'Kujdes nga Ishujt Faroe, mundën Turqinë', Altin Rraklli në Report TV: Kombëtare perfekte me Moldavinë, trajneri mos e ndryshojë formacionin

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan nesër (e martë) në 20:45 kundër Ishujve Faroe në transfertë. Dueli vlen për grupin E kualifikues të Euro 2024, me kuqezinjtë që fituan 2-0 kundër Moldavisë të shtunë, po për këtë grup.

Për emisionin "Sot Live në Shqipëri" në Report TV, me gazetarët Andi Kapxhiu dhe Nertil Agalliu, foli ish-sulmuesi kuqezi, Altin Rraklli. Kavajasi ka luajtur 63 ndeshje me Kombëtaren dhe ka shënuar 10 gola, teksa analizoi fitoren me Molavinë dhe ndeshjen kundër Ishujve Faroe.

"Lojtarët dhanë maksimumin, nuk i lanë kundërshtarit asnjë shans dhe kjo është kryesorja për një ekip. Jemi pretendentë dhe do përplasemi me Poloninë dhe Çekinë", tha fillimisht Rraklli.

Kundërshtarin e radhës, ish-sulmuesi e vlerësoi duke thënë edhe dy rezultatet e tyre kundër Kosovës dhe Turqisë në edicionin e kaluar.

"Ishujt Faroe? Terreni dhe moti, kjo nuk na e bën të përshtatshme. Nëse i kthehemi edhe Moldavisë, nuk ishte kundërshtar i lehtë. Nëse nuk jep 100 përqind, fantazinë dhe talentin që ke, nuk ia del. Edhe ndeshja e nesërme, le të shohim rezultatet. I kanë marrë barazim Kosovës dhe kanë mundur Turqinë, janë të paparashikueshëm. Nëse vazhdojmë me përqëndrim, me kualitetin që kemi në fushë dhe stol, Asllani përshembull ishte në stol, kemi mundësi të mëdha", tha ish-sulmuesi.

Më pas Rraklli u ndal edhe te sulmi, ku tha se ekipi fitues nuk ndërrohet.

"Sulmi Cikalleshi - Uzuni dhe alternativat (Muçi, Seferi, Sadiku) - Formacioni fitues nuk ndryshohet. Ekipi kundërshtar pati sërish ndeshje me Çekinë, luajtën me një ekip më të fortë. Balancat janë njësoj. Nëse flasim për kualitet, Cikalleshi dhe Uzuni për momentin janë zgjidhja më e mirë që kemi. Uzuni mendoj se ka presion për golat e shënuar në Spanjë dhe me Kombëtaren pritet më shumë. Besoj se nesër do zhbllokohet. Më kryesorja është çfarë prodhojnë për ekipin, sa zona të lira hapin dhe sa vrapojnë. Në ndeshjen e kaluar e justifikuan. Unë nuk do e lëvizja formacionin, ishte një ndeshje perfekte kundër Moldavisë", tha kavajasi.

Për Rrakllin trajneri Sylvinho ka bërë mirë, teksa është herët për të dhënë një vlerësim për trajnerin e Kombëtares, që ka drejtuar vetëm dy ndeshje.

"Bindi Sylvino me dy ndeshje? Janë shumë shumë pak, nuk mund të krijosh një ide për filozofinë e tij. Po tenton të krijojë një ekip sulmues, që sulmon me shumë forca. E bëri edhe në Poloni. Kjo ka rrezik sepse lë hapësira dhe je i brishtë në prapavijë. Mbas 2-3 ndeshjeve do kemi një ide. Nga ana mentale dhe angazhimi, po i merr ekipit maksimumin. Ai është përzgjedhës dhe jo trajner, vendi i duhur në fushë dhe forma, ky është çelësi që trajneri duhet të zgjidhë me lojtarët", tregoi më pas 52-vjeçari.

Sa i takon kualifikimit, për Rrakllin mundësitë janë reale pasi si Polonia dhe Çekia nuk janë në formë optimale.

"Kualifikimi? Është një objektiv real. Çekia barazoi 0-0 me Moldavinë, një ekip që ne e mposhtëm në të gjitha drejtimet. Polonia dhe Çekia nuk janë elitare këtë kohë, nuk janë të pathyeshme. Në momente të caktuara mund t'i shënosh. Me angazhim të madh kemi shans real për kualifikim", tha Rraklli.

Për ish-sulmuesin koha e skemave fikse në futboll ka kaluar, teksa gjatë ndeshjeve ato ndryshojnë.

"Skema 4-3-3 dhe grupi? Skemat janë vendosje në letër, përgatitja fizike e lojtarëve ka vlerë. Nëse e ka këtë, bën vrapime dhe ndryshohet skema gjatë lojës. Kryesorja është që lojtarët të kenë angazhim dhe formë fizike", tha Rraklli për Report TV.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë