GREQI- Laert Haxhiu do të ekstradohet në drejtim të Tiranës. Gjykata e Apelit të Janinës në Greqi ka pranuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për kthimin e tij në Shqipëri, i kërkuar për dënimin me 18 vite burg për një ngjarje të ndodhur vite më parë, por edhe të dhjetëra ngjarjeve të tjera kriminale të zbardhura në 3 muajt e fundit.

Lajmi konfirmohet për Report Tv nga burime pranë Ministrisë së Brendshme, e cila ka ndjekur me interes të lartë vendimin e fqinjëve. 31-vjeçari lushnjar ka edhe një mundësi të fundit në shtetit helen për të kundërshtuar vendimin e ekstradimit, edhe pse lejimi është vendimi i Apelit të Janinës është i formës së prerë.

 Në vijim pritet që Haxhiu dhe mbrojtësit e tij ta dërgojnë çështjen në Gjykatën e Lartë greke, e cila jep vulën përfundimtare të fatit të ekstradimit të tij. Më herët, një gjykatë e shkallës së parë në Janinë kishte refuzuar ekstradimin e tij për në Shqipëri, megjithatë, dërgimi i dokumentacioneve shtesë nga vendi ynë ka arritur të bind togat e zeza greke për të ndryshuar vendimin nga apeli. Laert Haxhiu u fundos përfundimisht pas dëshmisë së të penduarit Artan Tafani, i cili rrëfeu përfshirjen e të dyve, por edhe një grupi të madh personash në 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 4 vrasje në Shqipëri dhe 2 të tjera në Greqi.

Artan Tafani dha detaje të vrasjeve që kishin mbetur të pazbardhura nga autoritetet, por ajo që tronditi më shumë ishte planifikimi i Haxhiut për të vrarë persona të drejtësisë. Në mesin e tyre ishte prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe ajo e Lushnjës, Merita Selimi, për të cilat me urgjencë të madhe u mor vendimi për mbrojtjen e tyre. Në muajin korrik Haxhiut iu provua edhe autorësia e një tjetër vrasje, ajo e Besnik Hidës, i afërm i Zamir Latifit, njërit prej viktimave të masakrës së Lushnjës në 2017-ën.

Për këtë të fundit Haxhiu po gjykohet në Gjykatën e Posaçme, ndërsa me burgim të përjetshëm janë dënuar më herët bashkëpunëtorët Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.