KUKES – CEZ i ka ndërprerë energjinë elektrike banorëve të fshatit Breg Lume pasi nuk është pajtuar me vendimin ekstrem të 200 banorëve të cilët një ditë më parë bllokuan portën hyrëse të nënstacionit elektrik në shenjë proteste ndaj vendimit që CEZ kishte marrë më herët duke lënë pa drita banorët.

Punonjësit e CEZ-it kanë bërë stakimin e plotë të linjës elektrike që furnizon të gjithë komunën tërthore duke lënë në errësirë të plotë të gjithë banorët e kësaj komune për orë të tëra.

Fakti që ende nuk është bërë i mundur rikthimi i energjisë elektrike, po provokon sërish protestën e banorëve, të cilët kanë njoftuar për A1 Report! dhe Shqiptarja.com se në orët e pasdites do të ketë protesta të tjera tek nënstacioni i rexhepajve.

Problemi i mos pagesës së energjisë elektrike është i shtrirë në të gjithë qarkun e Kukësit, ku vetëm 5 % e familjarëve e paguajnë energjinë elektrike. Banorët nuk pajtohen me pagesën e faturave të energjisë për faktin se janë të përmbytura rreth 5 mijë hektarë tokë në ujërat e liqenit të Fierzës duke përfshirë qytetin e vjetër të Kuksit si dhe 24 fshatra rreth pellgut të liqenit.

Banorët siç pohojnë për A1 Report! pretendojnë se “pa dëmshpërblimin e tokave të tyre që janë të përmbytura nga ujërat e hecit te Fierzës ne nuk paguajmë faturat e energjisë elektrike”.

Gjatë stinës së pranverës me rritjen e kuotës së nivelit të ujërave të Fiezës në fshatin Breg Lume, krahas pushtimit të tokave të mbjella nga sipërfaqe të tëra uji bllokohet edhe rruga e fshatit Tukle, duke izoluar qindra familje dhe duke i detyruar të kontaktojnë me pjesën tjetër vetëm me varka. Ata kanë kërkuar vazhdimisht shpronësime dhe shpërngulje nga institucionet e shtetit, por kërkesat e tyre nuk janë dëgjuar.
(be.le/gm/Shqiptarja.com)