Kujtimet/ Udhëtim në botën e teqeve të braktisura bashkë me Jashar Qemalin

Kujtimet/ Udhëtim në botën e teqeve të braktisura bashkë me Jashar Qemalin

Dritero Agolli dhe Jashar Qemali

Nga Dritëro Agolli

1.

Dymbëdhjetë vjet më parë në Shqipëri, me mikun tim, shkrimtarin e madh turk dhe një nga romancierët e shquar botërorë, Jashar Qemal, duke shkuar për në hotelin e gjuetisë në Lezhë, u ndalëm në Fushë Krujë, atje në vendin e teqesë me qiparisë e pemë. Ishte maj dhe gjelbërimi harbonte.

- Çok gjyzel! – bëri Jashar Qemali, që shqip do të thotë “shumë bukur”!

- Këtu ka qenë një teqe, Jashar bej, i thashë.

Ai, i gjatë si div, me një sy dhe me shpatulla si shkëmb, shtrëngoi nofullën e rëndë me dorë dhe psherëtiu:

- Gjynah!

Pas fjalës “gjynah” edhe ai heshti, edhe unë heshta.Të heshtur u futëm në makinë dhe vazhduam rrugën për në hotelin e gjuetisë të Lezhës. Në hotel, kur ishte shtruar tryeza dhe ne ishim ulur, e pyeta:

- Jashar bej, pse the “gjynah” atje përballë kopshtit të teqesë?

Jashar Qemali mori pacetën dhe fshiu fytyrën e djersitur si një baba teqeje

Ah,- tha-, teqetë kanë qenë gjëra të bukura. Ato nuk ishin vetëm gjëra të shenjta, por edhe konakë mikpritës. Kthehej udhëtari i lodhur natën. E prisnin dervishët dhe vetë babai. Tregoheshin histori, këndoheshin vjersha, ngriheshin dolli për mysafirin, i uronin udhë të mbarë...Ah teqetë! Gjynah që i kini prishur!

Unë deri atëherë nuk e dija që Jashar Qemali qënkesh një njohës i madh i bektashizmës, i besimit, i moralit dhe i zakoneve të këtij sekti të çuditshëm. Madje nuk e dija se ai kishte ndërmend të shkruante një libër për bektashinjtë. Ka kohë që nuk e kam takuar për ta pyetur, nëse e ka shkruar këtë libër. Një gjë di, që ai kërkonte nga unë histori teqesh, baballarësh, myhipësh dhe zakonesh te familjeve bektashiane Pse kërkon nga unë për bektashinjtë?- e pyeta Ai qeshi  E di, e di që je komunist, por kam lexuar novelën tënde të përkthyer edhe në frëngjisht e italisht “Lamtumirë, kapedani im”! Atje është personazh simpatik edhe një baba teqeje. Gjyshërit e tu duhet të kenë qenë bektashinj! He-he! Mos m’u fshih! -dhe qeshi përsëri me zë të lartë.

Unë mora në tryezë gotën, e shtrëngova me të katër gishtërinjtë dhe gishtin e madh e mbajta të ngritur mbi buzën e gotës Bromb Jashar Bej!

Jashar Qemali e hapi të vetmin sy sa një arrë, u ul në gjunjë para meje, ma mori dorën dhe ma puthi, duke thënë

-   Hejvallah, baba!

U ngrit dhe shtoi:

-Të zura! Kështu e mbajnë gishtin e madhe mbi buzën e gotës vetëm bektashinjtë, që do të thotë: “Në te gjitha gjërat perëndia! Të zura!”

– përsëriti Jashar Qemali, ky turk i zgjuar me emër botëror.

Ai nuk gabonte. Gjyshi dhe gjyshja ime ishin myhipë bektashinj. Të takseshe, domethënë të bëheshe myhip, duhet të rridhje nga një oxhak i ndershëm, me moral të lartë, të kërkoje drejtësi, të ishe human, të mos gënjeje dhe të synoje drejt së vërtetës, ta mbaje shtëpinë të pastër si shpirti dhe të mos lodheshe nga miqtë. Me të ligun të mos ngroheshe në një vatër.

