Kumbaro në Francë. 2016-2017
stinë kulturore franko-shqiptare

Kumbaro në Francë. 2016-2017<br />stinë kulturore franko-shqiptare
PARIS- Franca dhe Shqipëria do të kenë një stinë kulturore të përbashkët me rastin e 100 vjetorit të pranisë franceze në Shqipëri. Kërkesa që kryeminstri Edi Rama i ka drejtuar presidentit francez Francois Hollande për të zhvilluar një stinë kulturore të përbashkët franko-shqiptare në vitin 2016-2017, po merr formën e vet këto ditë përmes vizitës së Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro në Francë.
 
Kumbaro, theksoi faktin se "kultura shqiptare mundëson prezantimin e thelbit europian të Shqipërië duke folur në gjuhën e artit e të kulturës."
 
Pozicionimi i Shqipërisë në rrjetin e partnerëve kulturorë të Francës, në planin e arteve dhe të trashëgimisë dhe në fushën e frankofonisë, si dhe përfundimi i projekteve konkrete të bashkëpunimit me shumë institucione kulturore franceze, kanë qenë çështjet më të rëndësishme për të cilat Kumbaro ka diskutuar.
 
Ministrja ka nisur vizitën e saj në Francë nga data 29 janar-3 shkurt. Synimi kryesor i takimeve të shumta është kontributi i kulturës shqiptare në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në Europë, por edhe forcimi i lidhjeve mes dy vendeve tona në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore si ura komunikimi dhe shkëmbimi të vlerave reciproke.
Ajo synon përmes kësaj vizite të arrijë ndërgjegjësimin e përfaqësuesve institucionalë francezë për rolin e projektit për një stinë kulturore të ndërthurur Francë-Shqipëri në  vitin 2016-2017, me rastin e 100-vjetorit të pranisë franceze në Shqipëri.
 
Kumbaro pati edhe një intervistë për “TV5 Monde”, në programin "L’Invitè", me gazetarin e mirënjohur Patrick Simonin, intervistë, e cila u transmetua me titrat:  "Ministrja e Kulturës Kumbaro-për një Shqipëri evropiane".
Ministrja Kumbaro u shpreh e vendosur në garancinë për integrim që i jep Shqipërisë njohja dhe përhapja e kulturës. "Unë besoj fort se as politika, as ekonomia, nuk munden  të bëjnë atë që mundet ta arrijë kultura"- u shpreh Ministrja Kumbaro, e cila garantoi gjithashtu se Shqipëria është duke punuar fort për të vazhduar procesin e integrimit evropian, një aksion me objektiva të qarta dhe konkrete. "Kultura është një zë i rëndësishëm për integrimin tonë evropian dhe ndihmon që Europa të na njohë më thellë dhe më nga afër". Në këtë intervistë të rëndësishme në kanalin më të rëndësishëm francez, i cili transmeton në Evropë, Amerikë Latine, Afrikë, USA, Ministrja Kumbaro theksoi se "ajo që mbetet e rëndësishme në këtë moment është tejkalimi i klisheve, dhe ndërtimi i urave të komunikimit nga të cilat përfitojnë të dy palët."
 
Kumbaro është shprehur se “kultura shqiptare mundëson prezantimin e thelbit europian të Shqipërisë, duke folur në gjuhën e artit e të kulturës."
Imazhi i Shqipërisë në Francë është  i njohur tashmë, me potencialin e saj krijues, falë aktivitetit të artistëve në Francë si Ismail Kadare, Angjelin Prelocaj, Liria Begeja, Anri Sala, Inva Mula, etj. Këto lidhje janë një pikë e fortë për të dy vendet. Kjo vizitë është rasti për të theksuar këto lidhje, sepse kultura shqiptare mund të bëjë të mundur krijimin e imazhit të një Shqipërie evropiane.
Përmes kësaj vizite synohet ndërgjegjësimi i përfaqësuesve institucionalë francezë për rolin e projektit për një stinë kulturore të ndërthurur Francë-Shqipëri në vitin 2016-2017, me rastin e 100-vjetorit të pranisë franceze në Shqipëri.
 
