Efektivë të Policisë së Kuçovës po transportonin nga Fieri në drejtim të komisariatit të tyre një person të arrestuar, i dyshuar për prishje të qetësisë publike. Zamir Skënderi, 45 vjeç, kërkohej nga Kuçova, por arrestimi i tij u bë në Fier dhe duhej transportuar. Gjatë lëvizjes me automjetin e policisë në aksin Fier–Kutalli, 45-vjeçari i ka marrë armën e shërbimit në brez efektivit të policisë që e shoqëronte, Arsen Toska, 20 vjeç, në pjesën e pasme të mjetit dhe ka qëlluar 1 herë në drejtim të tij, duke e lënë të plagosur në kofshë, plumbi i së cilës ka dalë në anën tjetër.
Gjithçka ka ndodhur në pak sekonda, ndërsa mes policit dhe të arrestuarit nuk ka pasur asnjë përleshje, pasi veprimi i Skënderit ka qenë i menjëhershëm, thonë burimet për Report Tv. Efektivi Toska është transportuar për në Spitalin e Traumës, ndërsa raportohet se është jashtë rrezikut për jetën, koshient dhe po mbahet në monitorim nga bluzat e bardha.
Autori i dyshuar, Zamir Skënderi, është person i njohur për policinë, i skeduar më parë për përdorim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Gjatë momentit të shoqërimit dyshohet se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike, të cilat pritet të konfirmohen në vijim. Pas ngjarjes, ai ka tentuar të arratiset, por është neutralizuar dhe arrestuar nga efektivët që ndodheshin në mjetin tjetër të policisë. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Në hetim, për shkak të përfshirjes së efektivëve të policisë, është bërë pjesë edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila do të verifikojë veprimet e bluve.
“Kuçovë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë po kryenin shoqërimin e shtetasit Z. S., 45 vjeç, banues në Kuçovë, nga Komisariati i Policisë Fier drejt ambienteve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, i dyshuar për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjatë shoqërimit, shtetasi Z. S, është konfliktuar me punonjësin e Policisë shtetasin A.T., 20 vjeç, dhe gjatë konfliktit i ka marrë armën e shërbimit punonjësit të Policisë dhe e ka plagosur.
Patrulla e Policisë e ka neutralizuar dhe i ka marrë armën shtetasit Z. S., ndërsa punonjësi i Policisë është transportuar për ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën të fshehur në trup një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të verifikuar zbatimin e procedurave standarde të shoqërimit të personave nga ana e Patrullës së Policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Report Tv ka siguruar foton e 45-vjeçarit Zamir Skënderi, i cili ka plagosur policin Arsen Toska me armën e shërbimit të këtij të fundit. Skënderi po shoqërohej për në komisariat për prishtje të qetësisë publike ndërsa dyshohet të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Ai rezulton të jetë skeduar dhe më parë nga policia për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Komente










Ky djalosh vetem 20 vjec (2006 ditlindja ) nga analiza egonometrike duket qe do beje karriere ne fushen e krimit ! Policia ka nevoje per trajnime !
PërgjigjuKur një kriminel gjatë shoqërimit ja merr armen policit ky polic a duhet të jetë më Polic?
Përgjigju