Kullat e sahatit në Elbasan, çfarë
të reje sjell vizatimi i vitit 1848?

Kullat e sahatit në Elbasan, çfarë<br />të reje sjell vizatimi i vitit 1848?
Ashtu si në viset e tjera të Ballkanit edhe në Shqipëri, ndërtimi i kullave të sahateve bëhej zakonisht në mjediset më të gjallëruara dhe më të dukshme të qyteteve, në sheshet e pazareve, pranë xhamive kryesore, apo në vende të ngritura brenda kështjellave etj.[1]
Në këtë artikull do të ofrojmë një sintezë tërheqëse historike - ilustrative për kullat e sahatit në Elbasan, një prej objekteve të shërbimit publik në periudhën e mesjetës së vonë. Një aspekt që bie në sy është modifikimi i mekanizmit nga orë matës me tingull në mekanizëm me fushë ore i cili ka sjellë ndryshime në pamjen autentike origjinale të kullave të sahatit.

Në përshkrimin që udhëpërshkruesi osman Evlija Çelebi i bën fortesës së Elbasanit na informon se mbi portën e kiblës ndodhet xhamia e Hyngjarit. Afër kësaj xhamie është sahati i bukur, i cili nuk shmanget asnjë minutë dhe u prin gjithë muezinëve. [2] Një tjetër burim mbi kullën e sahatit na ofrohet në botimin “Studime shqiptare” nga albanologu Johan Georg von Hahn, i konsideruar si dekani i studimeve shqiptare të shek.XIX. Ja se si e përshkruan ai:”Posa të hysh në fushën e Elbasanit, qyteti duket kaq mirë në skajin verior dhe ajri i pastër i mbramjes i afron kaq shumë minaretë e holla dhe kullën e trashë të sahatit, saqë nuk u beson njeri fjalëve të qeraxhiut, që thotë se qyteti i mban plot dy ore prej këtu”.


kullat e sahatit ne elbasan

[3] Në vitin 1869 Tozeri ka vërejtur një kullë sahati, pa përmendur ndonjë veçori. Kulla e sahatit të Elbasanit që trashëgojmë sot daton në vitin 1899 (fig.1 skicuar nga Dritan Çoku). Ajo është e tipit tre katësh. Zhvillohet me planimetri katrore (4.3 x 4.3m). Deri në lartësinë 3m është ndërtim prej guri, më pas vazhdon prej tulle duke ruajtur të gurta qoshet. Dy katet e tjera janë vazhdim i të parit dhe ndahen nga njëri-tjetri nga një solet (sot e rindërtuar me beton-arme). Edhe kjo kullë kurorëzohet nga një kube.
 
Hipotezat
Në studimin mbi kalanë e Elbasanit të Gj.Karaiskajt, është shfaqur mendimi se në vendin, ku ndodhet kulla e sotme, ndodhej një e vjetër prej druri, ndërsa sipas S.Dashit në të njëjtin vend janë ndërtuar tre kulla radhazi. E para në shek.XVII, e përmendur nga Çelebiu, u rrënua para vitit 1854. Kulla e dytë prej druri, e ngritur në vitin 1865-1869, pas rënimit u zëvëndësua me një kullë më të re në pranverën e vitit 1899. Atë e ndërtoi vetë populli i Elbasanit (siç shkruhet në mbishkrimin mbi portën në hyrjen e kullës) dhe vlerësimi që i jep në 1931 Valishi, duke e cilësuar të vjetër turke është i gabuar. Në mbishkrim thuhet gjithashtu se ky sahat tregon saktë nga të katër anët orë e minut dhe kjo na bind se mjeshtrit ndërtues e kanë konceptuar që në fillim me fusha. Kjo kërkesë funksionale nuk kërkoi shtimin e ndonjë kati të veçantë, të posaçëm, por fushat u vendosën në murin e katit të dytë. [4]

