KUKËS - Studentët dhe pedagogët të degës së infermierisë së filialit të Universitetit të Tiranës në Kukës kanë anuluar protestën e paralajmëruar për rrogat dhe bursat shtetërore.
 
Anulimi i protestës është bërë i ditur nga ana e drejtuesit të këtij filiali, dekani I Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Petrit Bara i cili mori pjesë në simpoziumin shkencor me temë “Shëndet për të gjithë”. Dekani Bara bëri të ditur se në fililialin e Kukësit do të shtohen edhe degë të reja mjekësore duke hedhur poshtë edhe zërat për mbyllje të degës së infermierisë.
 
 
 
Nga tetori 2013  pedagogët e degës së infermierisë nuk kishin marrë rrogat ndërsa  studentët e kësaj dege nuk i kishin marrë lekët e bursës shtetërore, por sipas dekanit Petrit Bara ky problem ka marrë zgjidhje.
 
Problematikë tjetër e këtij filiali mbetet mungesa e ambienteve të mjaftueshme për studentët e infermierisë.
 
Në vitin 2010 drejtuesit e filialit të UT Kukës kishin rënë dakord me Ministrinë e Shëndetësisë për kalimin në pronësi të këtij filiali të disa ambienteve pranë spitalit rajonal të Kukësit, ambiente që do të përshtaten për studentet e degës së infermierisë dhe deri tani  asgjë konkrete nuk ka lëvizur në këtë drejtim.
 
Në vitin aktual akademik, degën e infermierisë e ndjekin 300 studentë ndërsa japin mësim 25 pedagogë . Filiali I UT Kukës ka tre degë ekonomik, infermieri dhe gjuhë angleze. Janë rreth 1000 studentë nga Kukësi dhe rrethe të tjera që ndjekin.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)