Në katër ndeshjet e para të fazës së 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë që u zhvilluan këtë të shtunë, klubet e Superligës siguruan një biletë për në fazën çerekfinale. Tirana dhe Bylisi nuk e patën të lehtë pasi iu deshën 120 minuta për të mposhtur Skënderbeun dhe Laçin. Më tej edhe Partizani dhe Dinamo. Sot në orën 16:00 marrin jetë edhe katër sfidat e tjera që plotësojnë panoramën e plotë të skuadrave të kualifikuara në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Në stadiumin "Selman Stërmasi" Tirana vuajti, por në fund fitoi 2-1 kundër Skënderbeut. Bardheblutë kaluan në epërsi me golin e Myslovic pas 41 minutave lojë, para se Janaqi të barazonte në minutën e fundit të kohës së rregullt. Shtesa prej 30 minutash solli golin e Ettiene Tares për Tiranën që kalon më tej.

Vuajtje edhe për Bylisin që në Ballsh fitoi 3-2 kundër Laçit pas 120 minutave lojë. Koha e rregullt u mbyll 2-2, me vendasit që shënuan me Mouctar dhe Mustapha, ndërsa Muhammad dhe Jiakponna gjetën golat për miqtë. Në minutën e 107-të Abdullahi shënoi golin e fitores për Bylisin.

Në "Air Albania" Dinamo kaloi pa vështirësi 3-0 ekipin e Besës. Bernard Berisha, Dejvi Bregu dhe Hekuran Berisha shënuan për të besuarit e Ilir Dajës. Sukses edhe për Partizanin që mposhti 3-0 Burrelin me supergolin e Human, Contreras dhe Skukës.

Ndeshjet e fazës së 1/8-ave janë me një takim dhe për përcaktimin e çifteve çerekfinaliste do të hidhet short i lirë ndërmjet tetë skuadrave që do të sigurojnë kualifikimin në këtë fazë. Ekipet e kualifikuara do të ndahen në dy vazo, 1 dhe 2.

Kupa e Shqipërisë, faza e 1/8-ave:

E shtunë, 10 janar 2026

13:00

Bylis 3-2 Laçi pas 120 minutave lojë

Dinamo 3-0 Besa ('Air Albania Stadium')

KF Tirana 2-1 Skënderbeu ('Selman Stërmasi') pas 120 minutave lojë

Partizani 3-0 Burreli ('Arena e Demave')

16:00

AF Elbasani - Flamurtari

Egnatia - Apolonia

Teuta - Vora

Vllaznia - Pogradeci