Kultura e vdekjes dhe media!

Kultura e vdekjes dhe media!
Aksidenti i Himarës është nga ato ngjarje që të lë pa fjalë. Ka disa momente kur media, dhe ndoshta gazetarë të rastësishëm që u bie të jenë në punë ato momente, marrin peshën e përgjegjësisë që media duhet të ketë para opinionit publik në raste të tilla.

Media shqiptare, por dhe shoqëria në tërësi, ka një problem me kulturën e vdekjes dhe lajme të tilla shokuese. Të gjithëve na mungon një sjellje profesionistësh që si gazetarë të mos jemi pjesë e korit që vajton, por e njerëzve që informojnë dhe që ndikojmë me informimin në sqarimin e asaj që ka ndodhur dhe asaj që po bëhet. Transmetimet televizive të momenteve të para ishin thuajse të neveritshme. Reporterët e gjendur në turnin e dytë raportonin sikur po transmetonin ndonjë ndeshje futbolli, ndërkohë që prodhuan boll konfuzion dhe me shifrat e jetëve të humbura. Disa televizione të mëdha vazhduan të transmetonin muzikë apo emisionet e programuara pa bërë asnjë gjest në respekt të shikuesve për t’i informuar ata. Të tjera media kopjonin njëra- tjetrën dhe u bënë bezdisëse me fjalën “ekskluzive”, a thua zoti e shkaktoi tragjedinë për tu lëvduar ata që kopjonin pamjet e njëri- tjetrit. I vetmi gazetar që filmoi në vendngjarje, dhe ai për arsye shumë personale, pasi po kalonte aty, ishte Stavri Marko, dhe ai u citua vetëm nga gazeta Tema, e cila i mori raportet, si dhe nga CNN, që po ashtu mori fotot e publikuara tek Tema me emrin e tij. Një kulturë abuziviste me një ngjarje për të cilën nuk kishim faj pse nuk ishim atje ku ndodhi, por kishim faj që rrihnim gjoksin nga Tirana, kush e dinte më mirë ç’kishte ndodhur. Nga ana tjetër, dhe kur raportohej për zhvillimet e mëtejme nga spitalet, më së shumti raportohej se kush politikan shkoi për vizitë apo kush ngushëlloi, se sa për gjendjen kritike të studenteve të lënduara. Biles dhe lajmet për vdekjen e studentes së 12-të, media e dha duke cituar Nishanin dhe jo drejtorin e spitalit.

Mangësi e madhe është dhe mënyra se si reagon shoqëria. Të gjithë i kap trishtimi dhe dëshira për të ngushëlluar, por ndërkohë ka shumë pak iniciativa me të vërtetë ngushëlluese siç mund të jenë dhurimi i gjakut, organizmi për tu qëndruar afër familjeve të viktimave, respekti për viktimat dhe solemniteti i kumtimit të lajmeve për ikjen e tyre nga kjo jetë. Nëse media do të fokusohej më shumë në këto aspekte, natyrisht që do ta bënte shoqërinë më pak depresive dhe do të ndihmonte paksa më shumë për të zbutur dhimbjen e familjarëve. Fokusimi tek gjaku, pamjet horror, nxitimi për të thënë kush e gjeti i pari, sa vdiqën dhe cilët ministra arritën të parët në vendngjarje, është një dimension i frikshëm i mungesës së fortë që kemi si shoqëri për kulturën e vdekjes dhe respektin ndaj viktimave.

Një problem i madh ngelet raporti nga vendngjarja për shkaqet e aksidentit. Ministri Olldashi thotë se rruga aty është ende e re dhe në të vërtetë ka vetëm tre vjet që është rindërtuar. Për të gjithë ata që e sjellin ndërmend vendin ku është rrëzuar, kemi parasysh standardet e ulëta të projektit të rrugës në atë pjesë, tatëpjetën me kthesë të fortë ndërsa zbret për tek ura dhe mbajtëset thuajse inekzistente të rrugës. Është interesant fakti që autobusi duke zbritur ka qenë jo nga krahu i humnerës, por nga krahu i mbrojtur i rrugës dhe duhet të ketë pasur një shkak madhor që ka humbur kontrollin. Dhe në këtë rast dyshimet e forta drejtohen tek gjendja teknike e autobusëve që nisen për ekskursione me fëmijë dhe studentë, të cilët në shumë raste janë kthyer në biznese ilegale të sekserëve të shkollave që porosisin autobusë të lirë për 50 euro më shumë në xhepat e tyre. Aksidente të tilla tragjike duhen kthyer në momente të forta reflektimi jo vetëm për të zbutur dhimbjen e familjarëve dhe për të orientuar shoqërinë drejt solidaritetit, por dhe për të bërë reforma të thella në politikat e komunikacionit dhe sidomos në rregullore të rrepta të transportit publik të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve, sa i përket kushteve teknike të mjeteve që udhëtojnë. Rreptësia me të cilën duhet të kontrollohet një autobus që transporton fëmijë, nxënës dhe studentë duhet doemos të jetë e standardit më të lartë dhe shoferët që licencohen për udhëtime të tilla duhet të jenë të standardit të lartë. Pistat më e mundshme e atij aksidenti përveç standardit të dobët të rrugës është gjendja teknike e autobusit dhe ndoshta aftësitë njerëzore të shoferit. Dhe kjo është pasojë e papërgjegjshmërisë që ne si shoqëri kemi për jetën e qytetarëve tanë.

Ngjarja e Himarës përsëriti tragjedinë e 22 viteve më parë afër atij vendi, ku një autobus me studentë dhe pedagogë të Institutit Bujqësor të Kamzës humbën jetën së bashku me dy helikopterët që u shkuan në ndihmë. Edhe atëherë Shqipëria u shokua nga përmasa e tragjedisë, por 22 vite më pas, shumë pak mësime kemi nxjerrë se si të përballemi me tragjedi të tilla dhe mbi të gjitha si t’i shmangim ato.
Marre nga Tema
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit