E ftuar në këndin e kuzhinës Sara Payman, vajza indiano-iraniane që jeton prej 2 vitesh në Shqipëri. Ajo sjell një recetë të shpejtë nga kuzhina persiane “Kuku”, një omletë furre në formë keku me lakër dhe bimë aromatike.  

‘Kuku’, recetë persiane – Omletë furre me lakër dhe bimë aromatike

Përbërësit:

  • 6 vezë
  • 2 lugë gjelle miell
  • 1 lugë çaji sodë buke
  • 300 gr lakër, e grirë hollë
  • 1 qepë, e prerë në shirita të hollë
  • 1 tufë majdanoz, i grirë hollë
  • Shafran Indie dhe kumin
  • Kripë, piper
  • Vaj ulliri

Përgatitja:

Fillimisht me pak vaj ulliri kaurdisim qepën e prerë në shirita të hollë dhe më pas shtojmë lakrën e grirë hollë. Ndihmojmë zbutjen me pak ujë. Ndërkohë rrahim vezët mirë me rrahëse që të krijojnë volum. Tek vezët shtojmë gradualisht duke e rrahur miellin dhe sodën e bukës. Shtojmë lakrën e zbutur, erëzat dhe bimë aromatike sipas dëshirës. Të gjithë masën e kalojmë në një tavë dhe e vendosim në furrë derisa të mpikset dhe të marrë një ngjyrë të bukur sipërfaqja.