Kujtim Gjonaj: Ju tregoj
dokumentarin  për Margarita Xhepën

Kujtim Gjonaj: Ju tregoj<br />dokumentarin  për Margarita Xhepën
TIRANE- Nuk ka ndodhur shpesh që të realizohen dokumentarë për aktorët më mirë në të gjallë të tyre, por Margarita Xhepa është me fat. Regjisori Kujtim Gjonaj ka menduar t’i kushtojë një dokumentar. Si regjisor, skenarist dhe producent (i vlerësuar edhe me titullin “Mjeshtër i madh”), Kujtim Gjonaj shprehet se “nuk do t’ia lejoja vetes që të mungonte ndër veprat e mia, portreti i Margarita Xhepës”. Filmat më të preferuar të Gjonajt janë filmat portret. Pas viteve ‘90’, Kujtim Gjonaj ka qenë për një kohë drejtor i Alba Filmit dhe më pas krijoi një shtëpi prodhuese filmike, “Bota Shqiptare”, ndërmjet të cilës vazhdon krijimtarinë e tij profesionale.

Figurat më të shquara të kombit si Ali Pashë Tepelena, Faik Konica, Jeronim De Rada, Naim Frashëri, Nënë Tereza, Sulejman Pitarka, etj, kanë qenë personazhe të filmave të tij dokumentar. Kineasti Kujtim Gjonaj shprehet se, personazhe të tjerë të artit do të vazhdojnë të jenë pjesë e dokumentarëve. Kur e pyet pse ka përzgjedhur pikërisht Margarita Xhepën si personazh, Kujtim Gjonaj thotë se e ndjen detyrë të që të fiksojë dhe të seleksionojë vlerat më të bukura të imazheve të vendit të vet.

“Figura e Margaritës duhet të jetojë dhe të transmetojë mesazhet edhe tek gjenerata, prandaj e ndjeva detyrë t’ia kushtoja këtë dokumentar”, shprehet regjisori Gjonaj. “Aktorja e shquar Margarita Xhepa bën pjesë, jo vetëm në panteonin e aktorëve më të mirë, por edhe tek ata njerëz që janë më shumë se të mirë. Ajo më ka shprehur shumë-shumë mirënjohje për filmin. Ndihet e prekur nga kjo që po bëj për të dhe më këshillonte që të bëjmë një film sa më thjesht. Kaq e mirë është Margarita”, rrëfen Gjonaj i emocionuar nga bashkëpunimi me aktoren e shquar, duke shtuar se bashkëpunimi me të, ka qenë i frytshëm edhe për anëtarët e tjerë të ekipit.

Gjonaj nuk harron të përmendë edhe punën e skenaristes Angjelina Xhara dhe kameramanit Kristaq Janushi, etj. Premiera është menduar të shaqet më 2 prill në nderim të 80-vjetorit të aktores. “Kam kujtimet e mia më të bukura të jetës sime artistike” shprehet aktorja Xhepa rreth këtij filmi.
 
 Itinerari i filmit “Margarita”
 Filmi “Margarita” është dokumentari i parë që i kushtohet aktores së madhe shqiptare Margarita Xhepa. Regjisori i njohur Kujtim Gjonaj pohon se dokumentari do të sjellë për publikun jetën dhe aktivitetet artistike të aktores së njohur, ikonës së filmit dhe teatrit. Regjisori Gjonaj thotë se puna më e madhe është kryer dhe se tani është i përqendruar te montazhi. Ky dokumentar nuk do të përfshijë vetëm jetën e aktores, por edhe punën e pasionin, e gjithë brezit të saj.

Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, “Mjeshtre e Madhe”, është një aktore që ka luajtur mbi 150 role në skenën teatrore, një aktore që ka në bagazhin e vet mbi 33 filma artistikë. Sipas regjisorit, Margarita është një aktore që kudo që ka pasur evenimente në jetën artistike të Shqipërisë është prezente me recitimet e saj, me aktivitetin e saj artistik.

Nga Tirana në Divjakë, Lushnjë, Pogradec, Libohovë e deri në Akropolis të Greqisë, ky është itinerari që ka përshkruar dokumentari kushtuar Margarita Xhepës. Në të do të përfshihen meditime, interpretime të improvizuara enkas për dokumentarin, por dhe të nxjerra nga Arkivi i Filmit, të realizuara gjatë gjithë karrierës së saj artistike dhe rreth 30 intervista me njerëz të kulturës shqiptare. Ky film nuk ka financime nga QKK,por për realizimin e tij ka ndihmuar Bashkia e Lushnjës dhe pjesa tjetër është bërë me financime private.
 
 
Shkrimi u publikua sot (04.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar