Kujtimet me mjeshtrin Kodra: “Kam
lindur në Ishëm unë. Jam ishmak"

Kujtimet me mjeshtrin Kodra: “Kam<br />lindur në Ishëm unë. Jam ishmak"
E mrekulluar prej artit, patriotizmit dhe mençurisë filozofike të tij do të shkoja përsëri në Milano në vitin 2002, ku do ta intervistoja për një dokumentar me emigrantët që bënë emër në vite përtej detit, në qytetin më të rëndësishëm  metropolitan  europian, Milano. Ibrahim Kodra ishte dhe një atdhetar i madh. Këtë e vërteton edhe  amaneti i tij i fundit, për t’u varrosur në atdheun e tij, në vendin ku ai lindi, vuajti dhe mori me vete imazhin e diellit mesdhetar që s`kish të perënduar. ..

Ishin ditët e para të marsit kur u ngjitëm në papafingon e tij, në katin e 6-të. Dera u hap nga Paridi, studenti nga Shqipëria, i cili atë kohë qëndronte pranë mjeshtrit. - Do të prisni pak se mjeshtri ka orarin e gjimnastikës - do të theksonte djaloshi simpatik, i cili do të na ndihmonte mjaft në realizimin e intervistës.
                   
- Mjeshtër (kështu preferonte t’i thërrisnin),  jam e mahnitur që jemi këtu me ju, në një ambient kaq të thjeshtë dhe shumë komod njëkohësisht, piktura, fotografi, medalione, relike të çmimeve dhe trofeve të fituara ndër vite, vegla muzikore, kafaze pëllumbash, lule, bojra, karrike prej kashte, mindere, kolltukë, tavolina e kavaleta pune, e çdo gjë në vendin e vet.
 
- Kam lindur në Ishëm unë. Jam ishmak. E Ishmi është afër Durrësit e Tiranës. Nga Kodra e Ishmit shihet Tirana, Durrësi, Lezha, Mamurrasi, Kruja dhe një pjesë e mirë e detit Adriatik, është vend i bukur apo jo.

A e dini atë historinë, se si u tha Skënderbeu ushtarëve të tij kur ishte për herë të parë atje. I mahnitur nga pamja lart në kodër ai thirri: Ou? Sa hijshëm! Dhe sa herë binte fjala për atë vend ai thosh, -atje te vendi hijshëm…. E kështu hijshëm, e hijshëm, i mbeti emri Ishëm, si sot. Skënderbeut i pëlqeu aq shumë ai vend, sa ngriti dhe Kalanë e tij aty në kodër, aty afër kam shtëpinë unë, Kodër Ishëm quhet.
         
- Para se të vinim këtu dhe të flisnim me ju, kemi lexuar dhe dëgjuar shumë. Cila është e vërteta e ardhjes suaj në Itali, mes shumë vuajtjesh dhe përpjekjesh, i mbetur jetim që në fëmijeri. Kush tjetër është pjesë e fatit tuaj.?
 
- Nëna Mbretereshë më kish premtuar se, kur të mbarosh maturën në Shqipëri, do të të dërgoj në Itali, në Artet e Bukura. Dhe vërtet kështu ndodhi. Së bashku me Buzën, Paskalin, Stamon e të tjerë, në fillim në Bari, në Romë e në fund në Milano në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera.
 
- Akademia “Brera” është ndër më të famshmet dhe të hershmet në botë, e cila ka nxjerë një numër të madh artistësh me famë botërore. Ju mjeshtër, si  arritët t’ja dilni mbanë, madje dhe të shquheni e të meritoni titullin “Ylli i Breras”?
 
- Pata fat, me thënë të drejtën. Kam punuar, por edhe shokët e akademisë më kanë ndihmuar e më kanë qëndruar shumë afër. Kur shkova atje ata me mua ishin shumë të mirë e shumë të butë. Profesoresha Eva Tea më ka ndenjur shumë pranë dhe më ka dhënë shumë këshilla e qortime, pasi vjen koha, thoshte ajo, që mbaron akademinë dhe mbetesh në rrugë pa punë, prandaj duhet të punosh shumë që të jesh dikushi. Këshillat e saj i pata gjithë jetën parasysh. Që kur isha i ri isha i kërkuar nga gazetarët dhe kritikët. Kur mbarova akademine shumë galeri më kërkonin. Nga një galeri e madhe, më modernia e Napolit, Brudi Pruse quhej, erdhën këtu për të më marrrë disa vizatime për një ekspozitë, gjithashtu një qendër e kulturës e quajtur “Akuila”, e Brindisit. Galeria “Kupola” nga Bolonja, galeria Marinia, më e madhja në Milano, galeritë e Venecias, ku, në të gjitha këto, unë hapa ekspozita pikture dhe kështu gazetat shkruanin përtej Parisit, gjithashtu edhe kritikët e artit.