KUMBARO: SHQIPËRI, NDIHMË NË KRIJIMIN E NJË HAPËSIRE FRANKOFONE NË RAJON
 Në takimin me Ministren e Frankofonisë, znj. Yamina Benguigui, u diskutuan probleme të vlerave kulturore të përbashkëta, u theksua se "Shqipëria ëshë një vend frankofon, i cili mund të luajë një rol të rëndësishëm në rajon, duke ndihmuar në krijimin e një hapësirë frankofone për rajonin".  Ministrja Benguigui shprehu gatishmërinë e saj për të diskutuar me të gjithë personalitet e larta të vendit  për një stinë të përbashkët kulturore me Shqipërinë. Në vazhdim të kërkesës që kryeminstri Edi Rama i ka drejtuar presidentit francez Francois Hollande për të zhvilluar një stinë kulturore të përbashkët franko-shqiptare në vitin 2016-2017, Ministrja Kumbaro theksoi faktin se " kultura shqiptare mundëson prezantimin e thelbit europian të Shqipërië duke folur në gjuhën e artit e të kulturës." Aksione kulturore të ndërthurura janë një mundësi  për ekspozita të mëdha rreth  trashëgimisë në muzetë kombëtare,  të financuara nga të dy vendet, aktivitete rreth librave, filmave, produksione vetë veçanta në fushën e artit, turne të alternuara me artistëve të dy vendeve. Ky projekt është strategjik për Shqipërinë pasi ka për qëllim dhënien e një imazhi të ri të vendit, për të rritur lidhjet mes dy kulturave, të bëjë të njohura pasuritë kulturore dhe artistike shqiptare, me rëndësi të medha ekonomike, veçanërisht në drejtim të tërheqjes së turistëve.
 
Në axhendën e takimeve të Ministres Kumbaro , ishte dhe ai me drejtorin e Muzeut të Louvre-it z. Jean Luc-Martinez, me të cilin u diskutuan shkëmbime dhe trajnime specialistësh dhe krijimi i një ekspozite që intereson të dy vendeve tona.
 
Ajo ndodi gjithashtu koncertin e violinistit Alban Pengili në Paris, organizuar nga ambasada e Shqipërisë në kuader të aktiviteteve "Për një imazh të ri të Shqipërisë në botë".
Koncerti u mbajt në Bashkinë e Parisit 7-116 rue de Grenelle, me pjesëmarrjen e Ministres Kumbaro, ambasadorit Dritan Tola dhe shumë personaliteteve franceze dhe shqiptare që jetojnë në Francë.
 
Ministrja u takua me Presidentin e Institutit Francez, Xavier Darcos. Në qendër të bisedës ishin shkëmbimet në nivel akademik mes dy vendeve dhe mbështetja për edukimin përmes artit.
Ministrja Mirela Kumbaro, pati takime të rëndësishme edhe me z.Kishore Rao.drejtor i qendrës së trashëgimisë kulturore-UNESCO, në Paris dhe znj. Cecile Duvelle, shefe e sektorit të trashëgimisë shpirtërore në UNESCO. Në takim u diskutua për një rivlerësim të marrëdhënies me UNESCO. Në takim merrte pjesë dhe Besiana Kadare, ambasadorja e Shqipërisë për Unesco-n.
 
Ministrja Kumbaro vazhdon vizitën e saj në Francë, ku do të takohet me Ministren e Kulturës Aurelie Filippetti, Yves Bigot-Drejtor i Përgjithshëm i TV5Monde, z. Philippe Belaval, President i Qendrës së Monumenteve, z. Angjelin Prelocaj, e të tjerë personalitete të rëndësishme të kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)

 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane