Veliaj betohet nesër: Kur do shembet Teatri? Jemi disa muaj larg, sapo hapëm thirrjen (VIDEO)

TIRANE-Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka konfirmuar edhe njëherë qëndrimin për një teatër të ri kombëtar. Nga konferenca ku u prezantuan punimet e disa studenteve të Harvardit me fokus shtimin e hapësirave për fëmijët, Veliaj theksoi se qyteti nuk mund të mbetet pas i nostalgjive të dikurshme.

Unë besoj se e ardhmja iu përket njerëzve me vizion, që arrijnë ta shohin këtë qytet dhe këtë vend pas 10, 20 dhe 30 vitesh, jo ata që u ka ngelur koka pas. Mund të ketë akoma njerëz që kanë nostalgji për gjyqet e komunizmit dhe për dënimet me varje që jepeshin në teatër.  Nostalgjitë do t’i respektojmë, do të gjejmë një mënyrë për t’i akomoduar edhe tek Teatri, si te stadiumi i ri, fasada e të cilit është përqafuar në projektin e ri. Por me gjithë respektin për nostalgjinë, me gjithë durimin për nostalgjinë dhe tolerancën ndaj gjithollogëve, Tirana nuk ndalet dhe jam i vendosur që çdo projekt që do miratojmë sot e në vijim t’i shkojmë deri në fund”, deklaroi ai.

Veliaj theksoi se më 22 korrik është hapur thirrja për ofertat që do të paraqiten për Teatrin e ri modern, ndërsa i cilësoi akuzat e deritanishme si “beteja imagjinare”. “Teksa jam duke ndjekur çështjen e Teatrit, prapë është një ilustrim ideal i histerisë kolektive. Shkon drejtori me një dum-dum të marrë dy-tre dosje, arkivën, financën, duke qenë se ka dy vjet që janë zhvendosur te Art’Turbina, dhe krejt papritur plas histeria se do të prishet Teatri. Ndërkohë, jemi ende muaj larg; në datën 22 korrik kemi hapur thirrjen për të gjitha ofertat se kush mund ta bëjë këtë Teatër modern. Ka dy muaj kohë thirrja. Këta i kanë betejat të gjitha imagjinare, vetë i sajojnë, vetë i luftojnë dhe vetë i fitojnë betejat. Është e gjitha vetëm te koka e tyre, sepse në realitetin jashtë këtij ‘akuariumi’, jeta vazhdon normalisht. Ndaj, dua t’ju sfidoj që të përgatiteni që shumë prej vendimeve që ju mund t’ju duken totalisht të pafajshme, të thjeshta, mund të përballen me një histeri të jashtëzakonshme”, tha ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se përgjigja për teatrin u dha më 30 qershor përmes referendumit. “Vendet demokratike funksionojnë me zgjedhje. Ti nuk mund të jesh edhe aktor të thuash të ruajmë tallashin, edhe aktivist politik të thuash edhe unë do bllokoj zgjedhjet, edhe militant i rrugës të thuash Rama ik dhe pastaj nuk vjen në asnjë garë.  Unë aty isha në 30 qershor, ata që më thanë do e shohësh nuk erdhën. Ata që të thonë do e shohësh, ke për ta parë ti, ta tregoj unë ty, dhe nuk vijnë në betejë, u ikën e drejta të flasin për të ardhmen e qytetit. I dëgjoj këta që flasin si ekspertë për teatrin kur thonë: “Unë vërtet jam themelues i kësaj partie, por kjo s’është fare politike”. Nëse nuk është politike çfarë është?”, nënvizoi Veliaj.

Erion Veliaj do të bëjë nesër betimin për të nisur mandatin e dytë për transformimin e Tiranës në një qytet europian dhe bashkëkohor. Betimi i Veliajt do të bëhet para Këshillit të ri Bashkiak, i cili po ashtu do të konstituohet gjatë ditës së martë.

Sot është zyrtarisht aktiviteti im i fundit për mandatin e parë dhe e mbyll në këtë notë bisedën e gjithë gjërave që kemi bërë në mandatin e pare. Nga nesër fillojmë një rrugëtim të ri, me ceremoninë e betimit pasdite, dhe më pas me punën rutinë. Ajo që ma mbushi zemrën me gëzim është fakti se fëmijët kanë qenë refreni i këtij mandati të parë, i këtyre katër viteve të para, dhe besoj se nuk kishte mënyrë më të mirë se sa ta mbyllnim prapë me një temë që ka të bëjë më fëmijët, me mënyrën se si do i formësojmë lagjet tona, qoshkat, sheshet poshtë pallatit në një nivel kapilar”, tha Veliaj.

Ai gjithashtu theksoi se përvoja e mandatit të parë do i shërbejë shumë Bashkisë së Tiranës në këtë mandat të dytë për të bërë tashmë gjërat dhe sidomos investimet për fëmijët dhe të rinjtë si e ardhmja e këtij vendi nëpërmjet një studimi dhe jo thjesht me imagjinatë.

Sot e kemi luksin dhe mundësinë që të kalojmë në një nivel tjetër, kemi mësuar shumë gjëra në këtë mandat të parë dhe besoj se një ndër gjërat që kemi mësuar është se t’i shohim fëmijët apo të rinjtë si e ardhmja. Kemi gjetur prej vitesh një alibi për të mos u marrë me ta sot dhe për të thenë, bravo ti je ke ardhmja, do të thotë që me ty do të merremi më vonë, ndërkohë që e kemi ndryshuar këtë filoziofi. Kemi filluar të flasim për fëmijët sot, për të rinjtë sot, për ata që janë kujdestarë, qofshin edukatorë, mësueset, nënat, dadot, sot, pra për ata që i aksesojnë këto shërbime sot. Besoj urgjenca e fjalës sot është diçka që na mobilizon për të bërë një planifikim shumë serioz në katër vitet që vijnë”, tha Veliaj.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Incidenti në Detin Baltik, NATO do të rrisë praninë në rajon

Incidenti në Detin Baltik, NATO do të rrisë praninë në rajon