ibrahim kodra

Në atë kohë lufte Partia Komuniste pruri në Milano poetin Pol Elyar për të recituar poezitë e tij përpara popullit. Aty Xhan Karlo Rigoreli, një kritik i madh letrar, më pati thënë mua të bëj një vizatim për Pol Elyarin, i cili do ta botonte atë në revistën “Molburi’’, ku ai ishte drejtor. Unë e bëra vizatimin dhe poshtë portretit kisha shkruar poezinë e tij ‘’La Guerra’’. Ishte kohë lufte, imagjino në Francë, aty poeti shkruante se nuk mund të dilte prej shtëpie se ishin guardiat (rojet) gjermane dhe bëri këtë poezi.

Pas dy ditësh ai erdhi dhe vizitoi studion time bashkë me dramaturgun Beniamino Opolo nga Sicilia që frekuentonte Via Brera Vois. Via Brera ishte me rëndësi, quhej Kartela Martine, atje ishin njerëzit më të mëdhenj të botës. Pol Elyar pasi pa punët e mia, doli me këto fjalë – Kodra është primitivi i fundit i një civilizimi të ri -. Këto fjalë i morën dhe i komentuan të gjitha gazetat e të gjithë kritikët e veçanërisht Sabiatore Vero në “Corriere De la Sera’’, i cili shkroi “Kodra dhe tri fjalet e Elyarit, me të cilat shkruhet një roman’’

ibrahim kodra
 
- Mjeshtër, meqë jemi te lufta unë shoh në albumin tuaj dhe në mure piktura të mrekullueshme, me mjerimet dhe shkatërrimet e luftës, ju në të gjitha kohët mbeteni modern dhe bashkëkohor.
 
- Në kohën e luftës bëra shumë vizatime, pasi ishte koha me shumë ngjarje në botë, punët e mia pëlqeheshin sepse shprehnin kohën. Në atë kohë punët e mia ishin të ndikuara prej ekspresionizmit francez. Gjithashtu bëra disa punime të inspiruara nga neoklasicizmi, p.sh. nga Goja e perfeksionova punën time. Në një kohë kur rrymat ishin “comunismo, marxismo e surealismo”. Shumë tablo janë të frymëzuara nga veprat e Heminguejt, Folknerit, Frederiko Garsia Lorkas, kurse këto pikturat këtu (tregon në mur) janë ilustrime nga vepra e Brehtit, “homazh për Bertol Breht’’.

- Ju mjeshtër keni qenë mik i ngushtë me Pikason, çfarë ju ndante dhe ju bashkonte me të? Dhe pse ju thonë “Pikaso i gjallë”?
 
 - Për ato çka ju tregova më lart, përsa i përket artit, megjithëse edhe në art ndryshonim në karakteret. Ai ishte rebel, por shpirtin e kishte të mirë. Unë mësova shumë prej tij. Çdo fundjavë unë shkoja me motorr nga Milano në Francë te Pikaso, e shpesh jo vetëm, në motorr merrja edhe shokë e shoqe me vete, shkonim si grup, për fundjavë dhe kalonim shumë mirë. Pikaso ishte natyrë rebele dhe i ndëshkonte femrat, ndërsa unë isha shumë xhentil me to.
Kam pasur shumë miq e shokë artistë si Dino Buxatin, Elyarin, Gutuzon, Kuazimondon, e shumë shkrimtarë, poetë, politikanë arkitektë dhe njerëz të thjeshtë me të cilët kalonim kohë të gjata bashkë dhe unë u tregoja shumë herë për vendin tim, për Shqipërinë dhe i thoja se asht nji vend i bukur sa s`ka ma.

ibrahim kodra

- Mjeshtër çmime e trofe pa fund nga e gjithë bota. Po kjo medalja “Milanezi i Artë” që jua dorëzon Kryetari i Bashkise Gabriele Albertini, në konkursin komëtar për arkitekturën? Edhe arkitekt jeni ju? (fotot me mbishkrime në mur).
 
- Jo nuk jam arkitekt, por pjesë e arkitekturës. Qytetet e sotme, e në veçanti qyteti i Milanos, janë qytete muze, të gurta, të larta e pa ajër e gjelbërim. Qyteti që kam paraqitur në konkurs është në një kodër me rrugë e ndërtesa të ulëta e me shumë gjelbërim.
 
-  Po ky gur i gdhendur këtu, pse e keni quajtur “guri i jetës”?
 
- Ti e di se ne e kemi traditë që kur vdesim, te koka si shenjë na venë një gur, një gur të sheshtë apo të rrumbullakët, ku shkruhet emri dhe  sytë të mbeten në atë gur, sikur aty fshihet e tërë jeta, sikur aty shihet si në televizor e gjithë jeta e gjatë apo e shkurtër qoftë ajo, një copë gur që flet për atë që prehet. Kjo tregon se njeriu është i fortë si guri, e guri ku ai shkel e ndërton, është vetë jeta.

