FJALA E PLOTË E LULZIM BASHËS NË KUKËS:
Të dashur dhe të nderuar nismëtarë e themelues të degës së Partisë Demokratike në Kukës,
Të dashur demokratë dhe demokrate të Kukësit, anëtarë, drejtues, z. kryetar, të nderuar deputetë të Qarkut të Kukësit,
Të dashur të rinj e të reja, anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike që duket edhe sot këtu, jeni shumicë, ashtu siç i ka hije një partie të madhe dhe me të ardhme të madhe, siç është Partia Demokratike.
Zonja dhe zotërinj,
Plot me mirënjohje dhe nderim të thellë, me lejoni t’iu uroj festën e 23 vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike në Kukës. Jam i bindur se kjo nuk është vetëm mirënjohja ime, por e gjithë demokratëve të Shqipërisë për demokratët e Kukësit.
Partia Demokratike ka pasur që prej fillimit, dhe vazhdon të ketë sot e gjithë ditën në Kukës dhe anë e mbanë kësaj treve, një bastion të fuqishëm të saj, në ditë të mira e në ditë të vështira.
E treguat edhe në zgjedhjet politike të vitit të kaluar.
Ju dhe zgjedhësit tanë në gjithë qarkun e Kukësit, qëndruat të bashkuar dhe të kthjellët përballë makinës së mashtrimeve elektorale të Edi Ramës, përballë shitblerjes dhe pazareve të ndyra me votën, që vunë në veprim kundërshtarët tanë të së majtës.
Demokratët e Kukësit, qytetarët dhe zgjedhësit tanë këtu nuk u turbulluan nga mashtrimet, nuk u thyen, nuk u mundën.Përkundrazi: ju sollët dhe mandatuat të njëjtin numër numër deputetësh në Kuvendin e Shqipërisë, si në vitin 2009, duke dëshmuar se ndryshe nga sa predikojnë partizanët e shitblerjes së votës me para të pista dhe me mashtrime elektorale, ekziston dhe do të ekzistoje gjithmonë në Shqipërinë demokratike, votuesi i lirë, votuesi i ndërgjegjshëm, votuesi i përgjegjshëm, votuesi që sheh punën dhe jo gunën, që gjykon veprat dhe jo fjalët.
Këta janë qytetarët. Ky është elektorati ku kemi mbështetur e do të mbështesim gjithnjë shpresën, vendosmërinë dhe besimin tonë të patundur për të qenë parti e punëve dhe veprave konkrete, parti e fjalëve të mbajtura, parti e votës së lirë.
Ky është kursi që vendosëm që nga dita e parë, me liderin e studentëve dhe tribunin popullor, Azem Hajdarin. Ky është kursi që ndoqëm në 23 vite, në pushtet dhe në opozitë, gjithmonë përgjegjës për transformimet më të mëdha në jetën e shqiptarëve, nën lidershipin historik të kryetarit tonë historik, Sali Berisha.
Asnjë rrethanë nuk do të na lëvizë nga ky kurs. Përkundrazi, sot bashkë me falënderimet e përzemërta, e ndjej për detyrë t’i siguroj demokratët kuksianë dhe votuesit e koalicionit tonë në qarkun e Kukësit se vetëm do ta forcojmë këtë tipar të partive moderne të qendrës së djathtë, për të qenë parti e qeverisë së vogël dhe punëve të mëdha, ndryshe nga qeveria e mashtrimeve të mëdha që qeveris sot Shqipërinë.
Kukësi ndërkaq gëzon sot respektin e gjithë shqiptarëve me botëkuptim demokratik, të majtë, të djathtë apo pa parti qofshin, për zgjedhjet e lira e të ndershme që ka zhvilluar.
E mbani mend, kërkesën për rinumërim votash në qarkun e Kukësit me insistimin e kundërshtarëve tanë të majtë? Pse u bë kjo kërkesë? Pse u inskenua ky rinumërim?
Sepse kundërshtarët tanë kishin llogaritur të damkosnin Partinë Demokratike në qarkun e Kukësit dhe në mbarë Shqipërinë, duke shkuar me mendimin, ose më mirë me fiksacionin e tyre se këtu në Kukës nuk votohet, por vetëm manipulohet dhe vidhet vota për llogari të Partisë Demokratike.
Diabolizimi i kundërshtarit, duke i veshur të gjitha të këqijat është dhe mbetet mentaliteti i kundërshtarëve tanë.
