Pas disa ditësh reshje të dendura në verilindje të vendit niveli i liqenit të Fierzës është rritur ndjeshëm rreth 6 metra mbi kuotën e mëparshme mbi 250 metra, ditë më parë. Uji ka mbuluar sërish rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit, që gjatë muajve të thatë kishin dalë në sipërfaqe, duke risjellë në kujtesë pamjet e permbytjes së tij nga ndertimi i HEC-it te Fierzes.
Në sipërfaqen e liqenit, aty ku pak javë më parë dukeshin muret dhe themelet e shtëpive të braktisura, tani lundrojnë mbeturina të shumta degë, plastikë e mbetje urbane të sjella nga përroskat dhe lumenjtë që derdhen në liqen pas vërshimevene Kosove dhe ne verilindje. Sipas të dhënave nga Korporata Energjetike Shqiptare, prurjet në Drin kanë arritur deri në 800 metra kub ujë në sekondë, duke rritur ndjeshëm rezervat hidrike të basenit më të madh në vend. Pamja e liqenit sot është krejt tjetër nga ajo e muajve të thatë të ketij viti. Aty ku ditë më parë mund të ecje mbi rrënojat e qytetit të dikurshëm, sot shtrihet një siperfaqe ujore me mbeturina.
Ekspertët e klimës e lidhin këtë ndryshim të shpejtë me ciklet e pazakonta të reshjeve, mungesën e borës gjatë vjeshtës dhe ndikimin e dukshëm të ndryshimeve klimatike. Në periudhat e thatësirës, liqeni i Fierzës shpesh afrohet në “pikën e vdekjes” kuotën 242 metra, sipas KESH duke rrezikuar jo vetëm prodhimin energjetik, por edhe ekosistemet përreth dhe jetesën e komuniteteve që varen nga ky burim ujë.
Sot, ndërsa uji ka mbuluar sërish gjurmët e Kukësit të vjetër, liqeni kujton qetësisht historinë e një qyteti që jeton mes dy kohëve njëri në fund të ujit, tjetri mbi të.
Komente