Dhe unë këtu kam gdhendur fragmente të jetës sime, qytetin e lindjes e gjithcka që ka bërë thelbin e jetës sime, pra “guri i jetës”
 
- Mjeshtër, kur keni qenë së fundmi tek gurët e jetës?
 
 - Herën e fundit kam qenë në vitin 1996, kur Presidenti i Republikës Sali Berisha më dekoroi me medaljen “Nderi i Kombit” (tregon fotografinë madhe të varur në mur). Ka qenë një gëzim dhe një nder i madh për mua dhe për gjithë punën e jetës time. Atëhere vizitova dhe Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, jam kënaqur shumë që ata kanë cilësi të mira dhe pasion për artin, por duhet me punu, me pa botën, me reflektu,  janë tri fjalë - Me punu - me lëvru- me korr.
 
 
-Ju në Itali jeni pagëzuar në fenë kristiane, por emrin e mbani përsëri Ibrahim Kodra. Si ka mundesi, ky është një përjashtim i rrallë për rregullat e fese kristiane.
 
- Edhe fenë, edhe emrin i kam për të qenë përbrenda identitetit tim.

 - Pse s’jeni martuar mjeshtër, me gjithë këto artiste rrotull, me gjithë këto mike të mrekullueshme që ju adhuronin, i ri, i bukur, i famshëm? (duke treguar fotot që kishte në mure)

 - Kisha shumë mike që më adhuronin dhe më deshën shumë dhe po të martohesha me njërën do të largoheshin të tjerat. Pastaj, familja është shumë e rëndësishme dhe kërkon përkushtim dhe s`ka më shoqëri e aktivitete dhe punë pa fund, dhe unë zgjodha këtë rrugë.
 
- S’ju tremb vetmia?
 
 - Nuk jam kurrë vetëm, jam gjithmonë me shokë e miq. Të gjithë më duan dhe më respektojnë, te shumë prej tyre jam pjesëtar i familjes, ja si te Fatosi, Timi e të tjerë.
 
 - Mjeshtër, po nga vdekja keni frikë?
 
 - Jo. Pse të kem frikë, njeriu fillon të vdesë sapo lind, çdo ditë që kalon në jetën tonë a nuk të çon drejt vdekjes?
         
Por unë kam pa mbramë nji andërr, sikur isha në nji pyll duke ecur dhe më doli përpara një grua e veshur me të bardha si Zanë, e më tha mu. - Ti Ibrahim do të jetosh 125 vjet, unë hapa sytë, Zana kishte fluturu. Si mendon ti, ç`asht kjo andërr?
 
 - Patjetër që do të jetosh shumë, aq sa tha Zana mjeshtër (Kuptova se ai e donte shumë jetën pavarësisht viteve që kish jetuar).  
 
Na kanë treguar për ndihmat humane me të cilat ju keni kontribuar shumë kohë më pare, por edhe tani. Keni mbajtur edhe studentë shqiptarë në shtëpi.
 
- Dikur njerëzit më kërkonin para për të hapur dyqane e klube të ndryshme dhe më vonë kur s’kishin të m’i kthenin,  miqtë e mi, njerëz të varfër, emigrantë, hanin ushqim tek ata me një firmën time. S`ka shumë kohë që kam qenë iniciatori kryesor i restaurimit të “Teatrit Masimo’’, në Palermo, ku me pikturat e riprodhimet e “12 muzikantëve’’ të Teatrit Masimo u restaurua pothuajse i gjithë teatri. Artisti nga vetë natyra është human, ndryshe ç`u kuptua se je njeri i ndjeshëm e artist ndryshe nga të tjerët Cilido mund të kontribojë në mënyrën e vet. Dhe unë iu përgjigja thirrjes së Kryetarit të Bashkisë Leoluka Orlando. Ai, kur u inaugurua teatri, përshëndetjen e tij e nisi me fjalën shqipe “Urime’’, kjo është fjala e pagëzimit shqiptar. Kjo ishte një kënaqësi për mua si artist dhe si shqiptar, ne jemi bujarë apo jo.
         
*Pjesë nga intervista e marrë për një dokumentar nga regjisorja Nadire Buzo

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet parlamentare 2025, sipas jush si duhet të votojë diaspora?



×

Lajmi i fundit

'Shkolla Emin Duraku, xhevahiri më i ri që i shtohet Tiranës', Veliaj: Me standardet më të mira për 1200 nxënës dhe mësues

'Shkolla Emin Duraku, xhevahiri më i ri që i shtohet Tiranës', Veliaj: Me standardet më të mira për 1200 nxënës dhe mësues