Kujtime për intelektualin Dhimitër
Canco/Nga Dionis Bubani

Kujtime për intelektualin Dhimitër<br />Canco/Nga Dionis Bubani
“Xha Taqi” ka qenë gjithmonë një mik i familjes sonë. Boboshtari i mençur, që zotëronte pesë gjuhë të huaja, pasi mbaroi me nota të shkëlqyera Liceun e Korçës, nga fundi i viteve 20-të të shekullit XX shkoi në Rumani, ku ka qenë korrespondent i gazetës së rëndësishme “Shqipëria e Re”, e cila botohej në Konstancë.

Në fillim të viteve 30-të, u kthye në Shqipëri, ku hapi në qendër të Tiranës – librarinë ARGUS, që u bë shumë shpejt një qendër kulturore – një pikë takimi të shumë intelektualëve shqiptarë. Dhimitër Canco, me një orientim të theksuar perëndimor, sillte çdo ditë me avion nga Roma dhe Parisi gazetat dhe revistat më të rëndësishme italiane dhe franceze, së bashku me librat e autorëve më të shquar klasikë.

Në këtë mënyrë libraria ARGUS, e drita e kulturës perëndimore në Shqipëri.

Si mik i ngushtë me babanë tim, Gjergj Bubani, me të cilin kishte bashkëpunuar qysh në Konstancë, në gazetën “Shqipëria e Re”, “xha Taqi” vinte dendur në shtëpinë tonë. Kohët e fundit caktuam të dielën e çdo muajit kur kishim nderin ta kishim për darkë.

Ishte një kënaqësi e veçantë të bisedoje me këtë njeri erudit. Ai kujtonte Liceun e Korçës, Republikën e Korçës, Themistokli Gërmenjin (për të cilin shkroi edhe një monografi) dhe shumë ngjarje të tjera interesante.

Në një moshë të thyer, Dhimitër Canco, i lënë, padrejtësisht, pa pension, nuk ia shtriu dorën askujt, por e përballoi jetesën me forcat e tij duke dhënë mësime private, u mësonte gjuhët frënge, italiane, greke, rumune atyre që kërkonin t’i plotësonin dijet.

Parvjet më thirri drejtori i Shtëpisë Botuese TOENA, intelektuali Fatmir Toçi (komshi me “xha Taqin” për një kohë të gjatë) dhe më tregoi disa fletë të daktilografuara, të zverdhura prej kalimit të shumë viteve: i përkisnin vitit 1966.

Dhimitër Canco kishte krijuar një studim interesant rreth EPIRIT (vështrim historik dhe etnografik). Të ishte vepra e ndokujt tjetër, edhe mund të mos e merrja përsipër redaktimin, por përpara “xha Taqit” e pranova menjëherë këtë detyrë, që më duket se nuk e kam kryer keq.  Kur doli libri në qarkullim (një botim elegant, rreth 150 faqe), duke e rilexuar, sikur të isha një lexues i zakonshëm, m’u kujtua “xha Taqi”, i cili në fillim të vitit 1990, më thoshte:

- Banon në katin e tretë ... Sikur të banoje në katin e dytë sa mirë do të ishte. Këto shkallët e fundit janë të tepërta, mezi i ngjis...

Në moshën 86-vjeçare, zemra kishte filluar të jepte shenjat e para të lodhjes.

Në fillim të majit 1990, kur i shkova në shtëpi, vura re se ishte vrarë pakëz në ballë.

Se si u pengova në oborr, - më tha.Fatkeqësisht, dyshimet e mia u vërtetuan pas një jave. “Xha Taqi” nuk ishte penguar, por kishte pasur një goditje – si pasojë e ngritjes së tensionit.

Mjekët, që u thirrën urgjentisht, u përpoqën ta shpëtonin, por gjendja e tij keqësohej vazhdimisht.

Më kujtohet që mëngjesin e fundit e shpumë në një dhomë të vogël aty pranë, por me një dritare të gjerë.

Ashtu në kllapi, si ishte, më tha, duke vështruar dritën që hynte nga dritarja:

- Ç’është kjo mrekulli!? Sa dritë! Sa gëzim!
... Pas disa orësh i mbylli sytë përgjithmonë njeriu i cili një jetë të tërë, me të gjitha fuqitë, u përpoq të përhapte dritë, sa më shumë dritë!
 
 
Shënim: Kujtimet e shkrimtarit të ndjerë Dionis Bubani ishin lënë me shkrim dore dhe ruhen ende sot në familjen Canco. Po i sjellim të zbardhur sipas dorëshkrimit të Bubanit. 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ben Blushi: Çfarë kemi arritur në 112 vjet (një ilaç kundër pesimizmit)

Ben Blushi: Çfarë kemi arritur në 112 vjet (një ilaç kundër pesimizmit)