Ka thënë njëherë Artan Lame se ushtria, në 100 vite shtet, na është dashur dy herë; njëherë në 1939-ën, kur duhet të armatoste popullin për të mbrojtur vendin dhe, një herë tjetër në 1997-ën për të mos armatosur popullin, përsëri për të ruajtur vendin. Në të dyja rastet ushtria dështoi me sukses! Nuk kam se çfarë t’i heq e as t’i shtoj kësaj gjetje origjinale të Lames! Gjithë ato para të shpenzuara për paga, dieta, grada e salltanete, topa, tanke, municione, të cilat po i shesim sot shumë më lirë se i blemë, praktikisht kanë shkuar dëm.

Kapitenë, majorë, admiralë (me kundër përpara) e gjeneralë janë sot me shumicë në radhët e Forcave të Armatosura, të cilat përvec se s’kanë ushtarë s’kanë as luftë për të bërë. E vetmja luftë është ajo me ministrat e e Mbrojtjes për pagesat, gradat dhe vendet e punës. Natyrisht, në këtë arsyetim nuk përfshihen një grup vërtet profesionist i komandove, që janë pjesë e një lufte reale në terren si Irak dhe Afganistan. Pjesa tjetër e ushtarakëve, që janë shumica, vetëm kërkojnë grada dhe lavde pa bërë njëherë të vetme luftë reale në terren!

Kristaq Gerveni, admiral (kundër) qenka sistemuar në misionin e Shqipërisë në NATO (këto ditë e mora vesh) si shpërblim për punën e “shkëlqyer” që bëri për marrëveshjen e detit me Greqinë.  Refuzimi i tij për të dorëzuar detyrën, mandati i të cilës ka mbaruar, është një shprehi tipike e ushtarakut me gradë, por pa lavdi. E vetmja “luftë”, e cila iu besua, ishte të mbronte detin. Atë betejë e humbi me sukses, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës ia hodhi poshtë ndarjen e kufirit. Logjika ta do që pas kësaj humbje, ushtaraku ç’gradohet dhe nxirret nga Forcat e Armatosura. Meqë logjika nuk del dot mbi meritokracinë politike, këto ushtarakë gradohen si shpërblim politik për betejën e humbur. Kjo është Shqipëria e demokratikasve të drejtuar nga plus njishi i sotëm.

Aq shumë janë të karikuar ky soj ushtarakësh, saqë duket sikur kanë fituar luftëra e beteja në shkallë botërore. Madje ka disa që mendojnë se NATO pa ata do ishte një hiç! Kjo mendësi ju errëson logjikën dhe nuk ju bëjnë më sytë dritë për të kuptuar as faktin se kur të mbaron mandati, detyra dorëzohet. Zotëria kundër admiral, në fakt guxoi dhe të reagonte ndaj njoftimit të ministres së Mbrojtjes, pikërisht i nisur nga logjika e emërtesës politike të partisë që emëroi, por që sot është në opozitë. Nga ky këndvështrim, admirali kundër Gervenji nuk del dot nga modeli i ushtarakut tipik politik, që kur nderon, nuk çon dorën te koka, por ul kokën te dora, sa herë që i del parasyve politikani që e ka graduar.

Meqë ministri sotëm i Mbrojtjes është i partisë tjetër, nuk e nderon as me kokë e as me dorë, por reagon si cub elektronik. Pika ushtarakut Kundër Admiral!
Kundër Presidenca (President nuk ka) reagoi menjeherë politikisht për emërtesën e radhës politike të partisë që i bashkon. Edhe Kundër Presidenca reagoi paburrnisht për këtë ngjarje. Për Kundër Komandantin, kundër President të Republikës, nuk kanë rëndësi hiç as fakti që një Kundër Admiral është graduar padrejtësisht, as fakti që këtij Kundër Admirali i ka mbaruar mandati, as fakti edhe më skandaloz që ky zotëri e shet sistematikisht detyrën dhe vendin e tij (tashmë kërkon punë si civil në Bruksel) dhe as fakti që ky ushtarak reagon jashtë çdo etike zyrtare në komunikim me eprorët e tij. Për Kundër Presidentin vlen vetëm kundër reagimi i ndaj ministres së partisë së kundërt me partinë e Kundër Presidentit! Vetëm logjikë shteti dhe institucioni nuk ka këtu!

Kam pasur gjithmonë përshtypjen se Shqipëria është në NATO jo për shkak të ushtrisë, po për shkak të rreshtimit politik të unifikuar të shtetit shqiptar në tërësi në favor të kësaj aleance të fuqishme. Po të ishte thjesht për një ushtri që s’ka bërë luftë asnjëherë me askënd, përveçse me veten, nuk do ishim kurrë në këtë Aleancë. Gërdeci ishte në fakt prova më e dukshme se sa larg ishte ushtria nga standardet e ushtrisë së NATO-s. Asnjë ushtri e NATO-s nuk krenohet dot me faktin se po ç’armatos veten duke i çuar armët për skrap. Në asnjë standard të NATO-s nuk ka ushtarakë të lartë të tipit Gërvenji që gradohen kur dështojnë.

Sfida politike e shtetit tonë është ndërtimi i një ushtrie, jo detyrimisht të madhe, por efektive, që t’i përgjigjet nevojës së shtetit anëtar të NATO-s dhe jo të gradave pa lavdi që fitohen me pilaf dhe tendera politikë. Personalisht jam kundër gradave të larta në ushtri që s’ka bërë asnjë luftë. Gradat lidhen me suksesin e betejave dhe jo me sasinë e pilafit që ofrohet nga pushteti politik. Kjo logjikë do të na rifokusojë më mirë energjitë në sektorë më të rëndësishëm sesa gradat e salltanetet fiktive të ushtarakeve. Ndoshta me këtë logjikë do të mund të kthehet edhe Kundër Presidenti i një shteti politik në President të një shteti dinjitoz.

Shkrimi u publikua sot (30.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)