Juristi Kristaq Kume, ekspert i Kodit Zgjedhor thotë se djegia e mandateve të deputetëve nga një parti e opozitës, nuk e bën jofunksional parlamentin që ende i mbetet një mazhorancë e thjeshtë votash. Por gjithsesi sipas tij, ky parlament nuk do të merrte merrte dot të gjitha vendimet në funskion të mirëqeverisjes.

“Djegia e mandateve është veprim ekuivalent me atë të dorëheqjes ndaj një mandati të caktuar. Pra është një veprim që nuk ka asnjë ngërç ligjor, përpara se ai të realizohet. Nëse realizohet një gjë e tillë do të thotë që në Kuvendin e Shqipërisë krijohen vakancat dhe për pasojë Kuvendi duhet të njoftojë KQZ-në për të plotësuar vakancat.

Mënyra si duhen plotësuar vakancat në këtë rast nuk është e shprehur direkt në Kodin Zgjedhor, por për analogji mund të përdoret rasti kur parashikohet në ligj vakanca e krijuar nga një deputet i pavarur. Që do të thotë, në qoftë se KQZ do të thërrasë anëtarët e PD-së në listë dhe asnjë prej tyre nuk pranon të marrë mandatin, ky institucion duhet t’ia ofrojë mandatin, subjektit zgjedhor me herësin më të madh që ka.

Por e gjitha kjo për mendimin tim është një teknikë legjislative dhe që problemi me të cilin jemi duke u ndeshur nuk duhet të trajtohet në këtë aspekt, por për efektin që ai sjell në jetën politike dhe në qeverisjen e gjithë vendit. Ne jemi një shoqëri që kemi pranuar të qeverisemi sipas parimit të përfaqësimit nëpërmjet zgjedhjes së deputetëve dhe krijimit të mazhorancës dhe opozitës.

Duhet të jenë të dyja sëbashku që të mund të mirëqeverisemi. Nëse opozita largohet do të thotë që kushtet për t’u mirëqeverisur zvogëlohen deri në minimume. Pra Kuvendi mund të funksionojë në këtë përbërje që ka. Mazhoranca i ka numrat për të hapur punimet në Kuvend, për të marrë vendime, jo vendime me shumicë të cilësuar, por gjithçka që mund të bëhet në raste të tilla nuk është ajo që kërkohet të bëhet në një shoqëri që duhet qeveriset sipas parimit që unë thashë. Që do të thotë se një vendim i tillë i PD-së duhet të bëjë që mazhoranca të reflektojë dhe të gjeë zgjidhje për ta ç’bërë këtë situatë ngërçi të pritshme që mund të krijohet”, tha Kume.