Të dielën do të luhen dy ndeshjet e fundit të javës së shtatë të Superligës me Kukësin që në orën 17:00 në Elbasan Arena do të presë Vllazninë, një skuadër që ndeshjet e fundit ka bërë mjaft mirë. Verilindorët ndërkohë vijnë pas një disfatë në Durrës ndaj Teutës dhe në Elbasan do të kërkohen më patjetër tre pikët, në mënyrë që mos t’I ndahen kreut të tabelës.
Gjithsesi përballë do të ketë një Vllazni e cila përveç kualifikimit në Kupa një javë më parë mori një fitore me ‘poker’ golash kundër Skënderbeut, duke bërë jo pak përshtypje. Për ndeshjen me Kukësin ka ende disa enigma për shkak dëmtimesh për Jonuz, ndërsa vetë trajneri i shkodranëve para kësaj sfide ka deklaruar:
“Kundër Kukësit Vllaznia nuk ka se çfarë humbet, por vetëm të fitojë. Rezultatin do ta shohim të dielën, por kam parë disa video të Kukësit brenda dhe jashtë fushës së saj dhe kamë vënë re se kanë një sulm të mirë. Gjithsesi në stërvitjen tonë të fundit atmosfera ka qenë pozitive dhe mendoj se nuk do të dalim pa pikë.”
Ndeshja tjetër e ditës së dielë do të zhvillohet në Laç mes kurbionasve dhe Bylisit, skuadrës që aktualisht udhëheq Superligën me pikë të barabarta me Teutën, 11.