2.

Jashar Qemali kërkonte të dinte nga unë për familjen bektashiane shqiptare. Por atij as i shkonte në mendje, që tek ne pak studime ose të themi aspak ka pasur për bektashizmën dhe për zakonet dhe moralin e familjeve që i përkisnin këtij sekti. Edhe unë në këto shënime mbështetem vetëm në ato që mbaj mend nga e kaluara e familjes sime dhe e familjeve të tjera, me të cilat kishte marrëdhënie shtëpia jonë. Nuk pretendoj të kem njohuri të thella, megjithëse kam lexuar për fushën e Qerbelasë, për luftën e Aliut me Mavijën, për Haxhi Bektash Velinë, themeluesin e Bektashizmës. Kam qenë edhe ne qytetin Haxhi Bektash në veri të Turqisë, siç kam qenë edhe në Konia, në Yrgyp, në këto qendra të shumë sekteve mistike fetare të Turqisë. Por siç thashë, nuk marr përsipër të shkruaj ndonjë gjë me pretendime shkencore historike, pasi i vështroj dukuritë vetëm si një shkrimtar kurioz, që ka origjinën nga një familje me kahje mistike, si një shkrimtar i larguar prej kohësh nga kjo shtëpi dhe i përzier me shume rryma ideologjike e filozofike. Ndërkaq edhe mua më lejohet të hidhem pakëz në të kaluarën bektashiane dhe të kujtoj pa mbajtur asnjë anësi.

Dhe kështu familja bektashiane në vështrimin tim vetjak, doemos është si gjithë familjet e tjera shqiptare dhe ka po ato zakone dhe po atë konstitucion shpirtëror, veç bart edhe disa veçori të formuara nga vetë morali bektashian. Vetë perceptimi i zotit në mënyrë individuale, vetë trajtimi i tij me një bazë brenda natyrës dhe jo jashtë saj, domethënë që zoti ndodhet brenda njeriut, brenda luleve, brenda pemëve dhe brenda qenieve, e çlironte familjen nga fanatizmi i rëndë dhe i jepte mundësinë asaj të arsyetonte dhe të kuvendonte për shumë gjëra pa frikë se ndonjë mbifuqi e llahtarshme do ta mallkonte. Duke e parë zotin brenda natyrës, ata krijuan kultin e Tomorit. Në Tomor zu vend Abaz Aliu. Në Tomor është zoti. Atje bëheshin dhe festat. Pra, duke nisur nga ato që thashë pak më lart, në familjet bektashiane njerëzit kishin çuditërisht një barazi të vetëdijshme, barazi midis burrave e grave, në mes të mëdhenjve e të vegjëlve, pasi tek të gjithë brendapërbrenda ndodhej zoti. Por këtë zot secili e përfytyronte sipas mendimit të tij, sipas ndjenjës së vet. Dhe ishte mëkat, fjala vjen, të rrihje një grua apo një fëmijë, pasi rrihje vet zotin që fshihej në trupin e tyre. Kjo e bënte familjen bektashiane të kërkonte harmoninë jo vetëm në mes frymëve të saj, por edhe midis orendive e sendeve, për vendosjen e tyre pastër dhe bukur, pa rrëmujë e pa çrregullsi. Madje edhe kur pyetej njëri, nuk përgjigjej tjetri që nuk ishte pyetur. Kur përgjigjej pa pyetur, i kujtonin fjalët e Nizamiut, poetit të madh persian “Mos u përgjigj pa u pyetur, sepse e pret xhevahirin e fjalës me sopatë”. Në familjen bektashiane, brenda barazisë, respektoheshin veçanërisht gjyshi dhe gjyshja, aq më tepër kur ata ishin myhipë. Dhe nuk kishin si të mos respektoheshin kur ata vinin shpesh në teqe, në tempullin e perëndisë, takoheshin me babanë dhe me dervishët. Ata kur ktheheshin tregonin sesi i kishte pritur babai i teqesë dhe çfarë fjalë të mençme u kishte thënë. Më kujtohet njëherë, kur erdhi gjyshi nga teqeja (teqeja e Kuçit të Devollit që kishte baba Ahmetin, në mos gaboj në vitet ’30 dhe në mes të viteve ’40-të). Pra, më kujtohet se gjyshi kishte folur me baba Ahmetin, ndër të tjera, edhe për diturinë apo për injorancën dhe padijen. Dhe njëri që ishte ndodhur atje kishte thënë se i trembej diturisë dhe të diturve. - Pa kur iu përvesh baba Ahmeti dhe i tha: “Kush ka turp nga drita, përqafon errësirën” – tregonte gjyshi çuditë e baba Ahmetit me një shprehje të mallëngjyer në fytyrë. Pikërisht kjo frymë e diturisë dhe e urtësisë vinte edhe në familjen bektashiane. Fëmijët nxiteshin të mësonin dhe të shkonin në shkolla. Po të kishte mundësi edhe në shkolla të larta, se nuk është turp të bëhesh lypsar i diturisë, siç thoshte Haxhi Bektash Veliu dhe siç kërkonte ngaherë Naim Bej Frashëri, që në familjen bektashiane librat e tij ishte në krye të vendit. Nuk kishte familje me frymën e këtij sekti që të mos dinte përmendësh vjershat e Naim Frashërit. Nga të gjitha vjershat e tij zgjidheshin për t’u mësuar përmendësh edhe ato patriotike, edhe fetare, edhe ato të dashurisë. Vjershën e mahnitshme “Abaz Aliu” e dinim të gjithë ta recitonim që fëmijë:                                             

