Super sfida mes Kukësit dhe Skënderbeut duhet të ishte vitrina e futbollit shqiptar, por në fakt ka ndodhur e kundërta. Ndeshja mes kampionëve dhe nënkampionëve të vendit në fund të një 90’ me spektakël, gola dhe shumë emocione është mbyllur me një incident.

Në minutën e 94 arbitri Enea Jorgji vërshëlleu duke dërguar ekipet në dhomat e zhveshjes, por barazimi duket se është shumë i vështirë që të pranohet nga Kukësi që rebelohet ndaj Jorgjit duke pretenduar se e mbylli ndeshjen para kohe.

Disa zyrtarë të klubit verilindor me trajnerin Shensoji në krye mësynë fushën në drejtim të Jorgjit së bashkë me disa tifozë duke i kërkuar llogari, ndërsa drejtori teknik vazhdonte debatin me trajnerin Josa jashtë fushe.

Tifozët vendas duke marrë spunto nga zyrtarët e klubit fillojnë sharjet dhe ofendimet në kor ndaj arbitrit, i cili akordoi vetëm dy minuta shtesë, por për shkak të dëmtimit dhe zëvendësimit të Ribaj vazhdoi lojën duke dërguar kohën shtesë në 4 minuta, por edhe kjo nuk i kënaqi vendasit që kërkon fitoren me cdo kusht për të arritur kreun.

Policia ka ndërhyrë duke shmangur konfrontimin fizik mes drejtuesve të klubit dhe arbitrave duke i shoqëruar jashtë stadiumit pas qetësimit të gjendjes. Pas ndeshjes, Jorgji në një intervistë për ‘Shqiptarja.com’ tregoi ngjarjen dhe kërcënimet e kuksianeve. “Akordova 2 minuta shtesë, por duke parë që pati vonesa, vendosa të leloj lojën duke e dërgaur në 4 minuta.

Shensoji m’u afrua me nxitim në fund dhe me inat më vetëm që ‘Ti je djalë i keq’ duke e përsëritur disa herë. Vetëm kaq mund të them, pasi të tjerat do t’i shkruaj në relacion” deklaroi ai. Kukësi rrezikon një dënim të rëndë nga Disiplina për ngjarjet e djeshme. Për incidentet, Ministria e Brendshme arrestoi dy persona dhe një e shpalli në kërkim.

Të arrestuar janë Edomond Elezi, shef i policisë bashkiake në Kukës dhe Ermal Elezi, jurist në bashki, ndërkohë që hetimet vazhdojnë. Ndërsa për kronikë ndeshja përfundoi me rezultatin 1-1.

Golat e ndeshjes u shënuan në fund nga Skënderbeu përpara në të 87’ me Ribajn ndërsa Kukësi barazoi një minutë më vonë Popovic pas një krosimi në zonë. Ndërsa Tirana nuk arriti të fitonte as më Vllazninë duke u ndaluar në barazim 1-1.