Po çfarë dokumentash trashëgojmë ne sot se si ka qenë e ndërtuar kulla e sahatit në Elbasan, si ka qenë pamja e saj arkitektonike, përpara dokumentimit dhe përdorimit të fotografive.                                                                                                   
Dokumentimi më i vjetër i saktë i kullës së sahatit është vizatimi i realizuar nga Edward Lear më 26 Shtator 1848 (fig.2) ku përveç pazarit dhe njerëzve me veshje karakteristike në sheshin e tij përfshihen dhe dy element të cilët zhvillohen në vertikalitet, minareja e xhamisë dhe kulla e sahatit. Për të shmangur çdo hamëndësim që është apo jo kullë sahati dhe hamëndësime të tjera rreth pozicionimit dhe vendodhjes së tij, apo çdo mendimi tjetër lidhur me vizatimin e Lear-it mbi këtë ndërtim arkitektonik do të mundohemi të ofrojmë një vizatim tjetër (fig.3) të realizuar në vitin 1925 nga Jan Gordon, por edhe një foto të vjetër (fig.4) që disponojmë ne sot, ku këndvështrimi në të tri rastet është në të njëjtën pozicion.

kullat e sahatit ne elbasan

Nëpërmjet krahasimit pamor konstatojmë dhe del qartë se vizatimi i Lear-it dhe konkretisht ndërtimi arkitektonik që paraqitet në të djathtë të tij është pikërisht kulla e sahatit. Përveç kësaj analize kemi dhe faktin e pakundërshtueshëm ku në kuadratin e letrës mbi datën e realizimit të vizatimit dhe emrit të qytetit kemi shënimin në anglisht “clock tower” (fig.5), në shqip “kulla e sahatit”. Pra, përpara se të ndërtohej kulla e sahatit e vitit 1899, ka pasur një tjetër kullë sahati në atë formulim arkitektonik siç na i ofron vizatimi i Edward Lear.

kullat e sahatit ne elbasan
 
Vizatimi i shek.XIX – analizë
Për të analizuar këtë vepër arkitekturore të mjeshtrave tanë popullor me aftësi krijuese është e domosdoshme një analizë në drejtimin artistik të vizatimit të shek.XIX. Sipas vizatimit të Lear-it kulla e sahatit nga të dyja anët ka një trajtim të linjave paralele, të cilat të bën të dyshosh se ajo është realizuar nga piktori për të materializuar drurin. Po qe se ato linja do të përfaqësonin dritë-hijen, pavarësisht se kulla e sahatit është në sfond të pazarit, tek ajo do të trajtohej vetëm hija në njërën prej faqeve. Këtë përfundim e nxjerrim nga një vrojtim i mprehtë i realizimit të trajtimit të lapsit mbi letër, por edhe sipas shënimit të Edward Lear që cilëson “clock tower blue gray boards”, pra në shqip “kulla e sahatit prej dërrase ngyrë blu dhe gri”. Kati i parë i kullës së sahatit mendojmë të ketë qenë ndërtim prej guri dhe sipër saj me konstruksion druri (fig.6 skicuar nga Dritan Çoku).

Pavarësisht se në vizatimin e Lear-it nga këndi i shikimit nuk duket pjesa e poshtme e kullës së sahatit, kjo për arsye të ndërtimeve para tij dhe gjelbërimit të dendur, llogjika të çon në arsyetimin se ajo do të ketë qenë e realizuar me material prej guri për arsye qëndrueshmërie, pra konstruktive. Këtu jemi në të njëjtin mendim me Gjirak Karaiskaj dhe Sulejman Dashin të cilët mendojnë se përpara kullës së sotme ajo do të ketë qenë prej druri. Raste të kësaj zgjidhje arkitektonike me propocione të goditura mur guri - konstruksion druri janë kullat e sahatit të Pejës, Mitrovicës, Vushtrrisë, Tetovës, Ohrit, Strugës, etj, ku shumë prej tyre ashtu si në rastin e kullës së sahatit të Elbasanit nuk i kanë rezistuar kohës.