Engjëll që m’u qase pranë,

Nga i madhi Zot,

Pse më rrëfen Qerbelanë?

A do të derdh lot?

Unë vjershat e Naim Frashërit i kam mësuar përmendësh në shtëpi pa shkuar në shkollë, pasi i dëgjoja kur i këndonte gjyshi, gjyshja, baba Ahmeti, im atë dhe xhaxhallarët. Pale, kur vinte në shtëpi baba Ahmeti, pastë ndjesë, bëhej vërtetë mbrëmje letrare, pasi këndoheshin edhe vjersha nga Nezim Berati, nga Hasan Zyko Kamberi edhe nga Sali Butka! Edhe baba Ahmeti i recitonte përmendësh pa e hequr tacin nga koka. Babai e heq tacin vetëm kur mallkon ndonjë të lig dhe katil!

3.

Tek ia tregoja Jashar Qemalit këto që po shkruaj dhe të tjera më tha:

-          Agolli bej, pse nuk shkruan një libër për bektashinjtë?

Unë qesha. Ai dinte shumë gjëra nga realiteti ynë i atëhershëm. Pritja e bujshme që iu bë nga shkrimtarët dhe rrethet e tjera kulturore-artistike, jo partiake-shtetërore, e hutoi megjithëse si njeri i zgjuar, realitetin tonë e ndjeu.

- Eh, pastaj... –bëra të flas unë.

- Nuk ka gjë që nuk je besimtar vetë. Ti mund të shkruash pavarësisht bindjeve të tua. Edhe ata që nuk janë besimtarë, bektashizma i pranon.

Pastaj shtëpia juaj ka besuar në bektashizmin – ma preu fjalën Jashar Qemali.

- Vështirë, vështirë, Jashar bej! – i thashë dhe shtova:- E di, Jashar bej, se emrin ma ka vënë baba Ahmeti i Kuçit?

