i ndihmon.
Në Bulçar ka vdekur një Zonjë e nderuar. Gjithë jetën mësuese matematike, drejtoreshë shkolle, me nam të mirë në krejt krahinën.
Kanë ardhur nga an' e anës gra e burra, zotërinj e zonja, të gjithë me të zeza. Secili makinën e vet. Jo makina dosido. Vetëm Benza, Toyota, Nissana, Opela, me të ik menia. Ca ikin, ca vinë. Kafeneja e fshatit, plot.
Duke pritur të kthehet Donaldi, të afrohet një çun. Kërkon ta marrësh në Kodovjat ku do takojë një mjek. Shtatlartë, 21 vjeç, pak bjond, buzë të trasha, lëkurë e rreshkur, çalon pak, pamje prej të urti, prej shenjtori. Ka emër hebrè. Quhet Emanuel, "Zoti është me ne". Emanueli llafoset shtruar. Ka plagosur këmbën. I tthanë shërohet për një muaj. Por kanë kaluar dy. Emanuelit i kanë vdekur në një ditë, mami dhe tezja. Pinë nga një shishe me lëng frutash të skaduar nga ato që bëhen ilegalisht nëpër bodrume, dhe vdiqën. Babain e ka të sëmurë, ulok, nuk luan nga vendi. I bën hyzmet vëllai, xhaxhai i Emanuelit. Emanueli nga Kodovjati ka të dashur shkodrane. E ka gjetur në Internet. Nuk e ka takuar kurrë. Do e takojë së shpejti. Do fejohet dhe do martohet, do bëjë një tufë me fëmijë. Vëllai i Emanuelit ka gjetur gjithashtu nuse në Internet. Jeton bashkë me nusen në Shkup ku punon si pllakaxhi.
Vjen Donaldi. Do niseni për Kodovjat, ku Donaldi do lerë Nissanin, do vi te makina jote, do ikni për Sojnik.
Në Kodovjat Donaldit që i del një punë. Në pamundësi për të ardhur vetë, të gjen një kallauz tjetër që quhet Musa, edhe ky profet.
Nisu me Musain për Sojnik.
Te kthesa për Sojnik, tabela rrugore me emrat e 12 katundeve dhe kilometrat renditur vertikalisht, duket si menu turistike mbretërore me emrat e specialiteteve dhe çmimet:
Shelcan 3
Zamsh 6
Lilenj 12
Snosem 13
Grazhdan 14
Vreshtan 14
Gribë 16
Sojnik 17
Kukur 17
Ermath 19
Rashtan 23
Rovje 27
Përgjatë përroit që vjen nga që lart, nga Rovja, profeti Musa do të tregojë për majën më të lartë të atyre anëve, Majën e Lisecit, lart mbi Kukur, ku sot e kësaj dite janë 9 krushq të ngrirë bashkë me mushkat, dhe krejt karvanin.
Kishta, ç'emër i çuditshëm për një fshat, nuk arrihet prej këtej. Në Kishtë shkohet nga rrugë tjerër.
Mos u habit, thotë profeti, që mbi rrjedhën e përroit që vjen nga Rovja nuk ka hidrocentrale. Përrenjtë nuk rrjedhin këtej. Rrjedhin nga Mokra. Të rridhnin këtej nuk do i kishin lënë pa i ngritur hidrocentralet dhe pa i tharë përrenjtë ata të pagopur. Madje edhe këtej dhe andej, nëse unjat do rridhnin në të dy anët.
Te kthesa për Gribë, pak më tutje, një djalosh me kalë nga Poroçani, vendi më i keq për të jetuar, po i çon mish gjyshit në Sojnik, vendi ku dielli lind për së pari. E quajnë Ibrahim, babai i të gjithëve. Mos u ndal gjatë me Ibrahimin, atë Nip madhështor se mbetesh pa vajtur në Sojnik ku po hanë ferrat fshatin.
