Nga Nikoliqi i Hasit deri në stanet e Novosejit, realiteti të përball me të rinj që ikin, fermerë të paktë që mbijetojnë me mund dhe të moshuar që përpiqen të mos i lënë tokat djerrë.
“Kemi ikur në Vlahën. Këtu nuk ka as rrugë e as ujë” tregon një çift në moshë që i takuam gjatë rrugëtimit tonë drejt fshatrave malorë të Hasit. Kjo është përballja e parë me realitetin e Nikoliqit ku banorët kanë ikur e vazhdojnë të ikin.
Prej 40 vitesh presin që t’u rregullohet rruga që lidh fshatin me qytetin e Krumës, por sidomos unaza e brendshme e cila përshkohet me shumë vështirësi. Bëhet fjalë për një segment prej mbi 7 kilometrash, i cili, sipas banorëve, nuk ka pasur asnjë investim jetëgjatë.
Shaqir Lala është ndër të paktët banorë që refuzon të braktisë tokat dhe shtëpinë e tij në Nikoliq. E gjejmë duke u marrë me përgatitjet stinore të tokës. 55-vjeçari merret me bujqësi, blegtori dhe pemtari.
“Tani është koha e përgatitjes së tokës dhe kopshteve për mbjellje. Ka shumë punë, por edhe shumë kosto,” thotë ai, ndërsa duart i ka të zëna mes tokës dhe hardhive.
Është duke sistemuar vreshtat e rrushit, ndërsa në kullotat përreth ka lëshuar delet dhe qingjat.
Ai tregon se përgatitjet sezonale janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u përballuar. Shpenzimet janë të larta, ndërsa ndihma nga shteti, sipas tij, mungon pothuajse tërësisht.
Familja e mban ende fermën në këmbë edhe falë ndihmës së tre fëmijëve të tij, të cilët kanë emigruar jashtë vendit.
“Pa ndihmën e fëmijëve do ta kishim shumë të vështirë. Shteti nuk na mbështet sa duhet,” shprehet ai.
Edhe ata pak të rinj që kanë mbetur në fshat, ndonëse kanë dëshirë të punojnë tokën dhe të merren me bagëti, e kanë humbur besimin për të ardhmen. Arsyeja kryesore, sipas fermerëve, është mungesa e një tregu të sigurt për shitjen e prodhimeve.
“Të rinjtë duan të punojnë, por kur nuk ke ku ta shesësh prodhimin, humbet interesi,” thotë Shaqiri.
Sot, në shumë oborre të Nikoliqit, pranvera lulëzon në dyert e mbyllura.
Nikoliqi nuk ka qenë gjithmonë një fshat i pa jetë. Zona njihet për pasuritë minerale. Deri në vitet ’90, miniera e bakrit ka qenë një nga burimet kryesore të punësimit. Në atë kohë në minierë punonin rreth 200 punëtorë. Edhe vetë Shaqir Lala ka punuar për 9 vite në minierë. Sot, nga ajo që dikur ishte zemra ekonomike e zonës, kanë mbetur vetëm muret dhe kujtimet.
“Vitet e mëparshme fshati ka qenë më i zhvilluar. Kishte më shumë jetë, më shumë njerëz, më shumë punë,” kujton Shaqiri.
Ai tregon me mall për vitet kur fshati kishte punë, lëvizje dhe shpresë. Miniera ishte e vështirë, por siguronte bukën e familjeve. Tani, rrënojat e saj janë kthyer në një simbol të asaj që ka humbur kjo krahinë.
Ky është një realitet që përsëritet në shumë zona malore të verilindjes.
Toka është pjellore, tradita ekziston, por mungon zinxhiri i tregtimit dhe garancia ekonomike.
Disa kilometra më larg, në Stanet e Novosejit, në Kukës, pranvera ka një ritëm tjetër. Këtu, në bjeshkët dhe kullotat alpine të Shishtavecit dhe Novosejit, bora ende nuk është shkrirë plotësisht.
Në këtë peizazh të ftohtë, ku dimri dorëzohet më ngadalë, takojmë Imer Toçillën, i cili po kullot delet.
Për 64-vjeçarin, ditët në Novosej janë të plogështa. Gjithçka karakterizohet nga ritmet e ngadalta, sa për të thënë që këti ka jetë, por jo punë e as perspektivë për t’u zhvilluar.
Ndërsa delet lëvizin mes barit të sapodalë, banorët kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri bujqësor e blegtoral. Por problemet mbeten po ato që dëgjohen edhe në Has: shpopullimi dhe mungesa e tregut.
Novoseji, ashtu si Shishtaveci, njihet prej vitesh për kultivimin e patates bio, një nga produktet më të njohura të kësaj zone malore. Megjithatë, vitet e fundit, fermerët po përballen me vështirësi serioze për ta shitur prodhimin.
“Unë prodhoj 100 kuintal patate në vit. E shumta 80 kuintal mund të shes. Pjesën tjetër e hanë lopët” tregon një fermer.
Sipas banorëve, mungesa e një tregu të sigurt është përkeqësuar edhe më shumë nga futja në treg e patateve të importit, të cilat shpesh shiten më lehtë dhe me çmime konkurruese.
Kjo ka bërë që interesi për kultivim të bjerë, edhe pse toka dhe cilësia e prodhimit mbeten të shkëlqyera.
Kryeplaku i fshatit Novosej jep një shifër që flet më shumë se çdo përshkrim.
“Deri në vitin 1987, fshati kishte 363 familje.Sot ka vetëm 82 familje.Në shkollë mësojnë vetëm 29 nxënës” tregon ai.
Këto shifra janë pasqyra më e qartë e boshatisjes së zonave malore. Aty ku dikur kishte zëra fëmijësh, ara të punuara dhe stane plot, sot ka më pak njerëz, më pak bagëti dhe më shumë heshtje. Megjithatë, jo gjithçka është zbehur.
Novoseji dhe stanet përreth mbeten një pasuri e rrallë turistike. Verës, këto zona vizitohen nga shumë turistë për shkak të natyrës alpine, kullotave të pafundme dhe sidomos Liqenit të Kallabakut, një prej perlave natyrore të verilindjes.
Edhe në këto ditë të para të pranverës, vizitorët e parë kanë nisur të ngjiten drejt zonës, të tërhequr nga kontrasti i veçantë mes borës në bjeshkë dhe gjelbërimit që po zgjohet në lugina.
Në një kohë kur bujqësia dhe blegtoria po mbijetojnë me vështirësi, turizmi po shihet nga banorët si një mundësi e re për të mbajtur gjallë fshatin.
Nga Nikoliqi i Hasit deri në stanet e Novosejit, realiteti të pëërball me të rinj që ikin, fermerë të paktë që mbijetojnë me mund dhe të moshuar që përpiqen të mos i lënë tokat djerrë.
Komente