- Ah! –bëri Jashar Qemali dhe u ngrit në këmbë nga tryeza me gotën në dorë,me gishtin e madh mbi buzët e saj, siç i mbajnë bektashinjtë:

- Bromb, për ty dhe për shpirtin e baba Ahmetit! – shtoi ai dhe e piu.

Ai u ul, fërkoi të vetmin sy me dorën e madhe.

Dhe vërtet, emrat në familjet bektashiane zakonisht i vinte babai i teqesë. Kur linda unë, siç tregonte nëna ime Hatixhe, ndjesë pastë, baba Ahmeti nuk ishte, pasi kishte shkuar në Tiranë në Kryegjyshatë, tek Dedeja, domethënë te kryegjyshi. Një javë apo dhjetë ditë mbeta pa emër. Gjyshi, Nesimi, edhe ky ndjesë pastë, ngulte këmbë se duhej pritur sa të kthehej baba Ahmeti

  Pa baba Ahmetin nuk vihet emri, punë që nuk bëhet! – thoshte gjyshi im Nesim, sipas tregimeve të nënës sime. Me t’u kthyer baba Ahmeti, shtëpia jonë gjëmoi nga zijafeti dhe këngët. Baba Ahmeti erdhi së bashku me dervish Alinë, mikun e gjyshit dhe ndihmësin e vetë babait.

U mblodhën burrat myhipë të fisit tonë dhe kushurinjtë e parë e të dytë të gjyshit: Xha Haliti, xha Neimi, xha Qamili e plot të tjerë, që unë tani mezi i kujtoj nga tregimet e nënës, pasi ishin në moshën e gjyshit. Kur u shtrua në sofër bakllavaja, baba Ahmeti i shëndetshëm, me tasin gjysëm jeshil, u ngrit në këmbë dhe thirri tri herë:

“Dritëro, Dritëro, Dritëro!” – dhe iu kthye të gjithëve:-Thërrisni dhe ju “Dritëro!”. Dhe të gjithë thirrën me zë të lartë emrin tim, emrin që kam sot. Nënës i vinte turp dhe nuk thërriste. Atëherë baba Ahmeti e kapi për krahu dhe i tha të thërriste edhe ajo. E ndjera nënë, thirri për një emër që nuk e kishte dëgjuar kurrë! Baba Ahmeti ishte i çuditshëm.

Kur u rrita fillova të flas, e mora vesh se baba Ahmeti ma kishte vënë emrin dhe në shtëpinë tonë krenoheshin me këtë gjë. Dhe ndofta emrin e baba Ahmetit e mësova ta shqiptoj nga të parët. Por një ditë u zura keq me atë. Gjyshi më dha një shqerrë mashkull që ta rritja si manar.

Manari kur mësohet, të ndjek pas, vjen në sofër me ty, fle me ty. Unë e mësova këtë manar, e rrita, e bëra dash dhe nuk e dija se ç’e priste të shkretin. Gjyshi një mëngjes më tha se manarin do ta bëjmë kurban në teqenë e baba Ahmetit, që të ka vënë emrin. Nuk e dija kuptimin e fjalës Kurban  Do ta therim në shkallët e teqesë!- tha gjyshi. - Do ta therim që ti të rritesh e mos të të gjejë gjë.

Dhe e shpumë me gjyshin manarin në teqe. Dy dervishë, njëri dervish Aliu dhe tjetri nuk më kujtohet, e shtrinë manarin në shkallën e fundit të teqesë dhe e therën. Erdhi baba Ahmeti. Qëndronte ne krye të shkallëve. Unë, nëntë vjeçar, iu lëshova dhe doja t’ia grisja dollomanë. Babai duke qeshur u ul të më kapte dhe papritur u rrokullisëm të dy nëpër shkallët e teqesë deri tek manari i therur.

Kjo ishte zënka e parë me baba Ahmetin. Zënkat e tjera me baballarët ishin ideologjike. Këto radhë për emrin unë nuk i tregoj për t’ua bërë të njohur njerëzve historinë e jetës time. I shkruaj për të treguar se familjet bektashiane kishin një regjim apo më mirë një rend mjaft iluminist dhe liberal në kuptimin pozitiv të kësaj fjale. Baballarët e teqeve, në të shumtën e rasteve, kërkonin emra shqip, emra me kuptim dhe ndonjëherë të formuar nga gjuha shqipe. Këtu tregohet jo vetëm iluminizmi i tyre, por edhe ndjenja e një patriotizmi të thellë të kulturuar. Madje edhe në martesat kërkohej ai oxhak nga i cili të dilte “tymi i ëmbël”, domethënë, “edhe tymi i atdheut është i ëmbël”.

Nuk kishte rëndësi, nëse ky oxhak ishte i pasur apo i varfër, i kësaj feje apo i asaj tjetrës. Mjafton që oxhakun ta kishin ndërtuar fisnikët dhe të ndershmit. Stërgjyshja ime, fjala vjen, ishte ortodokse. Stërgjyshi Mehmedaj, ishte Myhip, por nderi myhip nuk e ndalonte të martohej me një “kaurkë” nga qyteza e Devollit, nga oxhaku i Donove. Mbiemri Dono është ende në qytezë. Një lidhje të tillë e lejonte vetë bektashizmi. Për bektashizmin edhe apostujt e krishterë apo hebrej, janë hazretë. Krishtit i thonë hazreti Isa, Solomonit të hebrejve i thonë hazreti Sulejman, siç i thonë Muhametit, hazreti Muhamet dhe të gjithë i respektojnë dhe i nderojnë. Pandershmëria, djallëzia, hipokrizia, keqdashja dënohen rëndë nga familja bektashiane. Unë shpesh dëgjoja tim atë tek përsëriste fjalët e urta të Haxhi Bektash Veliut: “Mos u shoqëroni me lapangjozët dhe gënjeshtarët, pasi edhe se nuk molepsi prej tyre do të vini në siklet shpirtin tuaj”.

3.

Njëherë ndodhi kështu. Një nga të afërmit e mi, nga ana e gjyshit (nuk dua t’ia përmend emrin) ishte tepër dredharak dhe hileqar. Të dy me gjyshin ishin myhipë. Hileqari nuk e meritonte emrin e myhipit. Por ç’t’i bësh, hileqari kishte mundur të bëhej myhip! Në fshat ai bëri mjaft hile e dredhi për punë toke. Gjyshi u zu rëndë me të dhe i tha: “Haram që je myhip!” Erdhi baba Ahmeti në fshat.

Hileqari u zu dhe me baba Ahmetin. Atëherë baba Ahmeti e hoqi tacin nga koka dhe e mallkoi. Për çudi, ndofta ishte rastësi apo edhe nga tronditja, hileqarit i ra damllaja dhe ia mori gjysmën e gojës dhe gjysmën e trupit. Në fshat thoshin se e zuri mallkimi i baba Ahmetit.

Gjyshi nguli këmbë që hileqarit t’i hiqej titulli i myhipit, por baba Ahmeti kundërshtoi:

- Ah more Nesim,titullin ia hoqi Haxhi Bektash Veliu, se ia dërgoi damllanë dhe ia mori gojën, dorën dhe këmbën! Gjynah, ç’t’i marrim më shumë, le të jetë myhip!

- Allahu është i madh! –tha gjyshi!

Baba Ahmeti qeshi dhe siç tregonte im atë rrëfeu një histori të vogël.

Historia është kjo: “Një bektashi kishte hipur në një shkëmb, që binte thikë në det. Kishte mbetur atje dhe nuk mund të zbriste. Nën shkëmb në det ishte një varkë e madhe. Një kalimtar hebre e pa bektashinë e dhe i thirri: “Bektashi, hidhu në varkë, se Allahu është i madh”

Bektashiu iu përgjigj: ”Allah byhyk, ama kaik kyçyk!” që do të thoshte

shqip: “Allahu është i madh, por varka është e vogël”! Baballarët ishin njerëz me humor dhe shpesh bënin shaka, veçanërisht baba Ahmeti.

