Kufizime të ujit, Urgjencat nga 
QSUT zhvendosen në Sanatorium

Kufizime të ujit, Urgjencat nga <br />QSUT zhvendosen në Sanatorium
Vështirësitë me furnizimin me ujë pas motit të keq të një dite më parë, janë ndjerë edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ministria e Shëndetësisë dhe Bashkia e Tiranës, sqarojnë nëpërmjet një njoftimi të përbashkët për shtyp se në QSUT ka patur kufizime të furnizimit me ujë, për shkak të problemeve të shkaktuara në impiantin e Bovillës, si pasojë e turbullimit të ujit nga shirat e rrëmbyeshëm.

Por pavarësisht kësaj situate, Ministria e Shëndetësisë mohon faktin që të jetë ndërprerë shërbimi jo vetëm në QSUT, por edhe në spitalet e tjera të kryeqytetit, pasi ato janë furnizuar me ujë nga Ndërmarrja e Ujësjellës-kanalizimeve nëpërmjet boteve.

 “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka vijuar furnizimin me ujë të spitaleve të kryeqytetit, për të mos pasur probleme me mungesën e ujit në këto institucione. Vetëm gjatë ditës së sotme, UKT-ja ka shpërndarë në terren 7 bote uji, të cilët kanë furnizuar 21 herë me ujë QSUT “Nënë Tereza”, 6 herë Spitalin Universitar të Traumës, 4 herë SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, si dhe disa institucione të tjer,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila sqaron se në qendrat spitalore në Tiranë shërbimi po vijon normalisht dhe pa ndërprerje.

Sa i përket urgjencave kirurgjikale që mund të paraqiten pranë QSUT-së, Ministria e Shëndetësisë thotë se deri në zgjidhjen e problemit, sallat kirurgjikale të këtij spitali, do të suportohen nga ekipet dhe sallat e gatshme të SU “Shefqet Ndroqi”.

Ja njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë

Në lidhje me lajmin e përhapur sot (23/11/2015) në disa media dhe portale informacioni online, përsa i përket furnizimit me ujë të QSUT-së, Ministria e Shëndetësisë dhe Bashkia e Tiranës, sqarojnë si më poshtë vijon:

Si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike në 24 orët e fundit, ku pas një periudhe të gjatë thatësire patëm shira të dendur e të rrëmbyeshëm, uji i Liqenit të Bovillës është turbulluar si asnjëherë tjetër në vitet e fundit. Kjo e ka vështirësuar kalimin e këtij uji në impiantin e Bovillës, për t’u trajtuar e shpërndarë më pas në rrjetin e shpërndarjes. Për këtë arsye, gjatë gjithë ditës së sotme, specialistët e UKT-së kanë kryer analizat e ujit çdo 30 minuta, për të garantuar cilësinë e tij.

Ndërkaq, sot Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka vijuar furnizimin me ujë të spitaleve të kryeqytetit, për të mos pasur probleme me mungesën e ujit në këto institucione. Vetëm gjatë ditës së sotme, UKT-ja ka shpërndarë në terren 7 bote uji, të cilët kanë furnizuar 21 herë me ujë QSUT “Nënë Tereza”, 6 herë Spitalin Universitar të Traumës, 4 herë SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, si dhe disa institucione të tjera.
 
Në lidhje me situatën e krijuar, Ministria e Shëndetësisë informon si në vijim:
 
1. SUOGJ “Koço Gliozheni” - Deri në mesditën e ditës nesërme nuk do të ketë probleme me mungesën e ujit, ndërkohë që aktiviteti i tij vazhdon normalisht;

 2. SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” - Pas furnizimit të depozitave të ujit dhe furnizimit në vazhdimësi me anë të autoboteve, nevojat e institucionit janë plotësuar duke siguruar shërbimin normal;

 3. Shërbimi i Traumës - Vijon ofrimin normal të shërbimeve dhe garanton vijimësinë normale të punës;

 4. SU “Shefqet Ndroqi” - Nuk ka ndërprerje të furnizimit me ujë dhe puna vijon në funksionin e vet normal.

Aktualisht, aktiviteti spitalor dhe ai i ofrimit të shërbimeve spitalore në qytetin e Tiranës, vijon pa probleme. Gjatë ditës janë marrë masat edhe për furnizimin e mjaftueshëm me ujë të Shërbimit të Dializës, duke siguruar dhënien e shërbimit në vijimësi për të sëmurët, të cilët kanë nevojë për dializë.

 Nga ana tjetër, deri në zgjidhjen e këtij problemi me furnizimin e vijueshëm dhe pa probleme me ujë, për rastet e urgjencave kirurgjikale që mund të paraqiten pranë QSUT “Nënë Tereza”, sallat kirurgjikale të këtij spitali, do të suportohen nga ekipet dhe sallat e gatshme të SU “Shefqet Ndroqi”. Drejtoria e QSUT “Nënë Tereza”, po monitoron përdorimin e ujit në mjediset spitalore, duke garantuar furnizimin e nevojshëm dhe pa probleme në vazhdimësi.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ardit Rada: Drejtuesi i Elbasanit, që është nga Korça, ndodhet në burgun e Fierit! Protesta mbahet në Tiranë…

Ardit Rada: Drejtuesi i Elbasanit, që është nga Korça, ndodhet në burgun e Fierit! Protesta mbahet në Tiranë…