Prishtina do t’i bëjë të qartë ndërmjetësit europian të bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit, Robert Kuper, se nuk do të ketë rifillim tw dialogut pa zbatuar më parë marrëveshjen.

Kuper pritet të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin javën e ardhshme në kuadër të përpjekjeve për të rifilluar dialogun dhe gazeta kosovare Ekspress shkruan se Kosova do të jetë e prerë në qëndrimet e saj.

“Kuper do të kërkojë rifillimin e dialogut dhe njëkohësisht edhe zbatimin e marrëveshjeve nga të dyja palët”, ka thënë një zyrtar i BE-së në kushtet e anonimatit, raporton Express.

Ndërkohë që zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vendosur të mos bisedojë me palën serbe pa u zbatuar marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel.

Tahiri nënvizoi se nuk ka asnjë arsye të bisedohet më tutje pa u zbatuar shtatë marrëveshjet, të cilat kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë, menaxhimin e integruar të kufijve, njohjen e diplomave, kthimin e regjistrave kadastralë etj.

Presidenti serb Tomisllav Nikoliç ka thënë se Serbia është e gatshme për kompromis. Por, zyrtarë të BE-së thonë se para vjeshtës vështirë se do të ketë takime të reja mes Prishtinës dhe Beogradit.
(sg/shqiptarja.com)