Muzeu Arkeologjik i Durrësit, Shtëpia Muze Aleksandër Xhuvani në Elbasan, Qendra e Vizitorëve Apolloni dhe rijetëzimi i dy kalave, Borshi dhe Kanina, janë atraksionet e reja turistike që do të hapen këtë vit
Njoftimi u bë nga ministri i Turizmit Blendi Gonxhja I cili tyha se ndërkohë po vijon puna edhe për Teatrin Kombëtar, Muzeun Hebre në Vlorë dhe Kalanë e Shkodrës. Në proces janë edhe Qendra e Vizitorëve Bylis, Butrint, Muzeu i Arbëreshëve në Vuno, Biblioteka Kombëtare e re, Muzeu i Pavarësisë Vlorë dhe Muzeu Etnografik Berat.
“Po përmirësojmë eksperiencën e vizitorëve në 10 site kulturore me sinjalistikë të unifikuar dhe digjitalizim VR, duke bërë çdo vizitë të ndërvepruar dhe të lehtë për publikun.”, tha ministri.
Rijetëzimi i trashëgimisë kulturore përfshin manastiret e Dervicjanit, Shën Mërisë në Goranxi, Shën Ilia në Lekël, Teqenë e Koshtanit dhe Kishat në Zervat, Himarë, Roskovec. Po restaurohen gjithashtu objektet historike: Ujësjellësi i Vranishtit, Kulla e Turanit në Korçë, Pasarela në Kalanë e Lezhës dhe Kalaja e Ali Pashës në Qesarat.
“Për herë të parë kemi një itinerar të Kullave monument kulture, që do të promovojë trashëgiminë dhe traditat në Dibër, Shkodër, Kukës dhe Lezhë.”, vijoi Gonxhja.
Ai përmendi edhe të tjera projekte në zhvillim, si: ristrukturimi i Institutit të Trashëgimisë Kulturore, krijimi i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Pasurive Kulturore dhe integrimi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Agjencinë e Industrive Kreative dhe Audiovizuale.
Ministri bëri me dije se do të dyfishohen buxhetet për institucionet e artit dhe kulturës, për kalendarin e aktiviteteve, mirëmbajtjen e objekteve dhe projektet e bashkëpunimit.
Ligjet e reja dhe rishikimet përfshijnë: Ligjin e Artit dhe Kulturës, Ligjin për Librin dhe Bibliotekat, Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, si dhe të drejtën e autorit, duke garantuar shpërblim të drejtë për artistët dhe mbrojtje të veprave në mjedisin digjital.
Ai u ndal te ligji i sponsorizimit, që rregullon donacionet dhe sponsorizimet për artin, kulturën, trashëgiminë dhe sportin, duke nxitur financimin privat të këtyre sektorëve. Ndërkohë, një tjetër pikë që do të vihet në zbatim është financimi nga kursimet e tenderave, që parashikon krijimin e një fondi të posaçëm, të qëndrueshëm nga kursimet e prokurimeve publike, i cili do të përdoret si burim alternativ financimi për artin, kulturën dhe sportin.
“Do të ndërhyjmë në ligjin e artit të kulturës dhe dhe do ta bëjmë këtë gjë për të dalë me propozime sa më të mira për statusin e artistit. Ligji i sponsorizimit kuptohet është i donacioneve dhe i sponsorizimit, por ka një rëndësi të jashtëzakonshme, si këtu, si në sektorin e sportit, sepse prek natyrisht në radhë të parë këto dy sektorë bashkë me artin e kulturën. Kuptohet edhe trashëgimia nuk përjashtohet, si dhe sporti. Financimi i artit nga kursimi i tendereve është një tjetër mekanizëm, instrument që ne do të miratojmë së shpejti, që ne do të propozojmë për ta miratuar së shpejti, që ka të bëjë me një potencial deri sot të pashfrytëzuar, i cili nuk lidhet me librat dhe me bilancet e buxhetit të shtetit, për momentin që këto kursime shfaqen pas një mbarimi procedure tenderi, prokurimi publik, flasim gjithmonë për prokurime të cilat janë të të njësive, ministrive të qeverisjes qendrore pa përfshirë bashkinë. Ky është propozimi që ne bëjmë në një fond special, i cili do të krijohet dhe do të jetë i mbartshëm vit pas viti. Nuk do të ketë logjikën e mënyrës si funksionon buxheti i shtetit. Do do të ketë një organizim special me një komision ndërministror, i i cili do të jetë pastaj i administruar nga një zyrë pranë, sipas asaj që ne kemi propozuar Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, por kjo mund edhe të përmirësohet rrugës në mënyrë që të kemi një energji tjetër, të kemi një mundësi tjetër, të kemi një alternativë financimi tjetër për artin, kulturën dhe sportin.”
Ministri komentoi dhe dy projektet që janë shoqëruar me debate, ai për menaxhimin e Butrintit, të cilin e cilësoi si model sukesi, por dhe për projektin TID (Transformimi i Integruar i Durrësit), i cili ka hasur në kundërshtitë e banorëve.
Ai e cilësoi si një projekt madhor urban dhe kulturor që synon rivitalizimin e zonës historike të Durrësit, veçanërisht rreth Amfiteatrit Romak, duke e kthyer atë në një qendër të rëndësishme turistike, kulturore dhe hyrëse të Shqipërisë nga Adriatiku.
SIpas tij projekti është një ndërhyrje kombëtare shumë e rëndësishme për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, që përfshin shpronësime dhe sakrifica, por është i domosdoshëm dhe do të ecë përpara. Ndërkohë, investime si Spaçi, sipas tij kërkojnë fonde të mëdha, partnerë dhe planifikim të kujdesshëm për të qenë të qëndrueshme dhe me ndikim afatgjatë.
Komente










