Inteligjenca Artificiale nuk do të jetë e detyrueshme në shkolla por ajo duhet përdorur në mënyrë etike. Gjatë një vizite në Elbasan, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka sqaruar debatin për përdorimin e IA-së në procesin mësimor, duke theksuar se nuk ekziston asnjë vendim apo udhëzim që e bën atë të detyrueshme për nxënësit apo mësuesit.
" Nuk ka asnjë vendim apo udhëzim, dhe dua ta theksoj këtë, që të jetë futur inteligjenca artificiale me detyrim në shkollë. Nuk është e vërtetë, nuk ekziston" tha Kumbaro.
Sipas Kumbaros, është përgatitur, së bashku me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë, një udhëzues që tregon se si Inteligjenca Artificiale mund të përdoret në mënyrë etike.
“Ne kemi përgatitur, bashkë me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë, përgjegjëse për kurrikulat, udhëzuesin se si duhet përdorur inteligjenca artificiale në atë që quhet përdorimi etik. Përdorimi i inteligjencës artificiale jo si detyrim, por si mund ta përdorim që të zhvillojmë mendimin kritik”, tha Kumbaro.
Qasja që përshkruan Kumbaro lidhet edhe me atë që kryeministri Edi Rama tha pak ditë më parë në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për mënyrën se si duhet përdorur Inteligjenca Artificiale.
Rama foli për një IA që duhet të ndihmojë në zhvillimin e aftësive njerëzore dhe jo t’i zëvendësojë ato.
“Ne mund të ndërtojmë një inteligjencë artificiale që mëson, në vend që thjesht të përgjigjet, që orienton, në vend që thjesht të komandojë e që fuqizon qenien njerëzore në vend që qenia njerëzore të bëhet e varur prej saj”, tha Rama.
Edhe Kumbaro e vendosi theksin te i njëjti shqetësim për shkollat: përdorimi i IA-së nuk duhet t’i shtyjë nxënësit drejt rrugës më të shkurtër, por t’i ndihmojë të zhvillojnë mendimin kritik.
“Përdorimi i inteligjencës artificiale duhet të përdoret për të nxitur mendimin kritik, nën udhëheqjen e mësuesve dhe jo të rrisë dembelizmin tek nxënësit”, nënvizoi Kumbaro.











Komente
Komento