Kupola e RTSH kërkoi shtim privilegjesh 3 javë pas shkarkimit të Thoma Gëllçit, shpërblimi 1.5 mijë USD në muaj për Leka Bungon dhe 1 mijë USD për anëtarët e Këshillit Drejtues

Kupola e RTSH kërkoi shtim privilegjesh 3 javë pas shkarkimit të Thoma Gëllçit, shpërblimi 1.5 mijë USD në muaj për Leka Bungon dhe 1 mijë USD për anëtarët e Këshillit Drejtues

TIRANË- Paraditen e 17 qershorit 2021, Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik është mbledhur për të shqyrtuar një kërkesë të pazakontë. Kupola drejtuese e Radio Televizionit Shqiptar kërkonte dyfishimin e privilegjeve financiare dhe shtimin e strukturave të reja burokratike dhe parazitare. Kërkesa është firmosur nga kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH, Leka Bungo, në 8 qershor 2021, vetëm 3 javë pas konstituimit të këshillit të ri. 

Pas katapultimit në krye të Këshillit të ri Drejtues të RTSH, Leka Bungo ka propozuar shkarkimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, Thoma Gëllçi, të cilit i kishte mbaruar mandati. Në 21 prill 2021, 8 anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH kanë votuar pro propozimit të Bungos për shkarkimin e Gëllçit. Tre javë më pas, në 8 qershor 2021, Bungo ka menduar për ‘t’u kthyer reston’, duke i propozuar Kuvendit shtimin e shpërblimit mujor për anëtarët nga 460 mijë lekë që e kishin në mbi 1 milionë lekë ose rreth 1 mijë USD në muaj, si dhe për shtimin e shpërblimit për veten e tij, nga 550 mijë lekë që e kishte, në 1.5 mijë USD në muaj.

Si mos të mjaftonin shpërdorimet dhe abuzimet e gjithanshme në RTSH, të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport voluminoz, një staf i fryrë, nepotik dhe klientelist prej 900 punonjësish (ku gjysma paguhen me paratë publike pa bërë asgjë), emisione që nuk i sheh askush, gjithfarëlloj strukturash burokratike dhe klanore etj., Këshillit i ri Drejtues i RTSH, përmes një prej akteve të para të tij, ka kërkuar rritjen shpërblimit mujor për vete, përtej realitetit të pagave dhe shpërblimeve në vend. 

Në kërkesën drejtuar Kuvendit, Leka Bungo kërkon trefishimin e shpërblimit mujor për veten e tij si dhe dyfishimin për anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH: Ilir Keko, Gëzim Podgorica, Arlinda Reçi, Engjell Ndocaj, Milena Selimi, Genc Permeti, Dionis Papadhimitri dhe Thanas.  

Në kërkesë nuk shënohet një shifër fikse për shpërblimin mujor, por nga diskutimet në Komisionin e Mediave, zbulohet se Bungo kërkon shpërblim mujor për vete sa paga e kryetarit të AMA si dhe për anëtarët sa paga mujore e nënkryetarit të AMA. 

“Në memon që na ka ardhur nga Shërbimi i Monitorimit, bëhet krahasimi me anëtarët e bordit të AMA-s, më konkretisht me kryetarin e AMA-s dhe nënkryetarin e AMA-s, të cilët janë me kohë të plotë pune...”, ka pohuar deputetja Mirela Kumbaro, gjatë diskutimit në Komisionin e Medias. 

Paga e kryetarit të AMA është sa 60 % e pagës së Presidentit të Republikës, konkretisht rreth 1.5 milionë lekë ose 1.5 mijë USD. Ndërsa paga e nënkryetarit të AMA është sa 40 % e pagës së Presidentit ose rreth 1 mijë USD në muaj. 

Jo vetëm kaq. Pas largimit të Thoma Gëllçit, dyshja Bungo-Martin Leka mësohet se kanë ndërmarrë lëvizje të tjera, të cilat konsistojnë shtimin e këshillave të tjera parazitare dhe burokratike, frytjen e këshillave aktualë me rrethin e tyre etj. Këto lëvizje për interesa financiare personale janë ndërmarrë pas largimit të kryetarit Thoma Gëllçi dhe para operacionit të SPAK për arrestimin e tij, për një tender të dyshuar si abuziv, tender i cili është vetëm maja e ajsbergut në raport me abuzimet që ka konstatuar KLSH në RTSH për periudhën janar 2017 deri në dhjetor 2019. 

Qëndrimi i Kuvendit 
Anëtarët e Komisionit të Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit, janë ndarë në dy kampe për shtimin e privilegjeve për kupolën e RTSH-së. Një pjesë e kanë konsideruar si të pranueshme dhe absurde kërkesën e Leka Bungos për të rritur shpërblimin për veten e e tij dhe anëtarit e Këshillit Drejtues të RTSH, ndërsa pjesa tjetër si të drejtë dhe të pranueshme. 

