Kupa e Botës në Skitë Alpine për femra vijon këtë fundjavë me dy gara të rëndësishme që do të zhvillohen në Spindleruv Mlyn të Çekisë, ku në qendër të vëmendjes do të jetë edhe skiatorja italo-shqiptare, Lara Colturi.

Të shtunën, më 24 janar, është programuar gara e Slalomit Gjigant, ndërsa të dielën, më 25 janar, do të zhvillohet gara e Slalomit. Lara Colturi do të marrë pjesë në të dyja disiplinat, duke synuar të përmirësojë pozicionin e saj në renditjen e përgjithshme.

Lëshimi i parë në Slalomin Gjigant të së shtunës do të fillojë në orën 10:00, ndërsa lëshimi i dytë është planifikuar për orën 13:00. Të dielën, në Slalom, lëshimi i parë do jetë në orën 09:30 ndërsa i dyti në orën 12:15.

Këto gara vijnë pas paraqitjes së fundit të Colturit në Kronplatz, ku 19-vjeçarja u rendit në vendin e 20-të në Slalomin Gjigant, në një konkurrencë shumë të fortë në ndalesën e radhës të Kupës së Botës.

Aktualisht, Lara Colturi mban vendin e dhjetë në renditjen e përgjithshme sezonale, me 445 pikë të grumbulluara.