Për kryedemokratin Sali Berisha, Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter për t’u anëtarësuar në BE, përveç atij gjeopolitik. Megjithatë, në një videomesazh, Berisha deklaroi se nuk e ka menduar kurrë që të bllokojë procesin e integrimit.

“Në monologun e tij, ndër të tjera, u ndal dhe tek rezoluta që u votua në parlament, duke pretenduar se opozita e votoi pasi konstatoi se po zhbllokohet IBAR.

 E vërteta është se, opozita ka një tezë nga e cila nuk lëviz, se Shqipëria përveç kriterit gjeopolitik nuk plotëson absolutisht asnjë kriter për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por opozita e mbështet këtë proces si një proces të diktuar nga gjeopolitika dhe kurrë ndonjëherë nuk ka menduar dhe nuk mendon të bllokojë procesin.

Rezoluta nga alfa tek omega nuk ka asnjë fjalë vlerësimi për punën e qeverisë apo të parlamentit, por thjesht rreshton kërkesat dhe detyrat të domosdoshme për procesin e integrimit”, thotë Berisha.

Ndërkohë, qeveria ka refuzuar këtë tezë duke thënë se procesi i integrimit nuk ka as ngecje dhe as pengesa.