Për herë të parë Atalanta dhe Bayern Munich do takohen në Champions League, sfidë e cila luhet sot në orën 21:00 dhe vlen për fazën e 1/8-ave. Përpara ndeshjes foli për mediet trajneri i italianëve, Raffaele Palladino. Ai tha se mbrëmja e sotme do jetë diçka 'magjike' dhe të tijtë do provojnë të bëjnë mirë në Bergamo.
"Për ne do të jetë një natë magjike, shumë e bukur, që duam ta shijojmë. Është ëndërr të përballesh me Bayernin, një nga skuadrat më të forta në botë dhe ndoshta më në formë në pesë kampionatet kryesore evropiane. Ndoshta është një ndeshje si ‘Mission Impossible’, do të duhet një mrekulli. Sidoqoftë, ëndrrat ekzistojnë dhe duam ta luajmë shansin tonë", tha italiani.
Atalanta është e vetmja skuadër italiane ende në garë dhe Palladino e sheh këtë si krenari.
"Është kënaqësi të përfaqësosh gjithë Italinë. Kemi marrë shumë mesazhe inkurajimi nga kolegë dhe ish-lojtarë të Fiorentinës dhe Monzës. Nuk duhet ta ndryshojmë identitetin tonë. Duhet të mbajmë ritëm dhe intensitet të lartë", vijoi trajneri.
Palladino përmendi edhe mungesat e rëndësishme të Giacomo Raspadorit, Charles De Ketelaere, Ederson dhe Giorgio Scalvinit.
"Nuk shoh kush mungon, sepse jam i sigurt që kush do të zbresë në fushë do të japë gjithçka për këtë fanellë", tha mes të tjerash Palladino.
Lajmi kryesor:
Sot katër përballje gjigantësh, Champions League luan aktin e parë për fazën e 1/8-ave në dy ditë! Barcelona, Bayern e Liverpool në fushë





