KUKES - Policia e Kukësit ka sekuestruar ditën e sotme 840 kilogram kafe kontrabandë në afërsi të tunelit të Kalimashit ndërsa ka vënë në pranga 25 vjeçarin i cili po e transportonte. 

Mësohet se kafeja, e cila ishte futu kontrabandë nga Kosova për në Shqipëri, u gjet në automjetin tip Benz me targa TR 4382 J në pronësi të  25 vjeçarit me inicialet A.R nga Kukësi. Ajo ishte e ndarë në 14 thasë me nga 60 kg secili.
 
Sipas policisë, pas kontrollit të ushtruar rezultoi se drejtuesi i automjetit nuk dispononte asnjë dokumentacion për sasinë e kafesë që kishte në automjet. Ndërkohë dyshohet se ajo është futur kontrabandë nga Kosova pa paguar akcizën.
 
Materialet e sekuestruara i kanë kaluar prokurorisë për procedime të mëtejshme për veprat penale “Kontrabandë për mallrat që paguhet akcizë” dhe “Tregëtim e transportim i mallrave që janë kontrabanduar”.

kafe kontrabande
(Në foto: Makina që po transportonte kafe kontrabandë nga Kosova për në Shqipëri)  Foto të tjera

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)