Fatmir Limaj dhe Mehmet Kraja do të jenë të ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv në orën 20:30. Në qendër të bisedës do të jetë debati për rishikimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Pak ditë më parë qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj propozoi ekipin negociues për dialogun me Serbinë që sipas saj duhet të drejtohet nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ndërkohë që opozita bojkoti seancën e Kuvendit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u angazhua pak kohë më parë për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Por dje gjatë vizitës në Kosovë ai u shpreh se ‘nuk është e vërtetë se dua të ndryshoj kufijtë’.
Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për 'korrigjimin e kufirit" që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.
SHBA dhe BE nuk e kanë kundërshtuar idenë, por kanë kërkuar mos cenonte stabilitetin e Ballkanit, ndërsa Gjermania dhe Britania janë pozicionuar kundër. Përsa i përket Shqipërisë, Rama mbështeti qëndrimin e BE, ndërsa Presidenti Meta doli kundër rishikimit të kufijve.