KUKES- Sezoni turistik është në nisje të tij ndërsa pritet fluks i lartë qytetarësh e mjetesh që hyjnë në Shqipëri përmes pikave të kalimit kufitar me Kosovën. Morini është pika kufitare me e madhja e përgjatë sezonit do të ketë personel shtesë nga policitë kufitare të Shqipërisë e Kosovës për të menaxhuar sa më mirë hyrje-daljet.
Kolonel Nexhmi Krasniqi, Drejtor i Policisë Kufitare në Rajonin Jugor të Kosovës thotë se ka koordinim shumë të mirë mes dy policive ndërsa ka hyrë në fuqi edhe marrëveshja e përbashkët për kalimin e kufirit pa kontrolle përgjatë nëntë muajve të vitit.
Pika e përbashkët kufitare e Morinit mban peshën kryesore të hyrje daljeve në Shqipëri. Kolonel Krasniqi thotë se përgjatë vitit 2023 më shumë se 15 milionë hyrje-dalje janë shënuar e ky numër pritet të rritet këtë vit, përfshirë edhe shkëmbimet tregtare mes dy shteteve.
"Në 24 orë qarkullojnë 450 - 500 kamionë" thotë ai.
Vëmendje e veçantë po i kushtohet parandalimit të trafiqeve të paligjshme e kontrabandës, e në këtë kontekst mbi 100 forca të përbashkëta policie e njësi speciale kanë krehur zonën përgjatë vijës kufitare.
Ditë më parë, bashkëpunimit dypalësh për një sezon turistik sa më të mirë i parapriu edhe një aksion për pastrimin e pikës së përbashkët kufitare dhe dy anët e Rrugës së Kombit në hyrje të kësaj pike.