U bë rinumërimi dhe kjo faktoi se demokratët e Kukësit, se qytetarët e Kukesit, se PD dhe koalicioni i saj, kishin menaxhuar një proces të drejtë dhe nuk ishte prekur asnjë votë e vetme e kundërshtarit tonë politik, madje kishin vjedhur ata 9 vota.
Ky është standardi ynë. Ky ishte standardi ynë, dhe ky mbetet standardi ynë. Për këtë, mirënjohja në radhë të pare, shkon për ju demokratët e Kukësit dhe PD-ne e degës Kukës. Ata, e patën rastin ta tregojnë shumë shpejt standardin e tyre.
Për 8 vite me radhë u çorrën shesheve dhe rrugëve, në përpjekjet e tyre të dëshpëruara për të ndaluar procese historike si heqja e vizave, apo në përpjekjen e tyre fatkeqe për të ndalur në opozitë procesin e statusit të Shqipërisë.
U çorrën për votën e lirë dhe e patën rastin ta vërtetojnë që në muajin e parë qe erdhën ne pushtet se ç’është për ta, vota e lirë. Zgjedhjet e Korçës dhe 2 mijë lekëshi janë standardi i tyre. Këto janë dy standarde përballë njëri-tjetrit. Standardi ynë në këtë bastion tonin, është standardi i numërimit korrekt, i zgjedhjeve të lira, i zgjedhjeve të ndershme, i votimit si një e drejtë themelore e patjetërsueshme e çdo qytetareje e qytetari të lirë, ndërsa standardi i tyre është shitblerja e votës.
Korruptimi përmes 2 mijë lekëshit, jo i çdo qytetari, por korruptimi i shpirtit të të rinjve, është vepër monstruoze që duhet dhe do të ndëshkohet jo vetëm nga sistemi i drejtësisë, por nga mbarë qytetarët shqiptarë në rastin më të parë.
E dëgjuat se si në fjalën e fundvitit tha se qeveria e tij do të matet dhe krahasohet me ish-qeverinë tonë. Këtë po i kërkojmë edhe ne. Asgjë më shumë. Duam të matet me qeverisjen tonë të mëparshme. Do të duhet të matet, nuk ka rrugë tjetër veçse të matet dhe në fakt i gjithë kuptimi i rrotacionit politik është jo vetëm të matet por edhe të na e kalojë.
Përndryshe ç’kuptim dhe sens ka rrotacioni?! Por me çfarë do të matet? Do të matet me shkollat që kemi ndërtuar ne, dhe do të duhet të ndërtojë të paktën një shkollë më shumë. Do të matet me rrugët që kemi ndërtuar ne, dhe do të duhet të ndërtojë të paktë një rrugë më shumë. Një kilometër më shumë, 100 metra më shumë, 1 metër më shumë. Do të duhet të matet me rritjen e rrogave dhe pensioneve që bëmë ne, dhe do të duhet ta rrisë me të paktën të njëjtën përqindje.
Do të duhet të matet me veprat tona në raport me integrimin evropian të vendit, me heqjen e vizave, me futjen e vendit në NATO, dhe do ti duhet të paktën të mos e dëmtojë këtë proces, e jo më ti bjerë me shkelm statusit e për këtë, të fajësojë 5 vendet më të mëdha anëtare dhe themeluese të Bashkimit Europian.
Po na e kalon në fakt, në dy kategori. Po na e kalon me borxhin që ia lamë 62 % dhe po e çon 75 %, dhe po na e kalon siç po e shikon çdo shqiptar sot, ashtu siç paralajmëruam ne dje para miratimit të buxhetit, me çmimet e larta që tashmë po ulen këmbëkryq për një numër mallrash të konsumit e së shpejti nëpërmjet rritjes së çmimit të naftës, për t’u ndjerë në çdo segment të jetës së shqiptarit.
Kurrë më parë dhe asnjëherë më parë në historinë e Europës së pasluftës së dytë botërore nuk ka ndodhur që një rrotacion normal, demokratik të mos mbështetet me entuziazëm nga ekonomia. E para që ka refuzuar koalicionin e mashtrimit dhe shit-blerjes së votës, Rama-Meta, është ekonomia shqiptare e cila e ka refuzuar qartësisht këtë rrotacion.
Këto janë sfidat me të cilat nuk matet dot. Prandaj e vetmja vegël dhe instrument që i ka mbetur është agresiviteti. Agresivitet që buron nga pasiguria, agresivitet që buron nga paaftësia, agresivitet që buron nga pamundësia për ti qëndruar përballë shqiptarëve e për ti parë në sy, sepse i ka gënjyer e i ka mashtruar. Agresiviteti kundër Kushtetutës dhe shkelmimit që i bëri me rastin e ligjit për nëpunësin civil, për të nisur spastrimet famëkeqe anë e mbanë administratës publike të vendit.
Agresiviteti ndaj ligjit që e shkel dhe e nëpërkëmb ditë për ditë, agresiviteti, ndaj institucioneve të pavarura, spastrimet e policisë së shtetit dhe kthimit të saj në polici partiake. Agresiviteti kundër pronës dhe sigurisë së jetës, tritolit politik si e vetmja metodë dhe mënyrë e cila tregon qartë para çdo shqiptari se para se të jetë një qeveri e mandatuar demokratikisht ky grup njerëzish e shikon veten si banda e Arturo Ui-së.
Dhe me këtë mentalitet shpifjesh dhe sulmesh ndaj opozitës, me këtë sjellje nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë asnjë kompromis. Nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë asnjë paqe. Nuk është shenje e forcës, por është shenje e frikës. Është shenjë e frikës e atyre që e dinë se nuk do të mund ti mbajnë dot premtimet, apo mashtrimet, me të cilat erdhi në pushtet. Kjo është arsyeja pse ne i ballafaquam në seancën e fundit të Kuvendit me 39 amendamente. Nuk ishin të programit tonë. Jo se ne nuk kemi program. Ne kemi faktuar se vizioni ynë liberal për një qeverisje të vogël, për taksa të ulëta, për investime, punon dhe funksionon për qytetarët e thjeshtë të këtij vendi që presin dhe dua të kenë më shumë vende pune si parathënie e mirëqënies, më shumë para në xhepat e tyre, sesa në xhepat e taksidarëve. Më shumë mirëqenie. Por ishin 39 amendamentet përballë mashtrimeve, e premtimeve të pambajtura, me të cilat kjo maxhorancë erdhi në pushtet.
Ndaj akuzat dhe shpifjet ndaj opozitës, ndaj inskenimet alla Arturo Ui të atyre që tritolpolitikën e kanë përdorur si në opozitë ashtu siç po e përdorin edhe sot në qeveri, nuk na trembin. Përballë na kanë dhe nuk i kemi frikë. Frikë na kanë ata dhe frikë duhet të na kenë. Edi Rama na njeh mirë dhe në qoftëse e ka harruar së shpejti do tia kujtojmë se kur demokratët janë bashkë, më të bashkuar se kurrë, nga anëtari më i vjetër tek anëtarët më të rinj, nuk ka forcë që na ndal.
Ndaj dhe thirrja ime në këtë ditë të 23 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike në Kukës, tek nderoj kontributin e çdo nismëtari dhe themeluesi, dhe prekem nga entuziazmi i të rinjve demokratë kuksianë, është që nëpërmjet bashkimit dhe ribashkimit të të gjitha kontributeve historike të demokratëve këtu në Kukës dhe anë e mbanë Shqipërisë, nëpërmjet hapjes ndaj këtij brezi të ri të mrekullueshëm të demokratëve të rinj, bijëve dhe bijave të nismëtarëve, themeluesve dhe anëtarëve të vjetër të kësaj partie dhe nëpërmjet vizionit te një demokracie të re, gjithëpërfshirëse që fillon nga shtëpia jonë e madhe e Partisë Demokratike, ku çdo anëtar, veç e veç, dhe të gjithë anëtarët së bashku janë forca e vërtetë e arsyes, janë sovrani dhe vendimmarrësi i vërtetë para së cilit përkulet kryetari i kësaj partie dhe e gjithë partia, ne pra të marrim përgjegjësi për momentin me të cilin po na përball përsëri historia.
Të marrim përgjegjësi duke dalë përpara shqiptarëve si forca që kemi lindur, si forca e lirisë, forca e dinjitetit njerëzor, forca e zhvillimit, forca e integrimit. Partia Demokratike e fjalës së mbajtur e duke ngjallur besimin tek ta, të bëhemi gati edhe njëherë për sfidat e radhës, të bëhemi gati për misionin tonë në histori, për Partinë Demokratike forcë qeverisëse, Partinë Demokratike në krye të procesit të Shqipërisë së zhvilluar, Partinë Demokratike në krye të integrimit evropian të vendit. Faleminderit dhe gëzuar!
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)