Gjykata e Posaçme ka dënuar me 111 vite e 8 muaj burg 17 anëtarët e grupit kriminal që kultivuan kanabis në sera në vitin 2022 në Berat.
Dënimin më të lartë GJKKO e ka vendosur për 2 drejtuesit e grupit kriminal, Sadetin Hasajn dhe Blerim Xhekën, të cilët janë dënuar me nga 8 vite e 8 muaj burgim.
Ndërsa pezullimi i dënimit me burgim prej 4 vitesh për secilën, dhe vënia në shërbim prove për 3 vite, është vendosur nga togat e zeza për Drita Memën dhe Izmire Memën.
Operacioni u ndërmor më 10 nëntor 2022, gjatë të cilit u kap një sasi prej 870 kg kanabis. Pjesë e grupit kriminal ishin edhe 93 gra, por SPAK shpalli moskompetencë për to.
Një hapësirë toke nga 10 deri në 20-27 dynym, në zonën e Rërës, Drenovicë (Berat) në 4 sera të mbyllura me plastmasë ishin përdorur për të kultivuar dhe përpunuar lëndën narkotike.
Organizimi i aktivitetit kriminal kishte nisur në Dhjetor të vitit 2021, ndërsa u shtri gjatë periudhës Qershor-Nëntor 2022 dhe më datë 10 nëntor 2022 u gjet dhe u sekuestrua sasia prej 871.4 kg kanabis (produkt bime “canabis sativa L”), e cila u zbulua në 769 arka plastike dhe brenda 11 thasëve prej plastmasi ngjyrë të zezë, gjithashtu u gjetën dhe sekuestruan armë zjarri dhe municion luftarak.
Të gjithë pandehurit dhe veçanërisht dy të dënuarat femra, janë marrë me “rekrutimin” e krahut të punës/fuqisë punëtore nga qytete e rrethina të Shqipërisë, kundrejt joshjeve për pagesa të mira ditore për të punuar në sera, transport falas dhe sigurimit të fjetjes në ambientet sera, ku ishin krijuar edhe fjetore.
Komente










