Kumbaro: Thirrje koleksionistëve
që të regjistrojnë veprat e artit

Kumbaro: Thirrje koleksionistëve<br />që të regjistrojnë veprat e artit
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në një intervistë për Report TV pas çeljes së ekspozitës së ikonave të sekuestruara të Gjergj Thimjos në Muzeun historik Kombëtar u bënë thirrje koleksionistëve që të respektojnë ligjet dhe ata që nuk kanë regjistruar veprat e artit, t’i regjistrojnë ato. Më tej Kumbaro pohon se edhe vetë ligji ka nevojë të plotësohet për sa i përket koleksioneve private dhe muzeve private e publike. Ministrja Kumbaro rrëfen ndër të tjera se trashëgimia ikonografike po pasurohet falë bashkëpunimit me UNESCO e më gjerë.
 
Zonja Kumbaro, dihet që sekuestrimi i ikonave ka qenë një aventurë e gjatë edhe institucionale, edhe qeveritare edhe me proceset ligjore, që nisi si një marrëdhënie me një koleksionist që në fillim ka qenë i licencuar dhe pastaj del që ka abuzime me këtë koleksion, si është vendosur kjo marrëdhënie tani e Ministrisë së Kulturës apo edhe e shtetit me koleksionistin?
-Në radhë të parë unë dua të jap një mesazh për të gjithë koleksionistët. Të jesh koleksionist veprash arti është një cilësi shumë e mirë dhe të gjithë duhet të jenë të nderuar që bëjnë koleksione, por duhet ta bëjnë këtë në respekt të ligjit të trashëgimisë dhe rregullave. Ata duhet të jenë gjithashtu edhe bashkëpunëtorë me institucionet e trashëgimisë kulturore në radhë të parë për veprat e tyre. Përfitoj nga rasti që t’iu bëj thirrje të gjithë koleksionistëve që nuk i kanë të regjistruara veprat e tyre të artit që t’i regjistrojnë ato, sepse iu vlerësohet pasuria dhe lehtësojnë lëvizjet e tyre. Kjo lëvizje bëhet në rrugë të ligjshme, duke kaluar nga Qendra e Inventarizimit të pasurive kulturore. Kështu që një bashkëpunim nëpërmjet institucioneve tona është në interes të privatit dhe në interes të trashëgimisë kulturore. Për ne detyra ishte që mbas sekuestrimit të gjithë këtij koleksioni të merrnim përsipër ruajtjen e administrimin sidomos që në momentin që kjo pasuri me vendin gjyqi iu kalon institucioneve të trashëgimisë. Këtë detyrë e kemi kryer duke ruajtur çdo element, duke i dokumentuar, certifikuar, duke i ekspozuar dhe duke i vënë në interes të publikut. Pastaj seleksionimi i tyre e mënyra si do të ekspozohen është një detyrë shumë e gjatë. Sot ne garantojmë se ato që u sekuestruan nga koleksioni i Gjergj Thimjos i kemi të plota e të ruajtura, të dezinfektuara dhe në shërbim të publikut.
 
Për sa ju jeni në dijeni përveç përçudnimit të atij dollapit me ikonostase që shihet qartë, ka pasur përçudnime të tjera të kësaj natyre në koleksionin e Thimjos?
-Ka pasur disa objekte që sikurse ju i patë. Por sot ka rëndësi që të japim shembullin se, askush nuk ka të drejtë të përçmojë apo cenojë trashëgiminë në mënyrë të paligjshme se do të ketë penalizime, por nga ana tjetër gjithkush që kërkon të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë është i mirëpritur që ta bëjmë së bashku kundrejt gjithë rregullave të parashikuara nga ligji për trashëgiminë.
 
Procesin e inventarizimit përveç materialit konkret, a e pengon edhe certifikimi i datimeve historike apo të përkatësisë së trashëgimisë?
-Ka qenë një proces i vështirë dhe 15 ekspertët që kanë punuar dëshmojnë në raportin e tyre të gjitha vështirësitë me natyrë dokumentare, me natyrë estetike e historike. Sot kemi një katalog që ka përfunduar dhe që është jo vetëm dokument, por edhe një model sesi punohet në regjistrimin e veprave kulturore.
 
Ju përmendet se në sekuestrimin e këtyre ikonave policia ka pasur një punë të vështirë. A është kjo për shkak se ligji nuk i ka të qarta nenet për mbrojtjen e trashëgimisë ose si duhet të bëhen koleksionet apo ka të tjera mungesa nënligjore?
-Në fakt ligji për trashëgiminë e thotë qartë mënyrën sesi mbrohet dhe sesi përcillet pasuria kulturore. Nga ana tjetër ligji, si ai i muzeve apo ligji i trashëgimisë kulturore ka hapësira që lënë vend për interpretim dhe ka nevojë të plotësohet për sa i përket koleksioneve private dhe muzeve private. Kjo ndodh sepse tendenca e koleksioneve private është e vonët, pra nuk kemi një përvojë të konsoliduar. Edhe kjo përvojë na shërbeu për këtë se në draftligjin e ri për trashëgiminë kulturore që jemi duke përfunduar, ne u kemi kushtuar një vëmendje të veçantë disa elementëve që nuk gjenden në ligjin e sotëm si lëvizja e pasurive kulturore të lëvizshme, certifikimi i tyre, raporti i koleksionistëve privatë me koleksionin publik, raporti i individit me institucionin publik dhe ky draftligj që do paraqitet për miratim brenda vitit do plotësojë mangësitë që janë plotësuar falë ekspertizës dhe bashkëpunimit të policisë e prokurorisë me ekspertët e trashëgimisë.
 
Nëse nuk është sekret, sa i ka kushtuar shtetit kjo lëvizje ikonash nga sekuestrimi, lëvizjet në muze, apo për ruajtjen dhe restaurimin?
-Kjo nuk është fare sekret, pasi i ka kushtuar fondin e pagave që marrin ekspertët. Ka kushtuar më shumë mund e përkushtim sesa kosto. Ekspertët kanë punuar jashtë orarit zyrtar. Nuk ka pasur asnjë financim plus, është e gjitha brenda buxhetit të Ministrisë së Kulturës.
 
Për ato objekte që kanë vlera muzeale dhe dihet që muzealizimi është një pjesë e vështirë, se kalon në proces restaurimi, konservimi e më gjerë çfarë do të bëhet dhe sa do të zgjasë ky proces?
-Kjo ekspozitë është një hap drejt muzealizimit të këtij koleksioni dhe është moment që duam ta ndajmë me publikun që të kuptojmë edhe reagimin e publikut ndaj këtij arti, që do e gjejmë edhe të hënën në Muzeun e Korçës të artit mesjetar. Këto procese që përmendët duan kohë. Nuk mjaftojnë vendimet. Ne jemi në diskutime me institucionet dhe Muzeun Historik Kombëtar për të lënë një pjesë brenda muzeut historik kombëtar, një pjesë në Muzuen e Korçës e një pjesë në Muzeun e Beratit dhe kjo duhet bërë me pjekuri e maturi. Ne bëmë këtë muzealizim të përkohshëm.
 
Ju na lajmëruat se ka një ekspozitë të ikonografisë në Korçë?
-Jo nuk ka një ekspozitë të ikonografisë në Korçë, por do të ketë një muze të ri që hapet për së pari me në një ndërtesë të re me një koncept të ri modern ku do ruhen, ekspozohen dhe konservohet koleksioni prej 6500 objektesh që është tashmë pjesë e muzeut kombëtar të artit mesjetar në Korçë. Bëhet fjalë për një muze të ri permanent.
 
Faleminderit për saktësimin, dhe tani le të flasim për marrëdhëniet me institucionin e trashëgimisë botërore UNESCO, çfarë të mirash kanë prurë?
-Ne ndajmë me UNESCO-n të gjitha informacionet për sitet e regjistruara, por edhe informacionet e tjera. Konkretisht për Muzeun e Korçës ne kemi qenë në bashkëpunim me qendrën e artit mesjetar në Selanik dhe është krenari për t’i treguar UNESCO-s se çfarë ekspertize bën Shqipëria për ruajtjen e vlerave dhe pasurisë së trashëgimisë.
 
Në këtë koleksion a mungon ndonjë vepër që humbja e saj do të përbënte një skandal për trashëgiminë, ose ndonjë që duhej patjetër të ishte këtu?
-Ne i kemi vlerësuar që të 476 objektet. Ato janë të regjistruara si objekte me vlerë brenda fondit publik të trashëgimisë. Prej tyre kemi përzgjedhur 62 për eskpozitën që i konsiderojmë më interesantet dhe që janë në gjendje më të mirë edhe për t’u prezantuar dhe të gjitha janë me vlerë.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Ka disa gjëra për të rishikuar... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Ka disa gjëra për të rishikuar... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot