Kukës - Një 31-vjeçare dhe një vajzë tjetër 22-vjeçe kanë rënë në prangat e policisë së Kukësit për transport të emigrantëve të paligjshëm.

Sipas njoftimit të policisë të rejat të cilat u kapën në fshatin Morinë në bashkëpunim me njëra-tjetrën po tentonin të kalonin emigrantët në mënyrë të paligjshme kufirin me Kosovën, kundrejt fitimit.

Teksa 31-vjeçarja transportonte me makinë emigrantët, 22-vjeçarja kishte rolin e shoqërueses e cila kontrollonte rrugën për të shmangur kontrollet e Policisë.

Gjatë kontrolleve të kryera blutë sekusetruan një shumë lekësh dhe eurosh dhe 2 automjetet.

“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një mënyrë të re të tentativave për transportimin e emigrantëve të paligjshëm, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mënyra”.

Si rezultat i operacionit, u arrestuan shtetaset: F. B., 31 vjeçe, dhe Xh. C., 22 vjeçe, banuese në Tiranë.

Shtetasja F. B. u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në fshatin Morinë, duke transportuar me automjetin e saj 7 emigrantë të paligjshëm, të cilët do t’i ndihmonte të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin me Kosovën, kundrejt fitimit.

Ndërsa shtetasja Xh. C., me automjetin e saj, e shoqëronte dhe kontrollonte rrugën për të shmangur kontrollet e Policisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet, një sasi euro dhe një sasi parash”, informoi sot policia.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

_______________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë