KUKËS-Banorët e pallatit numër 14 në lagjen 1 në qytetit e Kukësit, po jetojnë me frikën e shembjes së pallatit katër katësh, ku aktualisht më të rrezikuara janë 12 familje.
 
I ndërtuar mbi 40 vite më parë, ky pallat sot ka humbur plotësisht qëndrueshmërinë , ndërsa amortizimi i godinës vihet re në shumë pjesë të tij.
 
Sikur të mos mjaftojë rrënimi që ka ky pallat edhe kabllot elektrike si rrjeta merimangash janë rrezik më vete.
 
Banorët e këtij pallati pohojnë se situata është kritike dhe apeli i tyre është për ndërhyrje sa më parë nga ana e shtetit, pasi ata vet e kanë të pamundur ta bëjnë për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.

“Ne jemi me ndihmë ekonomike, pallati është duke rënë dhe shkalla është tërësisht e dërmuar. Savatimi ka rënë. Ne të gjithë këtu jemi me ndihmë ekonomike”, thotë një banore e pallatit.
 
“Pallati dita ditës po bie, siç e shikoni dhe ju i ka rënë savatimi dhe është amortizuar komplet. Edhe kabulli i dritave është në për dritare dhe kur zhvishet ka kontakt me telat e dritareve duke rrezikuar jetën e fëmijëve dhe të banorëve të tjerë. Të gjitha familjet janë në gjendje katastrofë, jetojmë me 30 mijë lekë në muaj ndihmë ekonomike. Kërkoj ndihmë nga bashkia të marrë në dorë savatimin e pallatit që çdo ditë u bie fëmijëve në kokë“, shprehet një tjetër banor.
 
Ndërkohë e njëjta situate paraqitet edhe në pallatet e tjera në këtë lagje ku rënia e fasadave është kthyer në një fenomen të përditshëm duke rrezikuar jo pak jetën e banorëve dhe fëmijëve.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com