Protesta e banorëve të 11 fshatrave në Mirditë në lidhje me problemin e rrugës që ka izoluar zonën e tyre ka vëmendjen e Prefektit të Lezhës Eduart Ndreca.
 
Ky i fundit ka zhvillua një takim me një përfaqësi të banorëve të këtyre fshatrave ku të pranishëm kanë qenë dhe përfaqësues të firmës turke që po ndërton hidrocentralin mbi Lumin Fan.
 
Prefekti Ndreca bëri të ditur se i është kërkuar firmës që rruga e re të ndërtohet me të gjitha parametrat siç është e parashikuar në projektin fillestar, në të kundërt do të përballet me penalitete.
 
“Sot ishin edhe përfaqësues të firmës turke, edhe banorët. Besojmë që dakortësuam gjithçka në kërkesat që kishin banorët në lidhje me punën për rrugën e re. Unë u garantova të gjithë banorëve që do të përdor të gjithë forcën ligjore dhe institucionale në shërbim të rrugës së re. Kështu që unë i kërkova firmës turke të jetë totalisht e disponueshme për banorët në mënyrë që të mos kemi më ankesa. Në rast të kundërt unë do të jem përkrah banorëve, deri të bëhet gjithçka si është parashikuar në projektin e miratuar dhe nga Bashkia e Miriditë”, shprehet  Prefekti Ndreca.
 
Janë 5 mijë banore të cilët prej tre javësh po lëvizin përmes një rruge të shkatërruar dhe të rrezikshme, pasi segmenti ekzistues që i lidhte ata me Rrëshenin është bllokuar nga HEC-i që është ndërtuar në këtë zonë, pa ju mundësuar më parë atyre një rruge tjetër me standarde.

Mirditë, banorët në protestë:Duam rrugën ose s’votojmë
Prej tre javësh, banorët e 11 fshatrave në Mirditë kanë protestuar  në lidhje me rrugën që i është prishur nga një firmë turke që po ndërton hidrocentrale.

Ato shprehen se shkatërrimi i rrugës ka ndikuar tek rreth 10 fshatrat të Mirditës të cilat lidhen me qytetin e Rreshenit.

Sipas tyre fëmijët kanë ndërprerë shkollën pasi mjeti i tyre e ka të pamundur të kalojë për shkak të pjerrësisë që ka rruga.

 
Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)