Foto: Mish gjyshit nga Nipi monumental
Në të hyrë të Sojnikut rruga hyn në ca si tunele ferrash që të paralajmërojnë për çfarë do shohësh pas pak në fshat.
Ja dhe Sojniku.
Në mes të Sojnikut malor bie në sy një atmosferë fushore, pata rosa, biba rrethuar me tela si një herë e një kohë Shqipëria.
Një zotni me mustaqe të jep spjegime për një lokal që e ka ndërtuar pothuaj tërësisht me mjete rrethanore. E dije se peshku bëhet në det në ujra të ngrohta dhe të kripura. Por u bëka edhe këtu në mal me ujë të ëmbël dhe të ftohtë.
Pranë një lëndine të blertë, ish spitali i Sojnikut me nam në kohën i Diktaturës ku vinin e shëroheshin nga an' e anës.
Foto: Ish Spitali Sojnik
Ish Qëndra e Kulturës është shndrruar në, kati i parë kafene, kati i dytë depo. Askush nuk është bërë mukajet të marrë një dorë gëlqere ta mbullojë emrin e ish Diktatorit mbi murin e ish spitalit.
Foto: Rroftë Diktatori
Pak mbi qëndrën e fshatit, shkolla pothuajse bosh.
Shkolla ka emër dëshmori dhe mbiemër motoçiklete, Guzi. Dëshmori nga Sojniku ka rënë në dibër. S'është çudi që, për ti bërë të pa verifikueshme dëshmitë, ndonjë dibran, emrin e të cilit në Dibër një shkollë e mban, të ketë rënë dëshmor në Sojnik, a dikund tjetër këtej rrotull.
Është ora e Pushimit të Madh.
Në kafene, mësues dhe mësuese.
Mësuesi, Sulua, një djalë i ri diku nga ku ndahet Skrapari me Gramshin nga një fshat ku ha pula strallin...Sulua spjegon rrjedhshëm por mysafirët e trashë nuk kuptojnë qartë.
Mësuesja, ah mësuesja, mësuesja e Sojnikut, një Zonjë në moshë, një Elisabeth Taylor version gramshak, spjegon ngadalë me zë mozartian për çfarë e pyet në Shqipe korrekte me theks lokal, me të ikë truri i kokës, me një përqëndrim dhe vetpërmbajtje shembullore që u mungon zonjave meteopolitane.
Sojniku është plot me ujra që rrjedhin përposhtë.
Po s'ke zemër të fortë, mbi dhe nën fshat, mos hyr. Pamje e tmerrshme për syrin dhe mendjen. Ferrat janë harlisur brenda e jashtë shtëpive të braktisura si merimangat në filmat e horrorit.
Foto: Menu turistike mbretërore
Ferrat po e kullufisin Sojnikun si anakonda përpin dalngadalë një viç të tërë.
Largohu prej aty se çmendesh.
Merr Sulon dhe Elisabeth Taylor-in, dhe ik teposhtë.
Sulon çoje në Gramsh.
Zonjën madhështore deri aty afër ku banon, ku gdhihet e ngryset në Fatin e vet monumental.
Musain lëre afër Kodovjatit, ku ka shtëpinë.
Duke zbritur nga Sovjani që po e hante ferra, pamje kadareane: Pasi kanë ardhur nga ceremonia mortore në Bulçar përmes një shortcut-i që e dinë vetëm vendalinjtë, katër mësuese fshati anës udhës. Pa "Shoku Jani", pa "Komitet e ministri", pa "nxjerrin dorën nga makinat", se pas pak vjen i merr makina e vet.
Sa me fat je mor qen. Ishe ku halabakët kanë ikur, kanë mbetur vetëm shenjtorët, dhe ferrat që po hanë fshatin.
Drejt Tiranës, vreshtat, ullishtat, nuk do të duken aq të bukura si kur u nise, dhe do mërzitesh pak. S'mund të ndodhë ndryshe kur kthehesh nga vendi i profetëve te vendi i hajdutëve.