- Ah more Nesim,titullin ia hoqi Haxhi Bektash Veliu, se ia dërgoi damllanë dhe ia mori gojën, dorën dhe këmbën! Gjynah, ç’t’i marrim më shumë, le të jetë myhip!

- Allahu është i madh! –tha gjyshi!

Baba Ahmeti qeshi dhe siç tregonte im atë rrëfeu një histori të vogël.

Historia është kjo: “Një bektashi kishte hipur në një shkëmb, që binte thikë në det. Kishte mbetur atje dhe nuk mund të zbriste. Nën shkëmb në det ishte një varkë e madhe. Një kalimtar hebre e pa bektashinë e dhe i thirri: “Bektashi, hidhu në varkë, se Allahu është i madh”

Bektashiu iu përgjigj: ”Allah byhyk, ama kaik kyçyk!” që do të thoshte

shqip: “Allahu është i madh, por varka është e vogël”! Baballarët ishin njerëz me humor dhe shpesh bënin shaka, veçanërisht baba

5.

Ato ditë kur ishte Qemal Jashari, përveç kuvendimeve për letërsinë shqipe dhe turke, folëm shpesh herë dhe për bektashizëm. Por edhe me gazetarë të huaj flisnim në ndonjë rast. Po atë vit erdhi në vendin tonë një shkrimtar dhe publicist italian, Mario Biondi. Unë e shpura në Devoll, në një festë përkujtimore antifashiste. Atje i fola dhe për bektashizmin. Për dreq ai shkroi në revistën “Espresso” të Italisë një artikull për Shqipërinë, ku krahas të tjerave, më përmendte dhe mua si një bektashi të mbaruar. Artikullin e përktheu ATSH-ja, si çdo shkrim që fliste për Shqipërinë. Drejtori i atëhershëm i ATSH-së, Arqile Aleksi, që të mos më dëmtonte mua, e hoqi nga shkrimi pjesën ku Mario Biondi më quante bektashi, por kishte dhe kanale të tjera ku përkthehej shkrimi dhe Arqilenë e thirrën në drejtorinë e shtypit në KQ të PPSH dhe i hoqën vërejtje për ndryshime në ato që shkruan bota për ne. Sigurisht dhe mua më thirrën, ndërsa Mario Biondit iu vu vizë e kuqe si mik i Shqipërisë dhe iu ndalua të vijë, pasi kishte nxjerrë edhe varfërinë e Shqipërisë, disa dallime në mes të popullit të thjeshtë dhe pushtetarëve, megjithëse artikullin e kishte shkruar me dashuri për vendin dhe popull

Po ti duhet të shkruash për bektashinjtë dhe bektashizëm, Agolli bej!-përsëriste Jashar Qemali tek i tregoja dhe për kushëririn tim Muharremin, që këndonte bukur këngët e bektashinjve dhe që kishte shërbyer në teqe deri sa ishin mbyllur ato.

Ishte e vështirë të na e kuptonte i madhi Jashar brendësinë e shpirtit tonë të komplikuar. Por ndofta ndonjëherë do të ulem dhe do të shkruaj, pasi të kem bërë dhe studime, duke i lidhur me kujtimet e hershme, kur të vëmë magnetofonin me incizimet e këngëve të Muharremit që i këndonte në shtëpinë time në vitet ’80 dhe na vinte si mik nga Bilishti. Ndofta do arrij të jap shpirtin e ndërlikuar të shqiptarit gjatë disa periudhave, ndofta..., ndofta pas një periudhe më të qetë, pa tensione politike e sociale...

(Botuar për herë të parë më  6 prill 1995)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë