Erion Isufi, kunati i kreut të opozitës, Lulzim Basha, ka paditur sot për shpifje dhe fyerje kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Isufi e ka depozituar padinë e tij në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin dhe Organizuar.

Në padinë e tij, Isufi ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme të shpallë fajtor Veliajn për akuzat që ky i fundit se pala paditëse zotëronte katër vila dhe i kishte përfituar ato gjatë periudhës së pandemisë, duke fshehur qëllimisht të vërtetën rreth kësaj çështjeje.

Në padinë e tij Isufi shprehet se këto deklarata Veliaj i ka bërë më 14 janar 2021 gjatë takimeve elektorale në Tiranë, ndërsa si motiv pretendon se janë akuza me qëllim që të dëmtojë perceptimin e publikut për viktimën e akuzave si familjar i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Kunati i Lulit kishte aplikuar në Bashkinë e Tiranës për vilën e pestë – një pafytyrësi! Ti jep njëherë një kuti me ndihma ushqimore apo një kontejneri për familjet e tërmetit. U thashë ta harrojnë lejen për vilën e pestë! Mirë që i shtojnë vilat në vit pandemie, por aplikojnë edhe për një tjetër. Lejen për vilën e pestë do ta marrin vetëm kur të falin një nga katër vilat e tjera. Flasin për varfëri dhe aplikojnë për vila, pafytyrësi”, citon Isufi si fjalë të Erion Veliaj gjatë takimit elektoral në padinë e tij.