kullat e sahatit ne elbasan
 
Kontruksioni i sipërm i kullës së sahatit siç shihet edhe nga vizatimi i Lear-it është realizuar me katër kolona druri dhe dritare në të katra faqet të realizuara me elementë drusorë, në të cilën vendosej këmbana e sahatit. Ambjenti i këmbanës është i rrethuar me parmakë druri dhe mbuluar me çati druri, ku forma e sipërme që mbulohet me fletë plumbi është stilizim i formës së këmbanës. Por, a është kjo kulla e sahatit që ka parë Çelebiu? Në vitin 1466 gjatë fushatës së Shqipërisë nga Sulltan Mehmeti II, që atëherë, në Elbasan u ndërtuan një sërë faltoresh, më e vjetra e të cilave ishte mbi kullën me portën e hyrjes (që u prish në vitin 1832) për në kala, e njëkohëshme me rindërtimin e Kalasë. [5] Sipas Çelebiut pikërisht afër kësaj xhamie (të Fatiut) ku sot gjurmët e saj nuk i kemi është ngritur kulla e sahatit.

kullat e sahatit ne elbasan

Pavarësisht se kulla e sahatit që ka parë Çelebiu mund të përkojë si vendodhje me atë që është paraqitur në vizatimin e Lear-it kjo nuk do të thotë se kjo e fundit është kulla e sahatit e shek.XVII dhe se mund të ketë rezistuar deri në vitin 1899 kohë kur u rindërtua kulla e sahatit që trashëgojmë sot. Kjo për dy arsye: Së pari, dëmtimet që mund të ketë pësuar kulla e sahatit në kohë nga amortizimi, faktorët natyrorë etj.; dhe së dyti, nga mundësia e hapjes së fërngjive për armë zjarri (topa apo pushkë) në muraturën e kullës fortifikuese në periudhën e pashallëqeve apo ndonjë rikonstruksioni të saj mbi të cilën ngrihej kulla e sahatit. Por një gjë mund ta themi me siguri duke u ndihmuar nga fakti i vizatimit të vitit 1848, se kulla e sahatit prej druri nuk është ngritur gjatë viteve 1865-1869 siç mendon Dashi.




    Duke gjurmuar dhe studiuar sistematikisht kullat e sahatit në Shqipëri, trevat shqipfolëse, krahasimisht dhe ato të Ballkanit, zbulimet gjenerojnë gjithmonë në vazhdimësi të dhëna të reja. Ato na ndriçojnë të panjohurat e arkitekturës dhe informacione të tjera datuese siç është edhe rasti konkret që solli zbulimin e kullës së sahatit të Elbasanit prej vizatimit të vitit 1848 përpara se të kishim ndërtimin e kullës së sahatit të vitit 1899 që trashëgojmë sot.
    Me këtë punim studimor konkret mbi kullat e sahatit në Elbasan, mendojmë se kemi hapur një dritare sadopak të vogël për kërkime dhe studime të mëtejshme në monumente të arkitekturës.       

BIBLIOGRAFIA
1- Zija Shkodra, Qyteti shqiptar gjatë rilindjes kombëtare, Tiranë: Mihal Duri, 1984, f.404
2- Muhamet Dhil-li Ibni Dervishi (Evlija Çelebi), Shqipëria para tre shekujsh, Enciklopedi shqiptare e mesjetës, botim i plotë, Tiranë: Besa 2000, 2000, f.91
3- Johan Georg von Hahn, Studime shqiptare, Tiranë: ID&K, f.115
4- Sulejman Dashi, Kullat mesjetare të sahatit në vendin tonë, Monumentet 12, 1976, Tiranë: Mihal Duri, 1976, f.105
5-Aleksandër Meksi, Arkitektura e xhamive të Shqipërisë (shekujt XV – XIX), Tiranë: UEGEN, 2007, f.57
 

(v.gj/shqiptarja.com)

Lajmi u publikua sot (10.05.2015) në gazetën Shqiptarja.com(print)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kryemadhi: Kam raport të ngrirë bashkëshortor me Ilir Metën

Kryemadhi: Kam raport të ngrirë bashkëshortor me Ilir Metën