Kujtim Gjonaj: Filmat shqiptarë
në Paris, nderim për autorët tanë

Kujtim Gjonaj: Filmat shqiptarë<br />në Paris, nderim për autorët tanë
Filmat shqiptarë të regjisorëve të njohur Viktor Stratobërdha, Dhimitër Anagnosti, Xhanfise Keko, Kujtim Gjonaj, Fatmir Koçi, etj, do të prezantohen në festivalin Cinema Du Reel 2016 në Paris nga 18 – 27 mars 2016. Festivali në edicionin e tij të 38-të i ka kushtuar një program të veçantë kinemasë shqiptare. Regjisori Kujtim Gjonaj, pjesëmarrës në këtë festival, e konsideron një arritje të madhe historike vëmendjen e Parisit për Kinemanë shqiptare.

“Parisi është vendi ku u themelua kinemaja botërore”, pohon Kujtim Gjoni. Filmat pjesëmarrës do të përfaqësohen në tri kategori: filmi i retrospektivës, filmi i censuruar dhe një vëmendje të veçantë do të kenë filmat për fëmijë të regjisores Xhanfise Keko. Regjisori Kujtim Gjonaj, që mban titullin “Mjeshtër i madh”, rrëfen për Report TV edhe mesazhin e filmit të tij “Shembja e idhujve” që do të prezantohet në festivalin Cinema Du Reel 2016 në Paris.  
 
Zoti Gjonaj, pjesëmarrja e filmit shqiptar në festivalin Cinema Du Reel 2016 në Paris, por edhe shfaqja e tyre në Cinema Du Reel, çfarë shënon për ju dhe filmin shqiptar në përgjithësi?

-Mendoj se është një event tepër me rëndësi që filmi shqiptar do të shfaqet para një spektatori tepër të kulturuar, tepër të mësuar me filmin. Është një festival dhe një vend ku prezantohen vërtetë vlera të kinemasë. Është nder, është emocion, edhe për shkak se para kujt spektatori shfaqen filmat tanë. Me këtë dua të them që kinemaja shqiptare prezantohet në një vend që e njeh mirë kinemanë dhe sidomos në një vend ku u themelua kinemaja botërore.
 
Dimë që Franca do ta prezantojë filmin shqiptar me historinë e tij, duke nisur me filmin e censuruar në diktaturë, si filmat e Viktor Stratobërdhës dhe pastaj me filmat më të mirë artistikë të Dhimitër Anagnostit e Xhanfise Kekos. Këta autorë si i vlerëson?
-Dihet që Viktor Stratobërdha është një nga regjisorët e parë shqiptarë që në kohën e tij donte të bënte diçka ndryshe. Për arsye që nuk është vendi të citohen Stratobërdha mori një dënim para viteve ‘90. Filmat e tij kishin, jo vetëm atë nocionin e të bërit kritikë, por kishin edhe një koncept tepër artistik. Më vjen keq që mbeti më mes të asaj rruge, se dënimi që i dhanë nuk e la të shpaloste frymëmarrjen e tij të plotë. Ndërsa për kineastët Dhimitër Anagnosti dhe Xhanfise Keko që kanë qenë në podiumin e nderit të kinemasë shqiptare, mendoj se ata janë një shans i mirë për kinemanë shqiptare. Pra është me rëndësi që të prezantohet arti dhe kultura e Xhanfise Kekos për bërjen e filmave për fëmijë dhe arti i Dhimitër Anagnostit për filmin artistik e atë dokumentar. Me Anagnostin kemi një film të përbashkët “Motive nga dita e diel”. Unë kam shkruar skenarin në atë periudhë, dhe synimi ishte që me detaje dhe plane të pasqyroja në atë kohë të trishtë jetën në Tiranë. Ishte një film i veçantë, ku zinte vend elementi lirik, me aq sa mund të shfaqej. Xhiruam të rinjtë që dashuroheshin e ecnin krah për krah. Me një dashuri platonike do ta quaja. Por u kritikua në atë kohë. Filmi “Motive nga dita e diel”, ishte emocional dhe pak ndryshe. Ky film me Anagnostin është një ndër filmat ndryshe, edhe nga të mitë se ka një mesazh për gjithçka të jetës shqiptare të viteve 70-80.

Ju jeni pjesëmarrës edhe me filmat tuaj në festivalin Cinema Du Reel në Paris, siç është filmi më i suksesshëm “Idhuj pa krena”. Ç’mund të na thoni pas kaq vitesh për të?
-Filmi është një histori shqiptare. Ne jemi një popull me dhunti të mira, por me dobësi në karakter, sepse besojmë shumë në dashuri dhe nuk rrimë dot pa udhëheqës, nuk rrimë dot pa idhuj dhe krijomë idhuj edhe kur nuk duhet t’i krijojmë këta idhuj. Kjo është ideja e filmit. Filmi e merr shtysën nga një histori reale. Në Tiranën e viteve ’60, te rruga e postës rrinte një tiranas që shiste fotografi të vjetra, Hysen Hyseni e ka pasur emrin. Sa herë vinin udhëheqës të huaj si miq të Shqipërisë ai shiste fotot e tyre, dhe sa herë që ata “binin nga froni” ai hapte çantën dhe nxirrte fotografi të tjera të idhujve të kohës.

Kam përdorur si simbol dashurinë e popullit shqiptar, që me lule ka pritur edhe ardhjen e pushtuesit, pastaj e ka mohuar atë, me lule ka pritur edhe ardhjen e Ahmet Zogut, të Enver Hoxhës, të Sali Berishës e sot kështu po ndodh edhe me qeverinë e re. Filmi mbyllet me vizitën e James Baker në Tiranë, ku u bë një miting madhështor i mikpritjes pa asnjë flamur shqiptar, vetem me flamuj amerikanw. Ja një idhull i ri. Në horizont ka plane me udhëheqësit e e rinj…O popull, mos krijo më idhuj. Pra filmi ka sarkazëëm dhe ironi. Dhe ky film mori çmim në festivalin e Palermos.

Si shpjegohet që një vend si Shqipëria, ku arti ishte tepër i doktrinuar të tërheq vëmendjen e botës me cilësitë artistike të filmit, me çfarë lidhet konkretisht kjo vëmendje ndaj nesh?
 -Më duhet ta them se indoktrinimi, si dje dhe sot është pjesë e përditshme e njerëzve që merren me art, kulture, dhe gazetari. Kjo është jeta e përditshme. Do, s’do, nuk i shpëton dot frymës  së të përditshmes, si përjetohet. Në këtë kuptim, në kohën tonë jo të gjithë filmat ishin të doktrinuar, por edhe brenda politikës së çastit ne mundoheshim të fusnin shpirtin artistik, dhe punonim me pasion për ta realizuar çdo film me teknikën më të lartë.

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Noizy në kërkim nga autoritetet e Kosovës, Stresi tregon si nisi sherri: Ai na shan nga familja, unë nuk jam servili i askujt

Noizy në kërkim nga autoritetet e Kosovës, Stresi tregon si nisi sherri: Ai na shan nga familja, unë nuk jam servili i askujt