Në mbledhjen e datës 17 qershor 2021, ish deputeti Musa Ulqini, ndër të tjera ka pohuar se “Po sjell një shembull: përse këshilltarët bashkiakë me ligj marrin 10% të pagës së kryetarit të bashkisë. Këshilli bashkiak i kryeqytetit është një institucion shumë i rëndësishëm, jo sepse menaxhon 1 milion qytetarë...Unë mendoj që edhe nga pikëpamja etike, akti i parë i Këshillit të ri Drejtues nuk mund të jetë rritja e shpërblimit për veten, ndërkohë që ky këshill drejtues ka shumë detyra, ka shumë emergjenca dhe ka shumë gjëra, të cilat janë për t’u sjellë këtu, për t’u miratuar përpara kësaj gjëje. Sipas ligjit, akti i parë i Këshillit Drejtues është zgjedhja e nënkryetarit, nënkryetar i cili përfaqëson opozitën... E dyta, është absurde që kanë kaluar 40 ditë, edhe pse ka mbaruar mandati i drejtorit të Përgjithshëm, Këshilli Drejtues nuk e ka hapur vakancën...”.

Deputetja Vilma Bello ka kërkuar që të merret një mendim nga Ministria e Financave, duke shtuar se “edhe Komiteti Drejtues i RTSH-së të sjellë një argumentim më të detajuar, se cilat janë arsyet e vërteta të kërkesës së kësaj rritjeje, sepse, nëse argumentimi do të jetë i duhur, rritja mund të jetë më shumë se në masën 30%”. 

Ish deputeti Erion Piciri ka pohuar se “Në kërkesën e tyre shoh që paga është diku te 462 mijë lekë të vjetër, shifër që korrespondon 1,5 herë më e lartë se rroga minimale në Shqipëri dhe shkon deri në 90% të rrogës mesatare, të atyre që punojnë me kohë të plotë. Z. Ulqini bëri krahasimin me Bashkinë e Tiranës, por unë do të bëj një krahasim tjetër, me rrogën e pedagogëve të universiteteve shtetërore, të cilët paguhen me orë. Ora e punës varion nga 4-12 mijë lekë të vjetër, ku mesatarja është diku te 9 mijë lekë të vjetër, pra, i bie që anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së, të paktën nëse barazohen me pedagogët, të investojnë rreth 60 orë në muaj. Nuk e kemi këtë të dhënë se sa herë mblidhet këshilli, por duke pasur parasysh edhe eficiencën e institucionit, ai është një institucion që nuk ka ndonjë rezonancë në shoqërinë shqiptare. Unë kam bërë disa kërkime për të parë se ku qëndron ky institucion me audiencën dhe kjo është një para e çuar dëm, sepse vetëm rreth 2-3% e publikut informohet dhe ndjek RTSH-në”. 

Ndërkaq, deputetja Mirela Kumbaro, sot ministre e Turizmit, është shprehur se “Më lejoni që të shpreh, në njëfarë mënyre, paksa, reagimin dhe indinjatën time në lidhje me tonin përçmues që iu bë institucionit më të rëndësishëm të medies publike, që është Radiotelevizioni Shqiptar. Nuk mund ta pranoj një nënvlerësim të tillë për vetë Radiotelevizionin, i cili është televizioni që mbulon në masën 100% të gjithë territorin... Nuk mund ta pranoj...është një ndër asetet kombëtare më të rëndësishme që ne kemi dhe puna e atyre që kontribuojnë, qoftë në formatin e Këshillit Drejtues të RTSH-së, qoftë në formatin e profesionistëve që punojnë, qoftë në formatin e administratës, të nënvleftësohet dhe të konsiderohet si harxhim dhe shpërdorim parash, aq më pak të matet në mënyrë të thjeshtëzuar dhe tepër të rëndomtë me 2-3 orë pune”. 

Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik i është drejtuar Ministrisë së Financave për të dhënë një mendim për kërkesën Leka Bungës. Gjatë këtyre ditëve, përfaqësuesit e RTSH pritet të paraqiten në Komisionin e Mediave, gjatë diktimit të buxhetit për vitin 2022, ku pritet të marrë një përgjigje përfundimtare kërkesa për rritjen e shpërblimit dhe shtimin e anëtarëve dhe strukturave të reja.

Kërkesa e kryetarit të Këshillit Drejtues të TRSH Leka Bungo për rritjen e shpërblimit mujor 

(Kliko këtu për procesverbalin e mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit ku u diskutua kërkesa e Leka Bungos për rritjen e shpërblimit mujor)

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia