Flamurtari dhe Kukësi është finalja e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2013-14. Pas një rrugëtimi të gjatë janë mësuar dy ekipet që do të diskutojnë trofeun e dytë në futbollin shqiptar. Ndeshja më e fortë, por për fat të keq pa tifozë u zhvillua në Korçë mes Skënderbeut dhe Flamurtarit. Atë që nuk e bëri dot në Vlorë, ekipi i drejtuar nga Gjoka e bëri brenda në Korçë duke shënuar dy gola për të siguruar kualifikimin, pasi ndeshja e parë përfundoi me rrjeta të paprekura.

Ndeshja nisi e mirë për ekipin mik që kaloi në avantazh shumë shpejt në minutën e 19 me Licajn, i cili përfitoi nga një rrëmujë në zonën e Skënderbeut duke mundur në një duel portierin Shehi dhe dërguar topin në rrjetë. Goli çorienton vendasit që pas golit humbasin ritmin e lojës duke pësuar dhe golin e dytë, i cili erdhi sërish nga një goditje.

Në minutën e 38 miqtë krosojnë rrezikshëm nga këndi, mbrojtësit vendas largojnë topin, por jo rrezikun, pasi Telushi ishte në një pozicion mjaft të mirë që nuk heziton duke lëshuar një predhë në drejtim të portës, së cilës Shehi nuk mundi t’i bënte asgjë për ta ndalur. Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë.

Në të dytën Dimo fiton një penallti të dyshimtë, por kapiteni Shkëmbi nuk tregohet i saktë duke e humbur dhe shuar shanset për ekipin e Skënderbeut për të hapur sfidën. Theksojmë që për shumë minuta në pjesën e dytë Skënderbeu luajti me një futbollist më pak, pas largimit me të kuqe të Radas pasi ndali në mënyrë të padrejtë një nga futbollistët miq. Në minutat e mbetura të ndeshjes ekipi i Flamurtarit krijoi edhe disa raste të tjera për të thelluar rezultatin, por nuk u tregu i saktë para portës.

Kështu, në minutën e 88’ Pepa kishte një rast të artë për të shënuar, pasi ishte i vetëm me Shehin, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë, teksa Abilaliaj ishte i lirë dhe nëse do të kishte marr një pasim mund të kishte trefishuar shifrat. Megjithatë hakmarrja e Flamurtarit ishte e ëmbël edhe me 2-0, teksa Skënderbeu detyrohet pranojë humbjen e tretë radhazi, pasi asaj me Vllazninë dhe Tiranën në kampionat.

Teuta-Kukësi
Kukëi vazhdon që të shkruajë historinë në futbollin shqiptar, pasi siguron për herë të parë finalen e Kupës. Teutës nuk i dolën parashikimet në Durrës duke mos arritur të kualifikohet në finalen e Kupës, pasi edhe ndeshjen e dytë e humbi me Kukësin 0-1.

Pas humbjes së parë 3-2 ekipi bregdetar kishte shpresë se mund të kalonte në finale, por Starova u dhuroi humbjen e tretë radhazi në një hark kohor të shkurtër në Kupë dhe kampionat. Heroi i takimit ishte sërish Boya, i cili zhbllokoi rezultatin në fillim të ndeshjes në minutën e 14 duke dekurajuar vendasit.

Trajneri Biturku dhe tifozeria mundohen që të inkurajojnë ekipin që të reagojë për të barazuar dhe shpresuar për fitimin e ndeshjes, por deri në fund mbeti në fuqi goli i Boya-s duke e dërguar rezultatin final në 4-2 për Kukësin. Finalja e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet në 17 maj 2014 në një stadium të përcaktuar nga FSHF-ja.