Një ditë pas largimit nga banesa ku ishte nën masën ‘arrest shtëpie’, Prokuroria ka nisur hetimet për këngëtaren Fjolla Morina.

Këngëtarja shqiptare theu masën e arrestit në shtëpi ditën e djeshme ku gjatë kontrollit të policisë në banesën ku qëndronte ajo në Kukës, nuk u gjet brenda.

Nëse vërtetohet thyerja e masës së sigurisë 'Arrest shtëpie' bën që Fjolla Morina të rikthehet në qeli.

Këngëtarja nga Kosova, Fjolla Morina u arrestua më 19 shtator në pikën kufitare të Morinës, pasi në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me 23 fishekë, ndërsa na bagazhin e makinës iu gjet një tjetër pistoletë e llojit çakmak. Këngëtarja po udhëtonte me një makinë “Audi Q7”, mjet të cilin ia kishte dhuruar i dashuri vetëm pak ditë para vënies në pranga.

Bashkë me këngëtaren u arrestuan edhe biznesmeni Fisnik Syla dhe shoferi i saj Fitim Muji. Pavarësisht se ishin në të njëjtin mjet me të, Morina i shpëtoi dy djemtë nga përgjegjësitë, teksa deklaroi se ata nuk kishin asnjë dijeni për armën dhe se këtë të fundit e kishte dhuratë nga një mik i dashur që nuk jeton më.