Kukësi nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 kundër Laçit në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të Superligës. Verilindorët në takimin që u luajt në Loro Boriçi vinin pas dy fitoreve, por në këtë 90 minutash pavarësisht mundimeve të shumta nuk morën më shumë se një pikë.
Pjesa e parë në Shkodër u mbyll me porta të paprekura, ndërsa pak minuta pas fillimit të fraksionit të dytë të lojës kurbinasit kaluan në avantazh me sulmuesin Nuabueze, i cili realizoi një gol mjaft të bukur. Nga ky moment Kukësi tentoi në të gjithë mënyrat, por tentativat e verilindorëve do të shpërbleheshin vetëm në minutën e 87 me Mustën që nuk fali me një të majtë jashtë zone.
Më pas koha e mbetur në dispozicion ishte e pakët dhe nuk solli ndryshime në shifra. Për Laçin kjo ishte pika e parë në kampionat pas dy humbjeve, ndërsa Kukësi ngjitet në kuotën e 7 pikëve po aq sa Tirana dhe Teuta.