KUKES, 9 Prill/ATSH/-Prefekti i Qarkut të Kukësit, Safet Gjici priti sot Këshillin Rajonal Rinor të Qarkut Kukës dhe të rinj nga Kosova, takim i cili është realizuar me qëllim njohjen e tyre me Institucionet vendore dhe Agjencitë lokale të Qeverisë Shqiptare.
Prefekti, Safet Gjici në fjalën e rastit tha se të rinjtë, janë e ardhmja e këtij vendi dhe se çdo ditë e më tepër po tregojnë, se kanë aftësi shumë të mira, jo vetëm për të sjellë risi në jetën ekonomike, sociale dhe në fusha të tjera, por edhe në jetën politike të vendit tonë.
Ai ka theksuar se, në Qarkun e Kukësit, ka shumë raste, ku të rinjtë janë vënë në pozicione drejtuese, si: në Shërbimin Social Shtetëror; Institucionin e Paraburgimit, të Vuajtjes së Dënimit; Zyrën e Punës etj.
Po ashtu, në Institucionin e Prefektit, të rinjtë trajtohen njësoj si punonjësit e tjerë, që kanë eksperiencë pune disa vjeçare, dhe si administratë janë më shumë se 27 % të rinjë, ndërkohë që 39 % e stafit janë femra.
Ndërkohë, drejtorja e Projektit "Pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje, për demokracinë në shoqëri", Edlira Çepani tha se: bashkëpunimi me Prefekturën e Kukësit ka qenë në nivele të larta, ndërkohë që vlerësoi mbështetjen që ky institucion i'u ka bërë të rinjve.
Kjo vizitë studimore, ka patur për qëllim njohjen e të rinjve nga Kosova me Institucionet vendore dhe Agjencitë lokale të Qeverisë Shqiptare dhe me Këshillin Rajonal Rinor të Qarkut Kukës, të ndihmojnë këto institucione që të zhvillojnë në mënyrë optimale këto politika dhe të zgjerojnë impaktin e tyre, tek të rinjtë nëpërmjet informimit, pjesëmarrjes dhe ndërveprimit./a.g/










