Mungesa e ndihmës ekonomike prej dy muajsh, ka detyruar që shumë familje në Kukës të marrin para borxh për të blerë librat shkollor për fëmijt e tyre.
 
Shitja e teksteve shkollore ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme, pasi shumë nga familjet të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike nuk i kanë parat për t’i blerë librat, ndërsa nuk kanë mundur të gjejnë as para borxh, për këtë arsye shtëpitë botuese të teksteve shkollore e kanë shtyrë kohën e shitjes së tyre deri sa të plotësohen të gjithë nxënësit me libra.
 
Shkak për mosmarrjen e ndihmës ekonomike është bërë dështimi i mbledhjes së këshillit në Bashkinë e Kukësit
 
“S’kam lekë, jamë me ndihmë ekonomike, jam pa punë, lekët për libra i kam marrë borxhë. Marrim ndihmë, por ku ti çoj më përpara 50 mijë lekë të vjetra? Jam pa punë nuk kam lekë, kemi dy muaj pa marrë lekët e ndihmës ekonomike. Vajzës në shkollë i tha mësuesja që nuk e praojnë pa libra dhe u detyrova të marr lekë borxhë.”, shprehen disa prindër.
 
Familjet në nevojë në Kukës i bëjnë apel këshilltarëve, që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të miratojnë këtë pagesë, pasi shumë prej tyre janë në mëshirë të fatit.

Paketa e teksteteve shkollore ka një vlerë monetare e cila varion nga 3 deri në 12 mijë lekë dhe situata e krijuar nga ngërçi i Këshillit Bashkiak me ndihmën ekonomike, ka vënë në pikëpyetje edhe vijimin e shkollës për qindra fëmijë të familjeve më në nevojë.

Ndërkohë në Kukës janë mbi 6 mijë familje që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com